Para dhe pas Krishtit (Përrallëza e Pashkëve) - Nga Eriola Agalliu

Eriola Agalliu - Ottawa
Jezu Krishti duhet të jetë vërtet biri i Zotit. Patjetër që jo vetëm ka ekzistuar, por edhe duhet të ketë pasur hirin e pushtetit hyjnor. Ai djalosh 33 vjeçar, i matur në reagime e me fytyrë të heshtur, ka njohur gjithë dashurinë e atit të vet. Një njeri jo shumë karizmatik, me vetëm dymbëdhjetë nxënës të bindur, por edhe të dyshimtë, që e ndiqnin pas, duhet të ketë dëshmuar për të vërtetën...
I tronditur nga vdekja e të birit, Zoti ndoshta ka heshtur një çast... Nuk e dimë nëse ka qarë, ka ulëritur nga dhimbja, apo, me vetëbesimin hyjnor, ka zgjatur dorën për të ndezur një nebulozë mes yjesh. Veç ai mund ta dijë se si është ndjerë në atë moment e çfarë ka provuar thellë. Vdekja e të birit duhet t’ia ketë lënë frymën pezull... Dhe të mendosh që ka zgjatur tri ditë, nga agonia njerëzore e Krishtit, deri në ringjalljen si krijesë drite. Një kohë e gjatë tmerrësisht e gjatë...
Në ditët që erdhën më vonë, Zoti është ndalur të mendojë për të njëmijtën herë, mbi të njëjtin çast. Çastin kur gozhdët godisnin mbyturazi mbi gjymtyrët e dobësuar të të birit. I shfaqej pareshtur fytyra e shtrembëruar nga dhimbja, brinjët e nxira nga kamxhiku dhe tëmthat e përgjakur nga kurora mbi krye. Të gjitha këto nuk arrinte t’i hiqte dot nga mendja. Madje kur kryeëngjëjt e vet i erdhën për vizitë, ai foli për orë të tëra mbi fëmijërinë e të birit. Shtëpia e zdrukthtarit dhe nusja e tij e re ishin përpjekur ta bënin të lumtur në ato vite.
Ditët që erdhën më pas ishin një Kalvar i pafund. Ora e tij kish ngecur në vend. Shihte e jetonte pafundësisht në dhimbje çastin e kryqëzimit. Kohën filloi ta maste me dhe pa Birin e tij të vetëmlindur. Ai ishte çasti final i fundit të një epoke dhe njësia matëse e fillimit të një tjetre.
Pikërisht atëherë, besnikët e vet në botë, filluan të jenë mirëkuptues me të. Para dhe Pas Krishtit. Koha krijoi një etalon të çuditshëm. Para dhe Pas Krishtit... sepse koha ndal kur humb njeriun më të shtrenjtë. Koha matet me ditët e lumtura dhe ditët pa të...
Zoti endet në kaltërsinë eterne dhe e di këtë fakt. Ditët e tij tani ecejaken mes këtij itinerari. Para dhe pas ikjes së të birit. Një dhimbje e padukshme i kalon tejpërtej në gjoks, sa herë e sjell ndërmend atë çast...
©Eriola Agalliu



