Opinione

Ballkani ende pret momentin e tij si më 1989

Nga: Robert Austin

Edhe pse nuk është më një fuçi baruti, Ballkani ende është një zone krize. Si fillim, hidhuni një sy numrave të papunësisë rinore dhe pamja është e qartë: rajoni është në amulli, i qeverisur kryesisht nga elita inkompetente dhe të korruptuara që kanë zgjedhur gjithmonë fuqinë ndaj reformës. Rezultati është papunësia, keq-qeverisja dhe emigrimi jashtë sidomos i të rinjve që kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër. Çdo vend i Ballkanit angazhohet në një luftë kundër korrupsionit, por e vetmja gjë që mbijeton është vetë korrupsioni.

Gjashtë vende në rajon po rivalizojnë për anëtarësimin në Bashkimin Europian: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Të gjitha kërkojnë me dëshpërim që të hyjnë sepse BE-ja premton shpresën e vetme për mirëqenie dhe stabilitet. Problemi është se, pavarësisht popullsive vendosmërisht pro-BE-së, elitat qeverisëse duhet që ende të tregojnë veten se janë në lartësinë e duhur për punën me kërkesa për integrimin europian. Pavarësisht premtimit të BE-së se çështja e anëtarësimit nuk vihet në diskutim nëse do të kryhet por kur do të kryhet, vetëm Mali i Zi ka një shteg të qartë. Për pjesën tjetër, anëtarësimi në një BE tashmë të hutuar e që mund të luajë rolin e katalizatorit të ndryshimit, duket shumë larg. BE-ja ka vendosur që t’i japë përparësi stabilizimit ndaj demokracisë, gjë që lejon disa nga njerëzit më të këqinj të qendrojnë ende në fuqi. Toleranca për drejtuesit autoritarë, që disa herë janë edhe kriminela, është normale.

Kosova është e pavarur qysh prej vitit 2008, por duke marrë parasysh edhe këtë fakt, ka tepër pak arritje. Deri tani ka qenë vendi më i trazuar në rajon edhe pse ka disa pika të lavdërueshme në qeverisjen lokale. Ka përballë sfidën e përhershme të vendosjes së ligjit e duhet të bëjë më shumë në përndjekjen e kriminelëve të luftës. Çështjet madhore si normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe sigurimi i udhëtimit pa viza ne vendet e BE-së janë thjesht shumë të vështira për t’u kryer nga elita e vendit. Për të kuptuar më mirë se sa utopike mund të jenë këto synime, shumë kosovarë votojnë me këmbët e tyre – vetëm në vitin 2015, 100.000 banorë lanë trojet e tyre.

Zgjedhjet ofrojnë pak a shumë të njejtët kandidatë, disa prej të cilëve janë akuzuar për korrupsion ose abuzim të postit. E veçanta është Lëvizja Vetëvendosje, e cila vitin e kaluar hodhi gaz lotsjellës brenda parlamentit. Ajo ofron zgjidhje radikale, ka energjizuar rininë dhe promovon bashkimin me Shqipërinë fqinje. Bashkimi i shqiptarëve në Ballkan, që nuk është aspak me përparësi për qytetarët e zakonshëm të cilët janë të aftë të kuptojnë se kjo nuk do të zgjidhë problemet e tyre reale, është vija politike e disa drejtuesve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ky është vetëm një variacion i asaj që ballkanasit përsërisin prej 25 vjetësh: “Na bëni europianë, përndryshe do ju krijojmë probleme.”

Edhe në Shqipëri punët nuk shkojnë më mirë. Tranzicioni i asnjë vendi tjetër nuk është aq i tensionuar sa ai i Shqipërisë. Kam keqardhje për shqiptarin që ka qenë i detyruar të shohë krizën e njejtë politike që luhet e riluhet këto 25 vjetët e fundit. Drama luhet aq mirë sa gjithkush mund mendojë se jemi në teatër. Pavarësisht homogjenitetit etnik, BE-ja ndërhyn vazhdimisht për ndërmjetësimin midis dy partive politike kryesore, Demokratëve dhe Socialistëve.

