Opinione

Pse u përsërit historia? - Nga Ndue Dedaj

Zgjedhje të jashtëzakonshme… të çuditshme… ku pjesëmarrja në votime ishte vetëm 21 për qind e ku në kuti janë gjetur më shumë fletë votimi sesa votues të regjistruar në lista. Me fletë votimi të pavlefshme sa asnjëherë tjetër, ku nuk mungonin dhe shkarravinat dhe shënimet përqeshëse në to. Mbi të gjitha, me 1 për qind më shumë se në monizëm. Atëherë partia në pushtet i fitonte zgjedhjet vetëm 99.99 për qind, kurse kësaj here PS-ja i ka fituar ato 100 për qind, d.m.th. të 61 bashkitë e Republikës. Dhe mos t’i thuash kësaj komunizëm e shkuar komunizmit. Sipas raportit të OSBE/ODIHR-it, elektorati ishte injoruar, nuk kishte kandidatë alternativë, kishte pasur presione ndaj votuesve (çka do të thotë se zgjedhjet nuk i ishin të lira), KQZ-ja nuk kishte qenë gjithnjë transparente etj.. Çfarë duhet më shumë për t’i bërë këto zgjedhje të paqena dhe në aspektin ligjor. Kjo pritej dhe nuk është surprizë. Çfarë të mbjellësh do të korrësh, thotë populli.

Askush nga qytetarët dhe idealistët nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë (a)normale në kalendarin shqiptar të shekullit XXI, 30 qershor 2019, ku do të përsëritej historia pikë për pikë si në regjimin e kaluar diktatorial, edhe pse kemi tre dhjetëvjeçarë në një shoqëri kinse demokratike. Por ka qenë vetëm një iluzion se Shqipëria ka ndryshuar, e vërteta është se ajo ka ndërtuar një demokraci hibride, shartuar me filizat dhe nënshtresat e komunizmit gjysmëshekullor. Dëgjon fraza mashtruese politikanësh e intelektualësh të shoqërisë civile se jemi distancuar nga e djeshmja, por nuk ka pasur një qëndrim të prerë mohues, kategorik, dinjitoz ndaj trashëgimisë komuniste, për shkak se “kufoma” e atij regjimi ende nuk është kallur. Përndryshe, të dielën do të kishte një bojkot kombëtar me devizën: “Pak rëndësi ka se çfarë jemi, socialistë, demokratë apo pa parti, ama refuzojmë të shkojmë në zgjedhje moniste, pa garë, ku rezultati dihet para se të votohet…” Është absurde të dëgjosh sofizma të tipit më mirë votime formale (lexo: farsë), pa alternativë, sesa pa zgjedhje!? A thua se shtyrja e zgjedhjeve, që është bërë disa herë, do të shkaktonte ndonjë tërmet nëntëballësh. Kthimi në pikën zero tregon se nuk kemi ndryshuar, nuk jemi të aftë për ta bërë këtë gjë. Le pastaj të dëgjosh broçkulla si “Fitoi Shqipëria”, a thua se vendi ishte në luftë. Politika po, ajo bën një luftë të vazhdueshme artificiale pa principe, duke e çuar vendin në fërkime e konflikte politike e sociale…

Shkurt, 30 qershori tregoi se historia e djeshme nuk kishte kaluar, ajo vazhdon të jetë dhe e sotme, ngaqë të tillë e do politika, qëndrimi në pushtet, me unin e të gjithëpushtetshmit, i kreut të maxhorancës. Nuk është për t’u habitur që këto zgjedhje nuk u kundërshtuan nga elita politike e qeverisjeve të majta të tridhjetë viteve, nga ishministra, ish-kryeministra, ish-presidentë të së majtës, çka tregon se të majtët dinë t’i shtrëngojnë radhët dhe dhëmbët kur është fjala për të qenë në pushtet të vetët, paçka sa ata pajtohen me shefin aktual të partisë dhe qeverisë së tyre. Edhe njëra nga figurat drejtuese të PD-së deri para dy vitesh gjykonte vetëm rolin e lidershipit të forcës së saj politike, por pa thënë një fjalë se si ishin këto zgjedhje, se ato i kishin “minuar” që pa nisur, përgjimet.

Asgjë tjetër më të mirë nuk mund të prodhonte një elitë politike e lodhur, e përçarë, e përdorur, e korruptuar, hatërmbetur, që nuk ngrihet dot mbi vetveten dhe tranzicionin që e ngjizi.

