Sport

James Naismith, kanadezi i McGill që shpiku basketbollin - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

Basketbolli është një nga sportet më të dashur në mbarë globin. Ky sport luhet kudo. Sportdashësit e këtij sporti nuk mendojnë që emra të tille si Michael Jordan, Wilt Chamberlein, Kareem Abdul-Jabbar, Larry Bird, LeBron James, Drazan Petroviç, e shumë e shumë të tjerë, janë më poshtë se yjet e futbollit Pele, Maradona, Messi, Cruyff, apo Beckenbauer.

Sot “Bota e Koshit” kujton ditëlindjen e shpikësit të basketbollit, James Naismith (6 nëntor 1861- 28 nëntor 1939).

Naismith lindi në Kanada (Almonte-Ontario) nga prindër me origjinë skoceze, 161 vjet më parë më 6 nëntor 1861.

Statuja e James Naismith në Almonte - Ontario

Universiteti McGill në Montréal konsiderohet një nga universitetet më të mirë të botës. Nga studentët dhe stafi pedagogjik i këtij tempulli të dijes kanë dale 12 fitues të Çmimit Nobel, 9 fitues të Çmimit Oscar, 11 të Çmimit Grammy, 4 fitues të Çmimit Pulitzer, pa përmendur edhe shumë politikanë, midis të cileve edhe 3 kryeministra të Kanadasë si dhe 10 miliarderë. Por ky universitet është krenar edhe për ish-studentin e tij James Naismith, i cili është përfshirë në McGill University Sports Hall of Fame.

Ai mund të quhet me plot kuptimin e fjalës shpikësi dhe mentori i basketbollit, që në SHBA do të bëhej sporti më i preferuar i shekullit XX.

Basketbollin Naismith e kodifikoi në kohën kur ishte mësues i edukimit fizik në Springfield College, Massachusetts ku sot ndodhet edhe Basketball Hall of Fame.

James Naismith synonte t'i mbante studentët e tij aktivë gjatë muajve të dimrit (midis sezoneve të futbollit dhe bejsbollit), gjë që e bënte të pamundur ushtrimin e sportit jashtë. Ai mendoi t'u ofronte atyre një aktivitet pa shumë kontakt fizik, në mënyrë që të shmangë lëndimet. Qëllimi i tij ishte të krijonte një sport ku aftësia dominonte mbi forcën dhe shpejtësia mbi fuqinë.

Një ditë më 1891, ai pati idenë të vendoste dy kosha frutash bosh prej druri në shkallët e palestrës (në një lartësi ekzakte 3.048 m) në të cilat duhej të futej një top për të shënuar një pikë. Ai ua propozoi lojën studentëve të tij dhe mjaftuan vetëm disa minuta për të vendosur disa rregulla bazë e për ta bërë lojën të praktikueshme.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 1-0, kosh i shënuar nga William Chase. Loja u pëlqeu studentëve, të cilët menduan ta emërtojnë "Naismith-ball". James Naismith refuzoi dhe kësisoj kreu i klasës, Franch Mahan, propozoi të quhej “basket-ball”, “një shportë dhe një top”.

Sporti i ri i Naismith ishte frymëzuar nga një lojë kanadeze, “Duck on a Rock”, që ai e kish luajtur fëmijë me shokët e tij në Kanada. Loja kishte për qëllim që të lëvizte një gur të madh të vendosur mbi një shkëmb duke e gjuajtur me guralecë.

Naismith ishte autori i librit të rregullave të basketbollit si dhe themeloi programin e kësaj loje në Universitetin e Kansas. Në vitin 1898 ai u bë traineri i parë i ekipit të basketbollit të këtij universiteti dhe njëkohësisht traineri i parë në botë i basketbollit.

Naismith, në gjallje të tij, pati fatin ta shikonte “produktin” e tij të demostrohej për herë të parë në një event ndërkombëtar të nivelit më të lartë, në Lojërat Olimpike të Berlinit në vitin 1936.