Në Bankë, me Zonjën Ruth - Tregim nga Sami Milloshi
Isha bërë tym dhe të me prisje nuk më dilte gjak. Banka më kishte vënë një gjobë të majme të cilën as vetë nuk e mora vesh se si mbërriti në kuletën time...
Gjithë çfarë kisha bërë ishte se nga llogaria e parave në ruajtje kisha transferuar në llogarinë për shpenzime një shumë prej tetëdhjete dollarësh. Aq sa më duheshin t'i blija një tufë me lule të dashurës për ditëlindjen e saj...
Kur vajta në bankë të pyesja për gjithë çfarë më kishte ndodhur, zonja Ruth më priti me buzë në gaz, paçka se unë isha hundë e turinj i gjithi...
- Ç'e mirë të paska sjellë? - pyeti zonja Ruth.
- Jam i mërzitur se më keni gjobitur - i them.
- Pa dale dale të shohim se çfarë ka ndodhur - thotë.
Dhe si më kërkon edhe një herë të dhënat e identitetit tim për atë numër llogarie bankare, zhytet një copë herë në ekranin e kompjuterit të saj.
Unë rri i heshtur dhe krejt i mjegullt për çfarë kam bërë.
Zonja Ruth ofshan një "oh" dhe me një buzëqeshje të akullt që i shëndrin në fytyrë thotë:
- E ke pakësuar shumën e parave në llogarinë që ke për ruajtjen e parave përtej shifrës që lejon banka.
- Zonjë - i them - unë thjesht transferova tetedhjetë dollarë nga një llogari e imja në një llogari tjetër po timen. Dhe a e di pse? Sepse desha t'i blej një tufë lule të dashurës me rastin e ditëlindjes.
- Shumë bukur, ngjan tepër romantike dhe ke bërë shumë mirë. Por ke shkelur një rregull të bankës. Një rregull, që për hir të së vërtetës, ne ta kemi shpjeguar kur e ke hapur llogarinë bankare. Por ti me sa duket, e ke harruar...
- E dreq o punë, me sa duket kam filluar të plakem, ose larg qoftë, të rrjedh nga mendtë e kresë. E çfarë na qenka ky rregull që ti thua se unë e paskam harruar?
- Që llogaria jote e parave në ruajtje nuk duhet të zbresë më pak se dymijë dollarë...
- Unë kujtova se kjo është llogaria ime dhe mund ta zbres edhe në një dollar - thashë unë.
- E jotja është përsëri - tha zonja Ruth- por rregullat janë tonat...
- Rregullat janë tuajat - thashë unë - por edhe unë kam rregullin tim që ma ka mësuar mëma.
Zonja Ruth kujtoi se unë po tallesha dhe i dha fytyrës një hije serioziteti. Megjithatë pyeti.
- Pa ma trego, të lutem çfarë na qenka ai rregulli i mëmës tënde?
- Mëma më ka thënë mua që t'i shtrij këmbët aq sa e kam jorganin...
- Ti bën shaka që unë nuk i kuptoj- tha zonja Ruth.
Bëra si bëra dhe i shpjegova se nuk e kisha fjalën për gjumin, krevatin e të tjera dhe se nuk po përpiqesha t'i shpjegoja se si fle unë.
I thashë se çfarë kisha rrënjosur unë në kokë nga nëna për përdorimin e parave kur ajo e kishte përdorur atë shprehje...
I ndritën sytë dhe qeshi që, më në fund edhe ajo e kishte kuptuar se unë nuk po tallesha me të...
- E po mirë pra, ti në këtë rast, i ke shtrirë këmbët më shumë se sa jorgani ynë...
- Jo - i thashë unë - i kam shtrirë aq sa më ka thënë mëma. Sepse mëma e kishte fjalën që jo vetëm këmbët, por edhe jorgani ishte i imi, dhe jo i bankës...
U përshëndeta me zonjën Ruth dhe dola në rrugë. Në makinë kisha një tufë me lule për të dashurën.
Në qiell më shfaqej fytyra engjëllore e mëmës. Dhe më dukej sikur nga qielli ajo po më thoshte atë shprehjen që gjithëherë e thoshte me buzë në gaz:
- Ne pará as nuk kemi dhe as na mbarohen...
©Sami Milloshi



