Fitoi Shteti - Nga Xhafer Shatri
- Nga: Xhafer Shatri

Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë për shumëçka ishin dramatike.
Së pari, sepse u mbajtën pas një ngërçi të gjatë e rraskapitës;
Së dyti, sepse bota, dhe Kosova me të, është në një udhëkryq gjeopolitik që do të përcaktojë kahet e globit edhe në shekullin që vjen;
Së treti, sepse Kosova vazhdon të jetë, praktikisht në gjendje lufte me Serbinë. Dhe ky fakt ia imponon Shtetit tonë domosdonë e një udheqjeje me mandat të plotë vendimmarrës, pa nevojën e kompromiseve ndërpartiake, të cilat do të dobësonin pozitën tonë në përballje me Beogradin.
Këto zgjedhje konfirmuan edhe njëherë Albin Kurtin si lider të padiskutueshëm të Kosovës. Fjalimi i tij, pas leximit të rezultatave që konfirmonin fitoren e thellë, në vend të euforisë kishte realizëm politik, respekt për opozitën e gatishmëri për bashkëpunim me të dhe vendosmëri prej burri shteti që marrëdhëniet me Shqipërinë me qenë në nivel të nevojave dhe përgjegjësisë historike të kombit shqiptar…
Kjo është një dëshmi tjetër se kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të mundë dhe do të dijë të përballet me sfidat e shumta që i presin shqiptarët në vitet që vijnë.
Motoja e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje “Mos lësho pe!”, ishte si pyetje referendumi që pasqyron vetëdijësimin dhe vendosmërinë e shqiptarëve të Kosovës për të mos lejuar, në asnjë mënyrë, që Serbia të luajë ose të tallet me Kosovën.
Qytetarët e kanë lexuar drejt një fakt historik: Se Albin Kurti, i bëri një shërbim të madh Kosovës kur ia shpartalloi Serbisë projektin për ta mbajtur Kosovën peng duke imponuar që Veriu i saj jetë në gjendje konflikti të ngrirë.
Përgatitja dhe investimet serioze për mbrojtjen e vendit dëshmuan se koncepti albinian për të qenë të përgatitur me e mbrojtë vendin tonë me çdo kusht, është jetik për të ardhmen tonë.
Meritë tjetër historike e Albin Kurtit, është gjithashtu se nuk ka më vjedhje votash.
Katër orë pas mbylljes së kutive të votimit u shpall rezultati, i cili praktikisht u pranua nga opozita. Kështu ndodh vetëm në vende normale si Zvicra.
Kjo është fitore e madhe për të gjithë shqiptarët.
Urime Kosovë!
Urime shqiptare e shqiptarë, kudo që jeni!
© Xhafer Shatri












