Sociologjia e protestës
- Nga: Lekë SOKOLI
Më vjen për shtat që ta filloj këtë trajtesë, mbi protestën si institucion demokratik, me një ‘eksperiment’, autori i të cilit zbuloi shpirtin shqiptar të (mos)protestës qytetare. Ky ‘eksperiment’ lidhet me emrin e të famshmit Harry Fultz” (Harri Fulc), profesor i shkencave teknike të Universitetit të Çikagos, i thirrur për të drejtuar Shkollës Teknike të Tiranës (viti 1922). Fulc ishte njeri i gjallë, entuziast, që shquhej për thellësi gjykimi, me iniciativë, me shpirt krijues, me shumë personalitet. Ishte sa teknicien, aq edhe psikolog dhe mësues/pedagog.
Në Politeknikumin e mirënjohur të Tiranës Fulc nisi të ‘eksperimentonte’ në një mënyrë krejt origjinale. Në një ndër këto ‘eksperimente’ testoi shpirtin shqiptar të (mos)protestës. Ishte zakon që menuja për shtatë ditë të shpallej që në fillim të javës, me asortimentet dhe gramaturën përkatëse. Por ai filloi të hiqte çdo ditë diçka nga racioni i tyre i ushqimit. Priti reagimet, por hiç (!) Ai vijoi të zvogëlonte racionin derisa, po vetë, filloi të bërtiste: “Pse nuk protestoni, unë kam cenuar të drejtën tuaj !”. Dhe bëri një përgjithësim, sipas të cilit ne (shqiptarët) vështirë se do të ndërtonim ndonjëherë një demokraci të vërtetë. Sepse demokraci pa protestë (pa shpirt proteste), nuk mund të ketë.
Këtë ndodhi (sociologjike) të Fulcit të viteve ’1920-të, lidhur me (mos)protestën, ma kanë rrëfyer mësuesit e vjetër të Politeknikumit të Tiranës, kur unë isha nxënës i kësaj shkolle të famshme. Pra protesta dhe demokracia. Ky është binomi i parë që rezulton nga eksperimenti sociologjik i (josociologut) Harri Fulc.
Në sistemet demokratike protesta qytetare është një institucion, një mjet, një rregullator i vetë sistemit. Ajo është e tillë kur bëhet, madje edhe kur nuk bëhet, pra kur nënkuptohet. Sepse ata që administrojnë punët publike (ata që qeverisin), i bëjnë gjërat në një mënyrë dhe jo në një tjetër, bazuar edhe në reagimin publik, në protestën e mundshme.
Dhe protesta, e marrë sociologjikisht, domethënë si institucion, ka disa parametra. Këto kanë të bëjnë me legjitimitetin dhe mënyrën e ushtrimit; me interesat që synon të mbrojë, apo të përmbushë; me përputhshmërinë apo, në të kundërt, me mospërputhshmërinë e interesave të individëve pjesëmarrës në protestë (një për një), me tërësinë e protestuesve si grup; me shkallët e ashpërsisë, parullat kryesore, sikurse me elementë të tjerë që lidhen me sjelljen e individit në protestë, kundrejt sjelljes së individit jashtë saj etj., etj.
Duhet thënë se, nga Fulci e këtej, me shqiptarët (e në kurrizin tonë), është eksperimentuar jo pak. Nga periudha komuniste, për shëmbull, ka vetëm një “model” proteste: ajo e Postribës, e vitit 1946. Dhe për shumë dekada individi shqiptar u bombardua me propagandaën e tipit “ja si u shtyp protesta antikomuniste e vitit 1946”. Bashkë me të u shtyp edhe qytetari i lirë shqiptar i asaj periudhe, për t’i lënë vendin njeriut të rreshtit.
Protestat e studentëve të dhjetorit ’1990-të janë modeli më i mirë i protestave, ndër modelet që njohim deri sot. Ato shquhen për nga qartësia e synimeve dhe mënyrat e protestimit. Veçojmë sidomos parullat, gjithnjë aktuale, “Liri-demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Por, më pas, protestat nuk arritën ta reformonin sistemin, nuk arritën të ndikonin, në mënyrë përcaktuese, në rrjedhën e proceseve demokratike. Dhe mosreformimi i hap rrugë revolucionit, siç ishte ai i 1997-ës, për shembull. Për disa ishte një “revolucion demokratik i vonuar”. Për të tjerë një “kundërrevolucion në revolucion” etj.
Më pas kemi njëfarë zgjerimi të hapësirave të lirisë, zgjerim të sferës publike, të mediave, shoqërisë civile etj., si dhe lindjen e formave të reja të organizimit qytetar. Protestat e disa organizatave të shoqërisë civile, të ekologjistëve, ish-të përndjekurve, minatorëve, naftëtarëve, ish-ushtarakëve, ish-pronarëve etj., përbëjnë zanafillën e institucionalizimit të protestës civile, si instrument demokratik, i lidhur me interesat konkrete të qytetarëve.
Protestat vijojnë, por...
Themelore është të theksojmë se në një protestë qytetare individi ruan identitetin e vet. Bashkë më të edhe interesat e tij. Ai nuk bëhet pjesë e një “turme psikologjike”, siç jemi mësuar t’i shohim ato aq shpesh, edhe këtej nga anët tona. Pra, ka rëndësi të shpjegohet ndryshimi thelbësor midis turmës që proteston dhe një proteste qytetare. Në turmë ndodh njëfarë sugjestionimi, një gjendje në të cilën individi humb personalitetin e vetëdijshëm, u bindet sugjestoneve të liderit (personit veprues) dhe humbet “vetveten reale”. Individi në turmë është i prirë të bëjë gjëra që janë edhe të kundërta me karakterin, zakonet apo interesat e tij. Individi në turmë, krejt ndryshe nga ç’ndodh në një protestë qytetare, pëson njëfarë magjepsjeje, njëfarë hipnoze. Personaliteti i vetëdijshëm thuajse zhduket, sikurse edhe vullneti dhe aftësia për të arsyetuar. Ai kalon (priret të kalojë) në gjendje të një eksitimi të skajshëm, të shndërrohet në një ‘automat” që, në mjaft raste, nuk është në gjendje të komandojë më as vetveten.
Në turmë nuk ka vetëpërmbajtje, apo vetëdisiplinim. Sipas Frojdit, njeriu në turmën psikologjike zbret shumë shkallë në shkallaren e qytetërimit, bëhet si një qenie instiktive, priret deri për veprime barbare. Në turmën psikologjike, krejt ndryshe nga ç’ndodh në një protestë qytetare, thuajse asgjë nuk është e paramenduar. Arsyeje dhe fjalët zëvendësohen me disa “formula lufte”, siç jemi mësuar t’i dëgjojmë nga tribuna mitingjesh, madje edhe nga podiumet e institucioneve të shtetit.
E rëndësishme është të theksohet se interesi vetjak nuk mund të jetë motiv i fuqishëm për turmat, sikurse është motiv i një proteste qytetare. Pronarët shqiptarë, për shembull, mund të kenë marrë pjesë edhe më parë në veprimtari të organizuara, por ndoshta më shumë si mitingashë, gjithsesi jo si qytetarë me interesa të dhëna për kthimin e pronave. Turmat heterogjene, krejt ndryshe nga qytetarët në protestë, nuk kanë përfaqësuar thuajse kurrë grupe interesi, në kuptimin ekzakt të fjalës.
Pra protestë qytetare, apo turma pa identitet? Kjo është çështja. Le të kultivojë në shoqërinë shqiptare një dimension disi të munguar të saj: shpirtin e protestës qytetare. Pra “qytetare” e jo ndryshe....











