Prangat ekonomike në duart tona e kanë çelësin në Morinë
- Nga: Ardian Muhaj
Përveç “demarkacionit” të vogël mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe “korrigjimit” të madh mes Kosoves dhe Serbisë, ekziston edhe një demarkacion i madh dhe ekonomikisht rrënues mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nyja gordiane e atij demarkacioni shqiptaro-shqiptar është jo në qafën e Çakorrit, as në urën e Ibrit, por bash në doganën e Morinës.
Demarkacioni i gabuar me Malin e Zi është një nga pasojat e demarkacionit që i ndan dhe i pengon shqiptarët drejt të ardhmes. Shkaku i demarkacionit të gabuar me Malin e Zi, i “Zajednicës” që na kërcënon me ndarje e luftë, i varrezave greke që janë vendosur në pikat strategjike të atij që grekët e quajnë Vorio Epir e që gjeografikisht qëndron në veri të asaj të cilës do na ndalohet së shpejti t’i themi Çamëri; i turravrapit për të mbyllur marrëveveshjen e detit Greqisë, por edhe shkaku i brishtësisë sonë gjeopolitike; rrënja e mjerimit e prapambetjes sonë ekonomike; i zhvlerësimit të rëndësisë sonë në peshoren e gjeopolitikës dhe gjeoekonomisë, qëndron pikërisht aty, në vijën e “apartejdit” tonë të brendshëm, në Morinë.
Nga Morina shtrihet kufiri që na ndan si shqiptarë dhe që njëkohësisht ndan më dysh zonat e influencës ekonomike mes fqinjëve tanë jugorë e atyre veriorë. Morina është “kazinoja” ku luhet fati i shqiptarëve, ku ndahet mjerimi e prapambetja jonë me forcimin e përparimin e fqinjëve. Dogana e Morinës është vrima e zezë përmes të cilës materia ekonomike shqiptare, djersa e derdhur nga rinia shqiptare udhëve të Europës, kanalizohet si fitim drejt fqinjëve që kanë në dorë makroekonominë e shqiptarëve. Ne kemi vetëm mikron, sepse pa mikroekonominë tonë nuk përparon makroekonomia e fqinjëve. Në veri të Morinës fillon makroekonomia serbe, aty është kufiri jugor i zonës ekskluzive ekonomike të Serbisë. Ajo pikë kufitare shërben si kufi mbrojtës për eksportet e Serbisë në Kosovë, që arrijnë mbi 500 milionë euro në vit ose sa gjysma e buxhetit vjetor të shtetit të Shqipërisë. Aty fillon edhe kufiri verior i zonës së ndikimit ekonomik grek, ekonomisë që ka interesat kryesore në Shqipëri. Aty është pika ku fillojnë çmimet europiane në ekonominë afrikane. Aty është vija e ylberit ku nafta shqiptare e prodhuar në Shqipëri, bëhet për një hap, 30 cent, 400 lek ose 25 përqind ma e shtrenjtë se sa në Kosovë ku nuk prodhohet asnjë litër.
Aty është diga e moskomunikimit mes dy pjesëve të ndara të të njëjtit popull. Aty është pika ku ndahen qëndrimet mes atyre shqiptarëve që shajnë turkun sa herë i rreh serbi, dhe atyre që merren akoma me dovletin ndërkohë që Greku po na merr detin. Aty është pika ku pohimi se duam të jemi një komb, bëhet hipokrizi vetëmashtruese. Aty është shkaku pse libri i Kosovës nuk gjendet në libraritë e Shqipërisë, nuk lejohet të vijë as edhe duke paguar doganë, ndërkohë që po na mbysin për së gjalli pulat braziliane, mielli serb, pijet maqedonase e rrobat kineze. Aty është thana ku ëndrra për president të përbashkët përsëritet edhe nga e ëma e Zeqos.
Prandaj demarkacionin, Zajednicën, varrezat greke, dhënien e detit madje edhe vetë copëtimin kombëtar e ndarjen e popullit shqiptar i kemi pranuar me plebishit sa herë kemi votuar ata që na kanë varfëruar deri në këtë shkallë sa të detyrohemi të zgjedhim mes shitjes së tokës dhe vizave, mes faljes së detit dhe notës kaluese për njërin prej qindra provimeve që do na duhen të kalojmë për të hyrë në BE.
