Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare
- Published in Kulturë
- Nga: Përgatiti Arben Kallamata
Në vitin 1999, UNESCO shpalli 21 Shkurtin Ditën Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Pse 21 Shkurti?
Kur në vitin 1947 u ndanë si shtete më vete India dhe Pakistani, ky i fundit u sajua në dy pjesë, Perëndimore dhe Lindore (Bangladeshi i sotëm), të cilat, ndonëse me popullsi kryesisht muslimane, ishin krejtësisht të ndryshme nga pikpamja kulturore dhe gjuhësore. Megjithatë, qeveria e Pakistanit në vitin 1948 vendosi që i gjithë shteti të kishte një gjuhë të unifikuar, atë Urdu, megjithëse në pjesën lindore shumica e popullsisë fliste Bengali.
Populli në Pakistanin Lindor filloi të protestojë me force kundër vendimit. Ata kërkuan që Bengali (ose Bangla) të ishte një prej gjuhëve zyrtare të shtetit të ri. Për të shtypur protestat, qeveria e Pakistanit i shpalli të paligjshme. Studentët e Universitetit të Dakës, të mbështetur nga i gjithë populli, u hodhën në protesta edhe më masive. Në 21 Shkurt 1952 policia hapi zjarr ndaj protestuesve duke vrarë Abdus Salam, Abul Barkat, Rafiq Uddin Ahmed, Abdul Jabbar dhe Shafiur Rahman, dhe plagosur qindra të tjerë.
Është ndër rastet e rralla në histori kur njerëzit kanë sakrifikuar jetën për gjuhën. Që atëherë, Bangladeshi e përkujton këtë ngjarje si Dita Kombëtare e Gjuhës Amtare. Për deshmorët e gjuhës është ngritur një monument i quajtur Shaheed Minar.
Rezoluta për ta shpallur 21 Shkurtin Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare u propozua nga dy bangladeshas, Rafiqul Islam dhe Abdus Salam me banim në Vankuver, Kanada. Në 1998 ata i dërguan një letër, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan:
"Gjuhët janë mjeti më i fuqishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë të prekshme dhe të paprekshme. Çdo veprim që nxit përhapjen e gjuhëve amtare do t’i shërbente jo vetëm shtytjes përpara të shumëllojshmërisë gjuhësore dhe arsimit shumëgjuhësh, por edhe zhvillimit të vetëdijes së plotë për traditat gjuhësore dhe kulturore në të katër anët e botës dhe frymëzimit të solidaritetit të bazuar te mirëkuptimi, tolerance dhe bashkëbisedimi", shkruanin ata.
Shqipëruar nga Wikipedia A.K.
Shënimi im (A.K.): Dita e sotme është një rast për t’u kujtuar se duhet ta ruajmë, ta çmojmë dhe ta mirëmbajmë gjuhën shqipe si një thesar tonin për të cilin mund të kujdesemi vetëm ne. Dashuria për gjuhën shprehet në përdorimin e saktë, elegant dhe të pastër të saj, jo në përpjekjet donkishoteske për t’i veshur asaj cilësi të cilat nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë. Shqipja është një gjuhë e vjetër, por nuk është dhe nuk mund të jetë “mëma” e gjuhëve, as e gjuhëve të botës, as e gjuhëve indo-europiane. Ky fakt nuk i ul asaj asnjë pike nga vlerat e shumta që ka si gjuhë.










