Opinione

Mësimet që vijnë nga Franca demokratike

Nga: Zef Preçi

Askush nuk mund dhe nuk duhet të gëzohet kur mëson se një qytetar i thjeshtë cilido qoftë ai/ajo, apo një personalitet i njohur ndërkombëtarisht si ish-Presidenti francez Sarkozy, ndalohet apo më keq akoma arrestohet nga policia e vendit të vet. Por ndërkaq, mësimet që nxirren nga ky rast, e që mendoj se vlejnë edhe për "fshatin tonë politiko-mediatik" në të cilin "udhëheqësit" vetëm flasin e flasin dhe monologojnë 24/24 pa respektuar as Kushtetutë dhe as ligjet vendit, janë disa.  

E para, shkeljet e ligjit që lidhen me ndikimet apo blerjet e votuesve (fenomeni përcaktues i rezultatit në të ashtuquajturat zgjedhje në "gubernën" tonë) si pjesë e korrupsionit politik, nuk parashkruhen. Sarkozy është ndaluar dhe me shumë gjasa edhe mund të dënohet penalisht për financime të paligjshme në zgjedhjet e vitit 2007, dmth përpara 11 vjetësh.

E dyta, sado që të monologojnë "udhëheqësit" tanë në pushtet dhe në opozitë, ata nuk mund të fshehin pasurimin e tyre te paligjshëm, përdorimin e pushtetit vetëm për t'u pasuruar vetë dhe “entourage” i tyre i biznesit ne qendër dhe në periferi, e për rrjedhojë edhe ndërtimin e mekanizmit korruptiv që deformon dhe tjetërson vullnetin e qytetarit të shkretë.

Mbrëmë në emisionin “Ilva Tare Tonight”, analisti i njohur politik Afrim Krasniqi deklaroi në ligjeratë të drejtë se mbasi kishte shqyrtuar vetëm 4 deklarata pasurie të "baballarëve të kombit" të depozituara në ILDKP, kishte mësuar se “... njëri kishte 13 milionë Euro dhe tjetri 14 milionë Euro (pasuri të deklaruar-ZP) dhe nuk kishte punuar tërë jetën dhe shkon i kërkon qytetarit nëse ka paguar dritat në periferi. Kërkojuni që të japin burimet e pasurive dhe shihni se si bëhet pastrimi. Këto janë reformat e mëdha.”

Pyetja e natyrshme qe i lind çdo "qytetari mesatar", çdo taksapaguesi dhe zgjedhësi të këtij vendi mbas kësaj është: A do te fillojë hetimet kryesisht Prokuroria e reformuar apo thjesht "ishte loja"?! Kjo është sfida e vërtetë e reformave që do të mundesonin jo vetem penalizimin e shkelësve të ligjit dhe dhunuesve të vullnetit të qytetarëve të të gjitha ngjyrave, por edhe rikthimin në buxhetin e shtetit të qindra miliona Eurove të grabitura nga pasuritë e vendit dhe tenderat me fondet e buxhetit. Në fakt kjo është edhe pritshmëria kryesore e reformës në drejtësi, e cila deri tani duket se tenton thjesht ndërrimin e "kuajve të karrocës" por jo rrugën e saj. Rezultatet janë ende larg dhe besimi publik ndaj kësaj reforme po venitet krahas me deklarimet e "udhëheqësve" se "kemi bërë detyrat e shpisë", thua se ca paragrafë të ngaterruar ligjesh e rregulloresh për sytë e diplomatëve kryesorë të akredituar në Tiranë janë vetë reforma e pretenduar.

E meqë në këto çaste po shoh në TV se po mbahet "Forumi i parë Konsultativ për Antikorrupsionin" nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Koordinatorit Kombëtar për Antikorrupsionin, me mbështetjen e Projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja “Mbështetje në formulimin, bashkërendimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit” dhe Projektit të financuar po nga BE-ja “Studimi Bazë i Matjes: Kontrata e Reformës Sektoriale për luftën kundër korrupsionit”, ndoshta dikush do t'ju bëjë me dije organizatorëve dhe autoriteteve përgjegjëse apo edhe asistencës së huaj që të lenë leksionet boshe dhe retorikën rreth anti-korrupsionit dhe duke falenderuar denocuesit publikë dhe mas-median, të deklarojnë mbështetjen e tyre institucionale për hetimin e rasteve të denoncuara nga politologu Krasniqi si dhe angazhimin e qeverisë e Kuvendit për të mos i kthyer këto institucione në “çadren atomike” të mbrojtjes së korruptuesve të votës, të korruptuarve të dyshuar si pjesë e “entourage” politik e më keq akoma, të uzurpatorëve të ulur dhunshëm në ndenjëset e "altarit të Kombit"- Kuvendit të Shqipërisë. Kjo dhe vetëm kjo rrugë, mbetet kryereforma që do të kthente gradualisht besimin e qytetarëve se ky vend mund dhe do të bëhet dhe se është përgjegjësi e secilit për të kontribuar jo duke ikur pa kthim drejt Europës apo Amerikës, por duke u përballur me abuzuesit e pushtetit të të gjitha qeverive.

Ky është mësimi i madh që na jep Fanca demokratike me ndalimin sot të ish-Presidentit Sarkozy, në prag të marrjes së fteses për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.