Historikisht ka pasur ideale dhe interesa, që si rregull duhet të venë në harmoni, mirëpo ka ardhur një kohë që idealet janë “vjetruar” aq shumë sa nuk vlejnë më, kurse interesat janë kthyer qëllim në vetvete për një kategori që kanë zgjedhur pushtetin si “ndërmarrjen” e tyre fitimprurëse, për ta kalëruar atë për gjithë jetën. Partitë në Shqipëri janë lokomotiva që lëvizin andej nga do timonieri, pa dashur t’ia dinë për “vagonët” që tërheqin pas, të cilët iu duhen vetëm për t’i votuar – me këto të fundit nënkuptohen kategoritë e ndryshme sociale, nëpunësit, të punësuarit në shtet, studentët, pensionistët etj.. Për të kuptuar këtë, mjafton të analizosh ditën e votimeve, ku u votua vetëm nga maxhoranca qeveritare dhe administrata publike, kjo e fundit me rrjedhjet e veta. Askush nuk deshi t’ia dinte se ata që nuk votuan para se të ishin anëtarë apo simpatizantë të opozitës, ishin shqiptarë, ishin elektorat, që iu duhej krijuar mundësia reale për të shprehur vullnetin e tyre. Mirëpo, për shumicën në pushtet, edhe ata, njerëzit e thjeshtë, u klasifikuan si kundërshtarë politikë dhe këtu fillon mendësia moniste. Sado të thuhet nga qeveria se aty i kishin kutitë e votimit, le të venin e të votonin! Ku të venin? Të bënin gjasme se po zgjidhnin? Ky është problemi kyç i këtyre zgjedhjeve të dështuara. Duhej gjetur patjetër kompromisi për të përfshirë aktorët opozitarë në zgjedhje. Maxhoranca nuk mund të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Partitë e opozitës kishin marrë vendimin për të mos hyrë në këto zgjedhje, me argumentin se votat iu ishin vjedhur në zgjedhjet e mëparshme dhe kësisoj nuk kishin më besim, pa ndryshuar disa kushte politike. Nuk mund t’u thuash shqiptarëve, pritni një herë t’i vërtetojë drejtësia ato që dëgjuat në përgjime, pa këtu jemi pastaj. Jo, jo, politika në një vend demokratik reagon dhe vepron e para, politikisht, pa pritur drejtësinë, siç është vepruar dhe nga kjo maxhorancë në çështjen “Tahiri”. Janë dy qasje të ndryshme, edhe pse objekti mund të jetë i njëjtë, politika ndëshkon njerëzit e saj të përfshirë në skandalet zgjedhore, kurse drejtësia merret juridikisht me shkelësit e ligjit.

Të gjitha këto që dihen, por etja për pushtet, komandim të bën të mos i përfillësh të vërtetat e hidhura në shtëpinë tënde, duke e kërkuar fajin tek opozita, e cila doemos që ka gabimet e saj, por që i duhen vlerësuar protestat disamujore për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Fakti që përfunduam në këso farë zgjedhjesh – pa zgjedhje tregon kauzën e drejtë të opozitës dhe dështimin e maxhorancës në këtë çështje. Përpjekja për ta pasur pushtetin monopolin tënd ekskluziv është shëmbëllesë e regjimit të kaluar, çka dëshmoi se e djeshmja është ende mes nesh, sado konferenca kundër saj të bëjmë, më shumë për sytë e të huajve. Fundja historia, edhe kur është e iluminuar, nuk ka vlerë për kohët kur ajo nuk është më në “fuqi”, jo më një regjim si ai komunist, që i dihen “veprat” kundër njeriut dhe lirisë së ndërgjegjes.

Ndaj, është thelbësore të kuptohet se historia e afërt u përsërit pikërisht se nuk ishte gjykuar e djeshmja dhe se ajo nuk ishte zeruar politikisht e ligjërisht, për të mos kapur qeverisjen e sotme. Ne vazhdojmë të kemi në drejtimin e vendit, në të gjitha pushtetet, nomenklaturën e djeshme, ku më pak e ku më shumë, që nuk ka bërë kurrfarë katarsisi të së shkuarës. Nuk ka mirëkuptim të politikës zyrtare, por as të elitës pranë saj për ta zhbërë trashëgiminë komuniste, që ajo të mos mundë të rikthehet me veshje firmato, siç po ndodh. Në këtë kuptim, meritojnë vëmendje të gjithë ata zëra intelektualë që këto vite janë përpjekur të dënojnë regjimin e kaluar, me dëshmi dhe prova të krimit.

Nëse historia do të analizohet e gjykohet, kapitulli i saj do të mbyllet dhe ajo nuk do të përsëritet më. Në të kundërt, ndoshta, siç na premtojnë rregullisht politikanët tanë, nuk kemi parë gjë akoma…

Burimi:Panorama.com