Sport

Mbappé vs Messi: Përplasje titanësh - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Edhe një ditë na ndan nga finalja e madhe dhe kupa e artë e Botërorit 2022 do bëhet për të tretën herë “pronë” ose e Argjentinës së Lionel Messi, ose e Francës së Kylian Mbappé. Një përplasje titanësh e një ylli në ngjitje si Mbappé dhe një ylli në perëndim, për shkak të moshës, si Messi.

E ndërsa Mbappé e ka fituar një herë Kupën e Botës dhe do të ketë edhe ndoshta tre mundësi të tjera, për Messi-n kjo është mundësia e fundit. Pa trofeun e artë Messi nuk do mund të fitojë “garën” në hije me idhullin e futbollit Maradona.

Futbollistë klasi si Krojf i Hollandës së artë të futbollit total, Pushkash, Platini apo Zico i Brazilit spektakolar të 1982 nuk mundën ta fitojnë trofeun botëror.

A do të ketë dhe Messi fatin e keq të tyre?

Po t’i analizosh të dy ekipet, diferencat nuk janë të mëdha, por Franca duket më superiore në letër. Ka një kompaktësi të të gjithë reparteve, nga mbrojtja në sulm, ndërkohë që ekipi i Argjentinës “fut ujë” në mbrojtje. Kjo u pa përballë Arabisë Saudite dhe Hollandës.

Gjithsesi fatin e ndeshjes do ta vendosin episodet. Forma e Messi&Alvarez vs Mbappé&Giroud. Mënyra si trainerët do t’i përgatisin lojtarët dhe reagimi gjatë ndeshjes. Por… edhe gjyqtarët, e në veçanti ata të VAR, që “vigjëlojnë” pas ekraneve. Deri tani kemi parë goxha gafa të tyre dhe urojmë të mos përsëriten.

Botërori i fituar nga Argjentina në 1978, është një njollë e zezë korrupsioni në biografinë e FIFA-s. Argjentina e atëhershme e Kempes (që e patëm edhe trainier të Lushnjës me “ndihmën” e Xhaferit), mbërriti në finale përballë Hollandës përmes manipulimeve. Rregulli si edhe sot ishte që ndeshjet (pas atyre në grupe) të zhvilloheshin në të njëjtën orë, për të shmangur manipulimet, por Argjentina e bëri ndeshjen përballë Perusë pasi mësoi rezultatin e Brazil-Poloni 3-1. Për të kalur në gjysëm finale, Argjentinës i duhej një fitore me gjashtë gola diferencë përballë Perusë. Dhe ashtu ndodhi. FIFA mbylli sytë. Media botërore bërtiti e skandalizuar, por dëmi nuk mund të riparohej. Madje në 15 minutat e para, ekipi i Perusë i tregoi Argentinës se ishte një kockë e fortë.

Të shpresojmë që VAR kësaj radhe do vendosë drejtësi dhe nuk do jetë “vari bidonat”!

©Ilir Gjini

Foto: Getty Images/Guardian Design