Sabah Bizi, një nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu
Lindi më 26 janar 1948 në Shkodër, në shtëpinë e parë të futbollit shqiptar.
Pa dyshim një yll i shndritshëm i gjeneratës së tij, kur luajti për Vllazninë, Partizanin dhe ekipin përfaqësues. Një talent i madh që ka luajtur në të gjithë rolet, përveç portierit, një “Beckenbauer” shqiptar.
18 vjet (1964-1982) në nivelin më të lartë të futbollit të luajtur.
Vrapim dhe hap elegant, klas i lartë në mbajtjen dhe përdorimin e topit, lojtar universal në të gjithë fushën, teknikë racionale, pasim i pagabueshëm, korrekt dhe gjithmonë modest.
15 ndeshje (1 gol) gjatë viteve 1967-1976 me përfaqesuesen kuqezi.
Debutoi në 8 prill 1967 në Dortmund kundër RFGJ (0-6). Ndeshjen e fundit e luajti në një miqësore kundër Algjerisë (3-0).
Në një intervistë të disa viteve më parë mjeshtri shkodran ka rrëfyer:
“Përpara disa vitesh, erdhi dhe më takoi një bashkëqytetar dhe me tha se i kam bërë nder të madh. Djali i tij kishte punuar në një lokal ku Beckenbauer ka shkuar si klient sëbashku me të shoqen. Gjatë shërbimit, aksidentalisht ai ka derdhur një gotë vere mbi fustanin e gruas së tij. Beckenbauer ishte nxehur mjaft dhe ka debatuar me djalin, por kur ka vënë re se nuk fliste mirë gjermanisht, ka pyetur pronarin, por edhe vetë djalin nga ishte. Djali i frikësuar se do të pushohej nga puna i është pergjigjur me gjysmë zëri së është shqiptar. Me tej, “Kaizeri” e ka pyetur sërish se nga cili qytet dhe ai i ishte pergjigjur nga Shkodra. “Mos e njihni Sabahin? Bizin?” e ka pyetur serish Beckenbaueri dhe djali i ishte pergjigjur se jetonte në një lagje me të. Më tej, gjithçka ishte normalizuar dhe i kishte lënë porosi djalit që të më dergonte urimet e tij më të mira. Jam ndjerë shumë i vlerësuar që pas kaq shumë vitësh ai më mbante sërish mend.”
Kaq i madh ishte Bizi në fushen e lojës…
Një legjendë si Beckenbauer që ka luajtur kundër yjeve të tillë si Pele, Charlton, Cruyff, Dejna, Rivera, Riva, Mazzola, Van Himst etj., nuk harronte talentin e madh shqiptar, që e kishte markuar në Dortmund, Tiranë dhe në Karlsruhe…
"Tenori" i fundit i futbollit shkodran prej vitesh ka humbur shikimin, por ka fituar përjetësisht dashurinë e madhe të të gjithë sportdashësve shqiptarë.
Jetë të gjatë Bizi i madh!
©Saimir Kadiu










