Në prag të gjysëmfinales së parë të Botërorit 2022 në futboll - Nga Saimir Kadiu
Saimir Kadiu
Argjentinë-Kroaci - Një histori e shkurtër e përballjeve dhe marrëdhënieve shtetërore mes dy vendeve
Dy kapitenët Luka Modriç dhe Leo Messi kanë “një herë të parë” të përbashkët, që koincidon me përballjen Argjentinë vs Kroaci. Në takimin miqësor të luajtur më 1 mars 2006, në St Jakob Park të Bazelit, Modriç (i datëlindjes 9 shtator 1985) luante për herë të parë me përfaqësuesen kroate, ndërsa Messi (i datëlindjes 24 qershor 1987) shënonte golin e parë të tij me Argjentinën. Për statistikë, ndeshja përfundoi 3-2 per kroatët (1-0 Klasniç 3’; 1-1 Tevez 4’; 1-2 Messi 6’; 2-2 Srna 52’; 3-2 Simiç 90’).
Që nga ai takim Messi ka shënuar edhe 94 gola të tjerë në 170 ndeshje, ndërsa Modriç ka luajtur edhe 159 ndeshje të tjera (23 gola). Kane luajtur dy herë kundër njëri-tjetrit dhe dy herë ka fituar Kroacia.
Bilanci para gjysëmfinales është i barabartë: 2 fitore për secilën skuadër dhe 1 barazim
Ndeshja e parë 4 janar 1994: Kroaci-Argjentinë 0-0, në Stadio Maksimir, Zagreb. Boban, Prosinecki, Suker, Biliç luanin kundër Maradonës, Batistutës, Simeones, Redondos, Caniggias.
Ndeshja e dytë 26 qershor 1998: Argjentinë-Kroaci 1-0, Kupa e Botës Francë. Shënonte për Argjentinën Pineda 36'.
Ndeshja e tretë 1 mars 2006: Argjentinë-Kroaci 2-3 (miqësorja e përmendur më lart).
Ndeshja e katërt 12 nentor 2014: Argjentinë-Kroaci 2-1 (miqësore në Upton Park, Londër). Permbysnin golin e kroatëve të shënuar nga Sharbini në 11', Ansaldi 49' dhe Messi 57' (penallti).
Ndeshja e pestë 21 qershor 2018: Kroaci-Argjentinë 3-0, Nizhni Novgorad, Kupa e Botës në Rusi. Shënonin Rebiç 53', Modriç 80' dhe Rakitiç 90'.
Jashtë rivalitetit sportiv, Kroacia dhe Argjentina kanë marrëdhënie shumë të mira shtetërore.
250 mijë kroatë e argjentinas me prejardhje kroate jetojnë në Argjentinë, që përben komunitetin e tretë më të madh të diasporës kroate në botë, pas Gjermanisë (440 mijë) dhe SHBA (415 mijë). Jetojnë kryesisht në Buenos-Aires, Santa Fe, Patagonia, Cordoba etj.
Emigracioni kroat drejt Argjentinës ka filluar në fund të shekullit XIX dhe ka vijuar edhe pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Mbi 35 mijë kroatë u larguan nga Jugosllavia me ardhjen e qeverisë komuniste të Titos në vitin 1945.
Argjentina ishte vendi i parë latino-amerikan që njohu pavarësinë e Kroacisë në vitin 1992. Gjithashtu, Argjentina nën presidencën e Carlos Menem, furnizoi fshehurazi me armë Kroacinë gjatë luftës në Jugosllavi pas vitit 1990. Rreth 400 argjentinas me origjinë kroate luftuan krahas ushtrisë kroate.
Presidenti Menem e vizitoi Kroacinë në vitin 1993. Jo rastësisht edhe vizita e parë e Presidentit kroat Franjo Tuxhman në Amerikën e Jugut në vitin 1994, ishte pikërisht në Argjentinë.
Ish-Presidenti argjentinas Nestor Kirchner ishte me origjinë kroate nga nëna. Edhe Maradona kishte një “lidhje” kroate. Gjyshja e tij në vijën maternale ishte gjithashtu me origjinë kroate.
©Saimir Kadiu










