Shteti i lashtë shqiptar!
- Nga: Artan Fuga
Më 28 nëntor ne përulemi përpara veprës të Ismail Qemalit, dhe të gjithë përpjekjeve që rilindën shtetin shqiptar të pavarur nga Osmanët dhe që deshi të merrte një formë moderne.
Por, nuk duhet të harrojmë gjenezën e vërtetë të shtetit të arbrit që është në 28 nëntor 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin në kështjellën e Krujës!
Jam i bindur se ishte një shtet kombëtar! Mund të vërtetohet!
Kush mendon se ndërgjegjja kombëtare nuk ishte zgjuar ndër elitat shqiptare të shekullit të 15-të, njësoj sikur kishte nisur të lindte e dobët gjithandej në Europë, nuk e njeh mirë historinë e kulturës europiane dhe arbërore.
Ngaqë prej shekujsh humbi disi, mendojnë se nuk ekzistonte më parë. Sikurse arkeologu zbulon qytete dhe qytetërime poshtë shtresave të tokës. Gërmon për të gjetur qytetërime të zhdukura por që kanë qenë.
Po, shteti i Skënderbeut ishte kombëtar nga ndjenja, frymëzimi, shtrirja, aleancat dhe ndërgjegjja e vetvetes. Ashtu e njihinin edhe fuqi të rëndësishme europiane të kohës. Gjergji si sundimtar i Arbrit.
Ai shtet nuk jetoi vetëm disa muaj ose nuk kishte shtrirje vetëm Vlorë–Berat Elbasan por shumë më gjerë, Jug e Veri.
Ai mbijetoi për më shumë se dy dekada dhe mbeti në kujtesën e shqiptarëve anembanë Shqipërisë dhe përtej si ideja shtetërore shqiptare.
Fakti se Osmanët e shtypën nuk do të thotë fare asgjë. Ai jetoi në ndêrgjegjen politike arbërore. Kush nuk e di në filozofinë politike që shteti është fillimisht ide pastaj realitet!!! Nëse ndonjë budalla nuk e di le t’i hedhi një sy veprës të Hegelit mbi fenomenologjinë e shpirtit! Po e lexoi dot!
Shteti shqiptar është i lashtë prej më shumë se 500 vjetësh. Nuk ka lindur para një shekulli, ndonëse ngritja e flamurit në Vlorë pati një rëndësi të jashtëzakonshme për ta rilindur atë në momente shumë kritike idenë e shtetit shqiptar.
Por vetë ideja dhe realiteti i shtetit arbëror janë qindra vite më parë.
Por politikanët e kohëve të ndryshme vlerësojnë veprën e tyre dhe harrojnë historinë. Mbivlerësuan shtetin e 1912 dhe lanë shtetin e Gjergjit. Sikurse komunistët vlerësuan 29 nëntorin duke zbehur 28 nëntorin 1912.
Për priftin e fshatit, peshkopi i krahinës është më i madh sesa Papa, kurse për Kryepeshkopin, Papa është më i rëndësishëm sesa vetë Jezusi.
Ky është fati i njerëzve të medhenj. Edhe i vetë politikanit të madh Ismail Qemali.
Babai i shtetit shqiptar në shekullin e 20-të. Por, jo themeluesi i idesë shtetërore arbërore, i asaj ka qenë Gjergji i Madh.
Përse na paraqisni para botës sikur jemi me kujtesë shtetërore të shkurtër?
Kujt i ka interesuar ta fshehi këtë, kjo përtej miopisë sonë egoiste?
Kujtoja se aktivitetet shkencore për Skënderbeun do të sillnin një dritë të re metafizike duke pohuar të vërteta të mëdha të lëna poshtë nga dogmat ideologjike staliniste, por në vend të tyre dëgjova një referat të një studiueseje kineze për romanin Kështjella, roman i bukur në fakt, por që është letërsi dhe jo histori.
Sa shumë përtypim dogma dhe hiqemi sikur janë të vërtetat e fundit shkencore të historisë. Të stërthëna prej dekadash të tëra.
Pse kështu?
Përulem para Ismail Qemalit, babai i shtetit shqiptar në shekullin e 20-të!
Shoh te shteti i arbrit i shekullit të 15-të kur lindi ideja dhe realiteti i shtetit kombëtar shqiptar!











