Kujt i shërbeu “patriotizmi” i Ramës në Kuvendin e Kosovës? - Nga Dritan Goxhaj
Në datën 20 të këtij muaji në Kuvendin e Kosovës u mblodhën së bashku kuvendet e dy shteteve që i ndan lumi Drin, Shqipërisë dhe Kosovës. Kur e mendon, çdokush do thotë çfarë patriotizmi. Por kjo vetëm patriotizëm nuk është. Është një mashtrim i menduar në mënyrë perfide për të dhënë idenë e një gjoja bashkimi, por që në realitet tregon që jemi dy shtete më vete, pa asnjë angazhim e asnjë qëllim për një bashkim kombëtar.
Por ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Qëllimi i këtij shkrimi është ajo që populli e quan djalli fshihet në detaje.
Në këtë takim mbajti edhe një fjalim Ed(vin) Rama. Tha e ç’nuk tha në fjalën e tij. Bëri plot lajka nëpër të ashtu si bëjnë prestigjatorët me magjinë e tyre për të të hequr vëmendjen nga elefanti që futi në atë sallë. Elefant që vetëm çështjes shqiptare nuk i shërbeu askund.
Lidhur me fjalën e tij të gjatë do ndalem vetëm në dy pika të cilat do iu japin mundësinë të kuptoni se kujt i shërbeu ky fjalim i Ramës në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha: “Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim ku ç’nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe me aleatët e me jodashamirësit tanë, se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në”.
Nga gjithë kjo fjali do shkëpus vetëm dy aspekte të saj.
I pari është : “Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior”.
Me këtë pjesë të fjalisë besoj se të gjithë do të biem dakord me Ramën, sepse duke qënë se Serbia ka vazhduar veprimtarinë e saj armiqësore kundrejt Kosovës, duke nisur e pa pushuar që me sulmin terrorist të Banjskës, e çdo veprimtari tjetër që kundërshton dhe refuzon shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në territoret e banuara me shumicë serbe në të.
Të gjithë besoj jemi dakord që Kosova nuk duhet të bisëdojë më me Serbinë derisa Serbia të mbajë një qëndrim për këto sulme të armatosura ndaj institucioneve të Kosovës dhe sigurisë së Kosovës.
Por pastaj Rama thotë: “duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë” dhe këtu është hileja e gjithë kësaj fjalie të gjatë, sepse kjo të jep idenë se edhe Kosova i qënka përgjigjur në mënyrë të njëjtë Serbisë, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë. Kosova thjesht ka mbajtur qëndrimet e saj politikisht ndaj asaj që Serbia ka bërë dhe po bën në Kosovë, por në asnjë rast të vetëm nuk i është përgjigjur Serbisë me të njëjtat veprime nacionaliste.
Veprimet e Kosovës kanë qënë sovraniste, por Rama enkas e bën krahasimin për të dhënë idenë se qëndrimi sovranist i Kosovës ndaj Serbisë na qenka një qëndrim nacionalist.
Në asnjë herë të vetme Kosova nuk ka nxitur e as ka kryer veprime të njëjta në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Vetëm në këtë rast do mundej të bëhej krahasimi që Rama ka bërë.
Ndërhyrja e policisë së Kosovës në veri të vendit është në përputhje me ligjet e vendit dhe shtrimin e sovranitetit të republikës, por Ramës i intereson që lëvizjet e ligjshme sovraniste të Kosovës t’i barazojë me lëvizjet ultra nacionaliste dhe shoviniste të Serbisë. Sepse duke bërë këto lloj barazimesh e shpëlan Sërbinë nga gjithë poshtërsitë që ka bërë në Kosovë.
Por hileja e Ramës nuk ndalet këtu dhe ai më pas vazhdon: “E thënë ndryshe, Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë; jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”.
Shiheni si e fillon lajkatimin e tij për të hequr vëmendjen nga bomba që ka vendosur të hedhë në Kuvendin e Kosovës: “Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s”.
Por si mundet ta bëjë këtë?
Këtu tregohuni shumë të vëmendshëm sepse ky është thelbi i gjithë fjalimit të tij që bën lidhjen me gjithë ç’ka ka broçkullisur në këtë fjalim. Ai shprehet: “duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.
Por ç’do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që Kosova të plotësojë të gjitha kërkesat e Serbisë duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asosiacionit të Komunave serbe në Kosovë në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë që Kosova ka vënë si kusht për përmbushjen e këtyre kërkesave të Serbisë vetëm në rast se Serbia e njeh Kosovën si shtet.
Por Rama po na thotë që Kosova t’ia plotësojë Serbisë kërkesat pa pasur nevojë që ajo ta njohë si shtet. A e dini se ç’do të thotë kjo?
Që nëse Kosova e dëgjon këtë emisar të Serbisë dhe e krijon këtë Asosiacion, dhe duke qënë se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet por vazhdon ta njohë atë si pjesë të Serbisë, ajo nesër në çdo kohë mund t’ia shkëpusë me forcë duke financuar një gjoja lëvizje të armatosur në veri të Kosovës, pasi kështu nuk është duke thyer asnjë ligj ndërkombëtar, pasi për Serbinë Kosova nuk është shtet i njohur.
