Qeveria e Ramës ose ‘u mbars mali e polli një mi’
Pasi “agjëroi” 29 ditë, Edi Rama çeli në të tridhjetën. Ndryshoi thuajse gjithë qeverinë duke dhënë si arsye “që kanë mbushur 5 vite”.
E vërteta është që disa prej atyre që ikën e kishin mbushur kupën e zullumit me akte korruptive dhe me një distancim të pashoq nga vlerat e së majtës.
Por ata në fakt janë nisur nga shembulli i vetë shefit të qeverisë, të cilit ka kohë që vetja po i duket një majë e vogël Olimpi dhe të majtët që e kanë ngjitur aty janë bërë tashmë të padukshëm.
Kemi pritur ndryshime rrënjësore, një rifillesë ndryshe, më të konceptuar drejt së majtës, larg arrogancës dhe hajdutërisë epike, më pranë njerëzve.
Por ndryshimet ministrore që bëri Rama i ngjajnë asaj thënies së vjetër, “u mbars mali e polli një mi”.
Njerëzit e zgjedhur mund të kenë karakterin e tyre, por as mosha, as anonimati i tyre ideologjik nuk premtojnë ndryshime të shpejta.
Aq me pak përfaqësojnë të majtën. Nuk kanë asnjë lidhje me të. As nga vlerat e së majtës, as nga vizioni i saj, as nga përfaqësimi politik dhe mendimi i saj shkencor apo teknokrat.
Anila Denaj, e ardhur nga sistemi bankar privat, e vendosur në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një nga institucionet më të akuzuara për korrupsion. Ndoshta merita e vetme është që ajo e pi kafen në të njëjtin vend ku e pi edhe Linda Rama. Gjërat puqen nganjëherë!
Genti Cakaj, një i ri shqiptar nga Kosova, pasi kaloi nga zyra e shefit të qeverisë si këshilltar për emigrimin, tani u befasua që do të jetë ministër, dhe ministër i Jashtëm, por as ai vetë nuk e di se çfarë është e majta në shtetin amë.
Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga Elva Margariti Asllani. Njeriu që u njoh me Ramën përmes një kompanie të bashkëshortit të saj dhe që morën përsipër të gjejnë perdet, kolltukët, abazhurët që donte Rama në zyrë kur hyri në kryeministri. Nga perdet kaloi edhe kjo rendin e këshilltares, u stërvit si koordinatore e një projekti mbi fshatrat dhe tani është ministre.
Shumë nga zgjedhjet e Ramës kalojnë nga histori private të tij: anonimë, për të cilët duhet të hysh në Google për të ditur se cilët janë.
Rama, edhe një herë, ka zgjedhur një qeveri rreth vetes dhe për vete. Nuk ka zgjedhur një ekip për të majtën dhe rreth të majtës. Është një qeveri që sundohet lehtë, por askush nuk e di se sa mirë dhe gjatë mund të qeverisësh me një ekip të tillë.
Si për të vënë një kapak zgjedhjes së tij, Erion Braçe, që, befas, nga luftëtar u bë i heshturi i madh në zgjedhjen e Ridvan Bodes në bordin drejtues të Bankës së Shtetit.
Në qeverinë e re Rama, të riformatuar, do të jenë edhe dy shqiptarë të Kosovës. Ish zëvendësministra që u bënë ministra. Në dy nga dikasteret më të rëndësishme të vendit: në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Genti Cakaj, dhe, në Ministrinë e Arsimit, Besa Shahini.
Është hera e parë në shumë dekada që Shqipëria ka në përbërjen e ekipit të saj qeveritar dy përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës.
Nuk është një gjetje e re. Shumë dekada më parë, në parlamentin e shtetit shqiptar, kishte gjithnjë disa vende të rezervuara për deputetët, si quhej atëherë, të “Përtej Drinit”.
Dy emërimet, në dy nga dikasteret më të rëndësishme, e ndihmojnë Shqipërinë dhe Kosovën për diçka? Apo e gjitha është një nismë që i shërben imazhit të tij personal? Tipare të një burri shteti apo veprime të një populisti të rëndomtë?
