Kumari- çështje fati apo belá e madhe?
- Nga: JETA DEDJA
Kudo në botë ka salla lojrash fati, me makineta apo tavolina pokeri që grishin dëshirën e burrave e grave për të provuar fatin. Nuk është keq të hedhësh zaret ndonjëherë, është argëtuese madje, por ka disa raste kur tundimi prej tyre bëhet i parezistueshëm çdo ditë të jetës apo çdo fundjavë. Në Shqipëri janë mjaft popullore sidomos llotot e sportit. Po ti shohësh ambientet e tyre janë kafene-lloto, dhe klientët nuk janë të pakët. Është e vërtetë që janë sportdashës, por ama janë edhe ndjekës të rregullt të fatit. Ka të tjerë që luajnë nga kompjuteri, rehat–rehat nga shtëpia. Janë të shumta sitet që e ofrojnë këtë. Edhe paratë gjithashtu mund të qarkullojnë përmes llogarive lehtësisht. Madje kjo është forma, e cila mund të të dalë pak nga kontrolli, pasi kur nuk e sheh humbjen e parave me sy, nuk të duket sikur i ke humbur vërtet. E njëjta gjë ndodh edhe kur fitojnë. Këta janë sistematikë, përllogaritës të zotë, fitojnë natyrisht, por gjithashtu edhe humbasin. Ky është bixhozi! Ka të tjerë që e shijojnë në kolektiv këtë lloj pasioni. Mezi presin ditën për të çliruar stresin e akumuluar nga puna, apo nga marrëdhëniet e ndryshme. Të mbledhurit me anëtarët e grupit për të ndarë të njëjtin pasion u shijon shumë përgjatë ditës apo natës kur luajnë. Ndodh që të nesërmen edhe të mërziten apo të vetëfajësohen. Por e kalojnë. Fundjavën tjetër i premtojnë vetes që do të përmbahen. Ka të tjerë që kazinoja u gjendet afër punës apo shtëpisë ku banojnë dhe u bëhet padashje si streha e tyre e dytë.
Po të pyesnim ndonjë psikolog se nga e ka zanafillën përfshirja në kumar, me siguri që do të thoshte tek e pandërgjegjshmja, ose përvojat e fëmijërisë, ose konfliktet e pazgjidhura me prindërit ose autoritetet apo narcizismi. Psikoanalistët mund të sugjeronin se kumarxhinjtë janë mazokistë, të cilët në mënyrë të pandërgjegjshme duan të ndëshkojnë veten për të lehtësuar ndjenjat e fajit. Një tjetër mund ta lidhte me përvojat traumatike gjatë jetës. Bla-bla-bla—mund të thotë dikush që luan në lojëra fati në këto momente që lexon. Ndoshta mund të jenë ata që luajnë vetëm sepse luan dhe shefi i tyre. Eh po, ndodh të detyrohen ti bëjnë shoqëri bosit të kompanisë, dhe pas ca kohësh e kuptojnë se kanë ngecur rëndë në kurth. Ndërkohë psikologët vazhdojnë me të tyren duke shtuar se njerëzit luajnë për të shmangur emocionet e padëshiruara ose të dhimbshme, si trishtimin, fajin, turpin, zemërimin, poshtërimin, dështimin dhe frustracionin. Të luajturit kumar u siguron atyre iluzionin e kontrollit në situata dhe mjedise të pakontrollueshme. Disa do thoshin se e kanë si formë stimulimi, ku në mënyrë të vetëdijshme ose jo, kërkojnë një stil jete aventurieri e riskues. Edhe pse mund të jenë familjarë, këta brenda vetes nuk ndihen si të martuar dhe kur luajnë u duket sikur janë ende në fazën e rinisë së tyre, pa përgjegjësira. Nuk ka lidhje me gratë e tyre kjo gjë. Ato mund të jenë më të mirat në botë. Janë ata që ndihen si të mbyllur në kafaz nga marrëdhëniet në çift, detyrimet, prindërimi etj. Ata mund të gjejnë tek loja një zonë shpëtimi, tek e cila strehohen për t’iu larguar stresit, presioneve dhe kërkesave të jetës. Ndonjëherë mund të mendojnë se kumari do ti ndihmojë për të kapërcyer një shkallë ekonomike. Ndodh që i ka ndihmuar. Më inteligjentët kanë shpëtuar dhe nuk kanë luajtur më. E kanë arritur fitoren dhe kanë shijuar paratë. Por ata që kanë patur varësi, zor se kanë shpëtuar. I kanë lënë sërish fitoret në kazino. Pas kësaj natyrisht që mund ti kenë lënë edhe bashkëshortet.
Ka të tjerë që luajnë për të ndjekur humbjet-të ndjekësh humbjet e shkuara është rezultat i përjetimeve të fitoreve të hershme. Pasi ka fituar një shumë parash, kumarxhiu ka deluzionin e fituesit të madh. Ai mendon se pas kësaj fitoreje jeta e tij do të marrë një tjetër rrjedhë, faturat do të paguhen dhe gjithçka do të kthehet në normalitet, ai s’do të ketë më nevojë të luajë për të fituar.
Disa kumarxhinj nuk ndihen rehat me suksesin që kanë arritur. Nuk u besohet se gjithë pasurinë që kanë ngritur e kanë merituar dhe si rrjedhojë shfaqin sjellje vetëshkatërruese, për të vetë-sabotuar suksesin e tyre. Këta mund të jenë të zhgënjyerit nga lavdia. Kanë arritur majat, i kanë provuar të gjitha dhe më pas gjithçka u duket pa vlerë. Shohin falsitetin e njerëzve që u rrinë pranë, kuptojnë interesat e tyre të fshehura dhe çfarë bëjnë? Tallen me gjithçka, me paratë e tyre duke vënë në lojë shuma marramendëse si dhe me njerëzit përreth që shqyejnë gojë e sy nga emocioni që i kaplon.
Dikush do thotë, është jeta e tyre të bëjnë çfarë të duan. Në fakt është e vërtetë, por në momentin që këta persona krijojnë varësi nga kumari, atëherë problemi nuk është vetëm i tyri, zgjerohet rrethi i personave që preken nga problemi. Aty janë familjarët, shokët, pronarët e bizneseve ku luan personi, kolegët. Sepse kumarxhiu u ka marrë borxh para, i ka gënjyer, është zënë me ta, ka lënë punën, nuk ka zhvilluar përgjegjësi, ka thyer ligjin, nuk ka ndjerë keqardhje për lëndimet e shkaktuara. Prej gjithë këtyre sjelljeve janë të pritshme dhe pasojat për vetë kumarxhiuan dhe të tjerët që kanë bërë pjesë në jetën e tij. Fatura është shumë e lartë, dhe nuk flitet vetëm për atë ekonomike. Dhe kështu, hedhja e zareve që duhej të ishte vetëm një çështje fati, kthehet në një belá të madhe!
©FlasShqip.ca Të gjitha të drejtat të rezervuara











