Opinione

Si e legalizoi Rama me anë të OFL grupimin më të madh kriminal KÇK në Shqipëri - Nga Gëzim Zilja

Në nëntor 2019, kryeministri Rama, duke parë se  bandat kriminale kishin kapur gjithë strukturat  e shtetit dhe po i dilnin nga kontrolli, nuk shpalli gjendjen e emergjencës në luftën kundër krimit të organizuar, por ndoqi një rrugë të tërthortë, karakteristikë e njeriut hipokrit, frikacak, hileqar e të paaftë. Ai deklaronte: “Ka ardhur koha ta ngrejmë stekën dhe t’i kundërvihemi me forcën më të egër KÇK-së. KÇK (Kap ç’të kapësh) është grupi më i madh kriminal në Shqipëri, ku janë përfshirë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar që do largohen nga Vettingu... Operacioni do të shtrihet edhe ndaj kompanive të ndërtimit. Njësia speciale e përbërë nga 50 oficerë do të nisë punën nga qytetet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani, ndërkohë të dyshuarve do t’u jepet një formular për burimin e pasurisë së tyre i cili duhet të plotësohet brenda 48 orësh...”

Qeveria e trumbetoi këtë aksion si një nevojë emergjente për goditjen dhe dhënien fund krimit të organizuar, që Rama i konsideroi si banda e KÇK-së, duke fshehur qëllimin e vërtetë. Policia e Shtetit kishte identifikuar rreth 250 subjekte të dyshimtë, të cilët duhet të provonin ligjshmërinë dhe veprimtarinë e biznesit të tyre, përfshirë dhe shoqëri ndërtimi. Pjesë e hetimit do të ishin  bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kishin lidhje pasurie.

Policia do të hetonte 91 krime të parashikuara në Kodin Penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, terrorizmi, korrupsioni i çdo zyrtari publik e deri tek krimi zgjedhor. Të gjitha këto u kryen pa miratimin e prokurorisë apo gjykatës, një veprim ky antikushtetues. Të krijohej përshtypja se korrupsionit dhe bandave kriminale po u vinte fundi.

Nga gjithë kjo zhurmë kanë mbetur në kujtesë forcat speciale të armatosura deri në dhëmbë, duke rrethuar shtëpi e objekte (pasi ishte çuar formulari dy ditë para dhe ustallarët e krimit prisnin të përgatitur) duke kontrolluar e sekuestruar hotele, restorante, makina, magazina, pula, kaposhë, pata, rosa e ç’të mundnin. Nga 3 shkurti 2020 deri më 31 dhjetor 2020 kur përfundoi OFL-ja (Operacioni Forca e Ligjit), gjithçka u kthye në një shfaqje gjigante, ku shqiptarët e shkretë të shokuar shikonin përditë në TV policët e armatosur duke kryer dhjetëra rrethime, arrestime, sekuestrime e denoncime.

Shqipot, që gjithë jetën e hanë sapunin për djathë, si leshko që janë e përgjërohen për udhëheqësit, menduan se me këtë aksion të armatosur do të gdhiheshin një ditë me një Shqipëri ndryshe. Mirëpo në një shtet ku krimi dhe qeveria bashkëpunojnë, aksione të tilla, teorikisht dhe praktikisht, ose organizohen nga njerëz të paditur ose nga horra, që fshehin qëllimin e vërtetë të këtyre nismave. Në përfundim, të këtij aksioni, asnjë nga të arrestuarit nuk bëri burg. Të gjithë dolën jo vetëm të pafajshëm, por fajësuan policinë për veprime arbitrare në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Shqipërisë.

Përfundimi i OFL-së kundër KÇK-së ishte tronditës dhe qesharak për popullin e mjerë shqiptar. Mbahet mend ende një bukuroshe me syze të errëta, automatik krahëqafë, që bënte t’i dukej gjoksi i bëshëm dhe krerët e policisë që raportonin plot krenari si gogolë me maska para ekraneve televizivë. Qindra shtëpi, magazina, lokale, hotele, motele, makina etj., të sekuestruara nga OFL-ja, brenda disa muajve iu kthye të zotërve, kriminelë e hajdutë, miq të Edi Rames. 250 subjektet e kontrolluar, dolën të pafajshëm me vendim gjyqësor.

Ky aksion policor antikushtetues, gjysmak, përmes një nisme të paqartë politike u bëri një shërbim të jashtëzakonshëm kriminelëve, hajdutëve dhe qeveritarëve të korruptuar. Ata jo vetëm nuk bënë burg, por arritën të gjithë të legjitimonin pasurinë, nga pasuri informale, kriminale, ta kthenin në pasuri formale, të ligjshme. Këto lloj nismash nga kryeministri, si kjo e ditëve të fundit kundër ndërtimeve të paligjshme, apo zaptimit të territorit, ka një bazë shumë të rrezikshme, që i shkon për shtat kësaj qeverie kriminele. Ajo godet disa subjekte të korruptuar dhe kriminalë, ose jo, në mënyrë selektive, që janë të padëshiruar nga kryeministri dhe ligjëron pasuritë e vëna me anë të krimit e korrupsionit qeveritar.

Aksionet, që kërkojnë brenda disa orësh, ditësh apo muajsh të rivendosin ligjin, janë shfaqje teatrale të organizuara me vetëdije nga kreu i ekzekutivit. Në këtë shoqëri të sëmurë, ku metastazat kanceroze kanë pllakosur tërësisht administratën dhe qeverinë, asnjë “budalla” nuk investon duke ngritur pallate, hotele apo biznese pa patur lejen, garancinë dhe bekimin nga qeveritarët ose politikanët. Nëse jo, atëherë atij i shkojnë fadromat dhe shkatërrojnë gjithçka.

Çdo aksion i tipit “OFL kundër KÇK” vetëm ligjëron krimin dhe padrejtësinë, që janë në themel të qeverisë Rama dhe eleminon kundërshtarët e tij. Burimi është sistemi i korruptuar, që prodhon dhe mbron padrejtësinë. Aksione të tillë vetëm se e forcojnë krimin e organizuar dhe pushtetin absolut të Ramës. Prandaj shqipot nuk duhet t’u besojnë këtyre aksioneve. Gjithçka bëhet për të eleminuar kundërshtarët dhe forcuar qeverisjen e Ramës dhe “Rilindjes” së korruptuar.

© Gëzim Zilja