Përzgjedhja e dy figurave, njëres prej të cilave nuk i gjendet as jetëshkrimi nuk është e denjë as për vetë Kosovën, që, nëqoftëse duhej domosdo të ishte në trupën qeverisëse, mund të mendohej dhe, sidomos, të përzgjidhej më mirë. Aty ka figura shumë herë më të merituara, me njohje diplomatike, më të afërta me perëndimin, njerëz me vizion perëndimor dhe me shkollim të fuqishëm; në Kosovë ka njerëz me staturë të shkëlqyer në fushën e arsimit dhe të dijeve.
Përse i bëri Edi Rama këto ndryshime të thella? Deri në mesin e dhjetorit nuk u dha asnjë shenjë, megjithë paralajmërimet e shtatorit të tipit Llalla, se do të kishte ndryshime. Edi Rama po flinte i qetë mbi dafinat që i kishte thurur për vete, ashtu si edhe tani mendon se do të bëjë gjumë të rehatshëm.
Lëvizja studentore e tundi. Jo me shuplakën që i pëlqen të citojë, sikur ishte një gjë e vogël, por me uraganin që krijoi, qoftë edhe me paqartësitë e saj. Ajo na tregoi të gjithëve se gjërat duhen lëvizur.
Por, ai bëri, edhe një herë, zgjedhjen e gabuar rrënjësisht dhe me gjasa kjo do të jetë zgjedhja e fundit e tij.
Mandati i tretë i tij tani është më larg se më parë. Faji nuk do të jetë i atyre, që, sipas tij, kërkojnë të mbushin administratën me djemtë e tezeve dhe të hallave, por i perceptimit të qeverisjes si një tepsi dhe i drejtimit si një timon.
Nuk ka vuajtur nga presioni i deputetëve apo i funksionarëve, por nga cinizmi i ekipit qeveritar ndaj tyre.
Socialistët e shquar dikur për tolerancë dhe hapje mendimi ndryshe janë futur sot në një vorbull prepotence dhe arrogance; dalëngadalë elita e tyre qeveritare u bë si një kopje e “shqupasve” në pushtet, lideri i qeverisë po kthehet në një “mumje berishiane” dhe, njerëzit e zakonshëm, nuk kanë nevojë e as mall, as për një “shqupim” të ri dhe as për një “berishizim” të së majtës.
Rrënjët e gabimeve dhe të fajeve në qeverisjen e tashme, dhe, në lëvizjet që u bënë, nuk kanë të bëjnë me aspirimin e së majtës, por me konceptin e një njeriu që hyri në derën e së majtës si lider shpresë, por që, pasi e privatizoi partinë dhe e vuri në heshtje, tani po bën hapat në drejtimin e fajshëm.
Eshtë nisur asaj rruge tash sa kohë dhe nuk e paska ndër mend të kthehet. “Më në fund Rama i vetem fare në timon dhe PS u kthye në kazan. Pas 28 vjetesh perpjekje Sali Berisha me ne fund mund të flejë i qetë.mPS nuk ekziston më”- shkruante mbreme një lexues i Dites.
Por…. Rrugëtimi politik i Edi Ramës është e mundur që në këtë periudhë të godasë disa nga principet e njohura të së majtës. Por do të jetë e pamundur të heqë genin e saj, nervin e shquar politik, tolerant dhe atdhedashës; ai, edhe më tej, mund të bëjë matrapazllëqe politike, ashtu si Berisha, mirëpo fryma nuk shuhet dot.
Në fund të fundit ata, të dy, si edhe një sërë politikanësh të tjerë , me të cilët lidhet mjerimi i njerëzve, nuk janë asgjë më shumë se sa portretet e letrave të bixhozit, kthyer me kokë poshtë nga njëri tjetri, por që duan gjithnjë që njëri prej tyre të jetë në këmbë, do të thotë, në pushtet.
Për fat të keq, kështu ka ndodhur.
Rama e ka mësuar një herë rrugën e mërgimit, të largimit nga vendi i tij kur dëshirat e tij nuk janë puqur me realitetin dhe dyert e politikës ishin të mbyllura për të. Dështimi i tij, sido që të ndodhë, nuk do të jetë dështim i socialistëve.
Dita











