Krijimtari

Tim biri - Nga Eriola Agalliu 

I vogël,

besoja se ishe një krijesë ku flatrat e ëngjëllit,

thjesht, ishin të padukshme.

Me këtë ide të ndiqja në udhët e ëndrrave,

vetëm për të marrë pjesë në harenë tënde...

 

Pas disa vitesh, u bëre një qenie e pavarur,

që mësove të ecësh...

Me shkëlqimin e syve më lusje

të t’rrëfeja mbrëmjeve për heronjtë e tu:

Piter Pani, Herkuli, Prometeu, 

të shoqëronin në aventurat e netëve...

 

Pastaj filluam të flasim për Tokën,

këtë planet të çuditshëm,

që mban brenda dhe Fermën e Kafshëve

dhe Nënë Terezën...

 

Atëbotë,

pas shumë kohësh, kuptova se

ishe bërë Njeriu që doja të shihja tek ti...

Me forcën e arsyes dhe butësinë e zemrës,

për lulet, për diellin, për jetën...

 

Krijesë e ëndërrt, që i flet shpirtit tim

me zërin e ngrohtë të dashurisë.

 

Tani besoj që flatrat i ke brenda vetes,

për të prekur me to,

qiejt e lirisë tënde...

 

© Eriola Agalliu