Kryeministri Rama luajti edhe ai kartën e mbarëbashkimit kur dështoi disa here për integrimin europian. Shqipëria ka zënë një vend nderi në Europë si furnizuesi më i madh i kanabisit. Impakti i parave të drogës ndihet kudo. Vëzhguesit kanë përmendur prej kohësh ndërlidhjet e parlamentarëve shqiptarë me krimin e organizuar.

Në Serbi, presidenti Alaksandar Vuçiç ka ndryshuar disa herë pozicionin gjatë karrierës së tij prandaj është e vështirë të thuash se ku do ta çojë vendin e tij. Si vendi më i madh dhe më i pasur në Ballkan, demokratizimi i vërtetë i Serbisë është kyç për transformimin rajonal. Zoti Vuçiç ka premtuar që ta mbajë Serbinë larg NATO-s e se do të vazhdojë marrdhëniet e mira me Rusinë. Vëzhguesit theksojnë se ashtu si për udhëheqësit e tjerë në Ballkan, edhe tendencat e tij autoritare do të injorohen.

Bosnia është në vendnumëro me një strukturë qeveritare alla amerikançe që e bën integrimin Europian gati të pamundur pasi tre grupet etnike kryesore (myslimanët boshnjakë, kroatët dhe serbët) nuk bien aspak në një mendje për fatet e vendit. Lidershipi serb refuzon Bosnjen si shtet federal dhe komuniteti ndërkombëtar duket sikur nuk ka më dëshirë të imponojë një zgjidhje ashtu siç veproi në vitin 1995 kur mbaroi lufta. Disa thonë që ka ardhur koha të ripërcaktohen kufijtë.

Maqedonia vetëm vonë ka dalë nga kriza politike. Pas shumë vitesh nën drejtimin njëpartiak, qeveria u rrëzua prej akuzave të korrupsionit dhe përgjimit të kundërshtarëve. Qeveria e re përdori angazhimin e zakonshëm që ta çojë Maqedoninë në Europë dhe NATO dhe premtoi tolerance zero ndaj korrupsionit. Poashtu, beteja 25 vjeçare me Greqinë për emrin e saj duket sikur nuk ka fund.

Suksesi i BE-së në vendet e tjera ish komuniste u bazua në nxitjen e elitave të tyre që të luanin sipas rregullave të lojës. Por kjo nuk ka ndodhur ende në Ballkan. Atje edhe presioni nga Brukseli ka qënë më i pakët. Ndërkohë që një BE më e vendosur do të ishte e mirëpritur, ajo do të anashkalonte pikën kryesore: problemet ballkanike janë gjerësisht lokale sepse elitat atje nuk janë mjaft të afta ose preferojnë përfitimet e një sistemi që po pasuron ata dhe klientët e tyre.

Me reforma reale, të gjithë ata do të humbasin fuqinë dhe shumë prej tyre do të përfundojnë në pranga. Momenti i 1989-ës, i cili pa rrëzimin e komunizmit, çoi në shkëputje vendimtare nga e kaluara e shumë vendeve. Kjo nuk ndodhi në Ballkan. Disa vende paten luftë civile, ndërsa të tjerë thjesht ricikluan elitat e tyre dhe hynë në një tranzicion të përhershëm që dëboi jashtë të rinjtë dhe të shkolluarit.

Ballkani po pret ende momentin e tij të 1989-ës. Historia na tregon se BE-ja ka të drejtë për shpresat e pakta. Për më tej, kriza e Greqisë fqinje është marrë si shenjë paralajmërimi për të ardhmen e të gjithë rajonit. Tek e fundit, sistemi politik dhe ekonomik grek nuk ka shumë ndryshim nga ai i pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit: i korruptuar, klientelist dhe aspak modern. Këto perceptime nuk mund të ndryshohen aq lehtë.

Robert Austin jep mësimin e historisë dhe politikës së Europës Qendrore dhe Ballkanit në Munk School of Global Affairs, University of Toronto.

Burimi: The Globe and Mail

Shqipëroi: Roland Lelaj