Prangat ekonomike në duart tona e kanë çelësin bash në Morinë, por neve na duken aq të bukura sa që i shtrëngojmë fort që të mos zgjidhen. Bash në Morinë dhe në atë vijë kufitare që na copëton dhe e forcojmë me aq zell përditë, populli shqiptar përulet më dysh përpara madhështisë së vockël të fqinjëve të tejngopur me toka shqiptare. Aty vërtetohet edhe gjeopolitikisht thënia se oreksi i shteteve ashtu sikurse ai i njerëzve vjen duke ngrënë. Aty del cullak paarsyeja jonë që na ka mbajtur me besimin se po u dhamë nuk do të marrin. Ai kufi i demarkuar nga të tjerët dhe i shenjtëruar prej nesh, e bën të duket vocërrak demarkacionin me Malin e Zi që i merr Kosovës plot 8 mijë hektarë tokë. Ai kufi i demarkuar nga të huajt dhe i dashuruar nga ne, që na ndan mëdysh, ia heq Kosovës jo 80 km katrorë por dhjetra fish më shumë, plot 28 mijë e 748 km katrorë. Po ai kufi nga ana tjetër, ia heq Shqipërisë jo 12 milje det, por plot 10 mijë km katrorë.
Kufiri ynë, i apartejdit tonë, nxjerr në pah më shumë se asgjë problemin themelor që ka shtresa intelektuale shqiptare. Të vjetrit jetojnë në të kaluarën, kurse të rinjtë, janë thjesht përkthyes ideologjish, pra jetojnë në të huajën. Kjo shtresë intelektuale shqiptare është thellësisht e infektuar me nacionalizëm. Aty shihet se nacionalizmi që ka kapluar shtresën tonë intelektuale për habi nuk është nacionalizëm shqiptar, por është nacionalizëm i huaj. Pikërisht për këtë bëhet e qartë se nacionalizmi joshqiptar ndër shqiptarë është sëmundja e shekullit për shqiptarët e kërcënim për paqen e krejt rajonit. Aty qëndron arsyeja pse shqiptarët jashtë atdheut janë po aq ose më shumë të suksesshëm se sa të tjerët dhe pse shqiptarët në atdhe janë të paaftë në krahasim edhe me fqinjët. Fajin nuk e ka atdheu, por lavatriçja gjigande që shqiptarët në atdhe i trushpëlan, i bën inferiorë duke ua paraqitur të mirën si të keqe e vesin si virtyt, nacionalizmin e huaj si kozmopolitizëm.
Në Morinë zgërlaqemi politikisht, zbërthehen filozofikisht edhe më të përflaktit shqiptarë. Aty nacionalisti shqiptar i Kosovës e ndal hovin dhe e zbut tonin. Aty vëllai ideologjik, apo i biri i vëllait ideologjik, bëhet shenjt që nuk bën të kritikohet edhe nëse i ka vrarë e masakruar shqiptarët, edhe nëse e ka mjeruar popullin, edhe nëse e ka falimentuar shtetin e izoluar vendin, edhe nëse e ka vjedhur deri në palcë e kanabizuar deri në majë atdheun. Aty partia dhe ideologjia merr vlerë mbi popullin, mbi kombin e mbi gjithçka. Edhe nëse ia shton edhe një tra më shumë kufirit që na ndan e na dhunon përditë, edhe nëse ia vendos edhe një taksë sa qimet e kokës shqiptarëve që do kalojnë në rrugën e Kombit të coptuar, ai nuk bën kurrsesi jo vetëm të kritikohet, por madje edhe duhet të mbrohet pa argumente. Është vëllai i shenjtë, vëllai ose biri i vëllait ideologjik. Ideologjia aty trimufon mbi shqiptarin e shqiptarinë.
Në Morinë, bash aty fiken dritat e kombëtarizmit edhe nga ata që nisen nga Mitrovica për të shpaluar flamurin kombëtar në Vlorë, ashtu edhe nga ata që shkojnë nga Tirana për të naltuar flamurin kombëtar mbi flamurin shtetëror në Prishtinë. Në Morinë të gjithë bëjmë sikur nuk shohim, sikur nuk dimë. Për Morinën, si kërthiza e apartejdit tonë, të gjithë heshtim.