Në rast se do të kemi njohje atëhere çfarëdo që ajo do të bënte do të konsiderohej si një shkelje e Nenit 51 të OKB-së, dhe ndaj Serbisë do të ndërmerreshin masa të ndryshme, përfshirë edhe ato ushtarake. Por loja është që ajo të përfitojë ato që do, pa e njohur Kosovën.
Dhe kjo pikë lidhet me pikën që diskutuam pak më lart e që konkluduam që të gjithë besoj jemi dakort për ngrirje të bisedimeve.
Por më këtë që propozon Rama atëherë ato bisedime nuk janë më të ngrira, por ato janë totalisht të pavlefshme dhe nuk ekzistojnë më. Pasi po t’i japim Serbisë çfarë ajo kërkon, dhe pa na bërë njohje reciproke, atëherë nuk ka për çfarë do të duhet të bisedohet më.
Dhe gjithë këtë mashtrim dhe shërbim që Rama ka vendosur paturpësisht t’ia bëjë Serbisë në Kuvendin e Kosovës na e servir se duhet ta bëjë “për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet”.
Shihni sa i ndyrë tregohet kur na propozon që t’ia plotësojmë Serbisë kërkesat në emër të martirëve. Po kush i bëri këta martirë? A nuk i bëri Sërbia me anë të gjenocidit të saj?
Sipas Ramës i bie që ne duhet të pështyjmë mbi gjakun e martirëve ku në mesin e tyre janë edhe 1500 fëmijë, trupat e të cilëve sot e kësaj dite Serbia e Ramës nuk pranon t’i kthejë, që nënat e tyre të kën një varr ku t’i qajnë.
Por nënat shqiptare në Kosovë dhe dhimbja e tyre, e gjaku i martirëve e i dëshmorëve që ranë pikërisht për mos ta lënë Serbinë që të merrte çfarë ajo donte, nuk ka asnjë vlerë për Ramën e gjithë enturazhin e tij, e të çdo kujt që i është lëpirë këto dy ditë duke i bërë elozhe fjalimit të tij antikombëtar.
Por ligësia e Ramës nuk përfundon këtu.
Sërish në stilin e një mashtruesi profesionist e nis duke na folur për UÇK se e di shumë mirë që pothuajse të gjithë do e mbyllin gojën kur përmendet UÇK, e jo vetëm, por një pjesë e mirë edhe do ngrihen e të na thonë se ja na e përmendi UÇK, dhe ngriti edhe mbrojtjen e Thaçit e të tjerëve.
Por kur UÇK luftonte, kur nisi me kërkesë të amerikanëve sulmin për thyerjen e kufirit të atëhershëm me një operacion të përpiluar nga Shtabi i Përgjithshëm i saj, të quajtur “Operacioni Shigjeta”, atë ditë që nisi operacioni, dhe UÇK po me kërkesë të amerikanëve organizoi një ceremoni në bashkëpunim me Ushtrinë Shqiptare në Kukës, në formën e një parakalimi ushtarak, ku ishin të ftuar të gjithë figurat e larta politike të vendit, përfshi Presidentin Mejdani, Ministrin e Mbrojtjes dhe Kryeministrin Majko, ky Rama që sot ju hiqet sikur i hapet barku për UÇK, e bind Majkon që ky jo vetëm të mos marrë pjesë në këtë ceremoni, por e merr atë për drekë te vilat qeveritare në Durrës, dhe po atë ditë ky Rama thoshte posht e përpjetë se “këta (UÇK) janë budallej, nuk bëhet luftë me Sërbinë”. Ndërsa sot ky po shet patriotizëm duke përdorur emrin e UÇK-së.
Por edhe këtë nuk po e bën për UÇK. Por po e bën vetëm për Hashimin.
Shiheni si thotë: “Gjithsesi unë dua ta dini të gjithë ju këtu dhe ata që na dëgjojnë, që nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do e merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cënimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike. Partia Socialiste do ta angazhojë pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”.
Pra ky është i gatshëm që të angazhojë Kuvendin e Shqipërisë për Hashimin, por në asnjë mënyrë e asnjëherë, edhe atëherë kur ia kërkoi Kuvendi i Kosovës dhe Presidentja e Kosovës që ky të miratonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë të përbashkët me Kosovën mbi gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ky nyk pranoi e nuk pranon ta bëjë atë as edhe sot.
Në asnjë mënyrë ky nuk pranon që në emër të Kosvës të akuzojë Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare, pasi Kosova nuk e bën dot vetë duke mos qënë anëtare e OKB. Por për shokun e tij Hashimin, ky angazhohet maksimalisht.
Pra e gjithë kjo vizitë dhe gjithë ky fjalim alla “patriotik” ishte vetëm për t’i shërbyer Serbisë dhe intereseva të saj, dhe për t’i bërë një qokë shokut të tij Hashimit. Ndërsa për Kosovën ky as që e merr mundimin, e as që premtoi që do të bëte diçka për të.
Nëse dikush ka akoma dyshime, atehërë le t’ia bëjë edhe vetes por edhe Ramës një pyetje: Kush e ka ndaluar që të ndërrmerrte një mision diplomatik në ato vende të Europës që nuk e njohin Kosovën, e të kërkonte njohjen e saj?
Kush e pengoi kur ishte drejtues i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB të ngrinte çështjen e Kosovës dhe të gjenocidit serb në Kosovë si dhe atë të pastrimit etnik që Serbia po bën në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?
Askush, përveçse Serbisë!
© Dritan Goxhaj











