Opinione

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe risqet e ekonomisë shqiptare!

Nga: Zef Preçi

Si çdo studiues apo thjesht njeri që merret me të dhënat statistikore të ekonomisë sonë kombëtare, nuk mund të mos gezohem për çfarëdo progresi që kjo ekonomi shënon. E kur flasim për progres, fjala është për hapjen e vendeve të reja të punës, për thithjen e investimeve të vendit dhe të huaja, për rritjen e prodhimit vendas, për rritjen e fuqisë eksportuese të kësaj ekonomie. Pra, shënohet progres kur vendi bëhet me i jetueshëm për shqiptarët që fati i solli në këtë cep të Europës. Meqë doli Deklarata Përmbyllëse e Misionit të parë të Monitorimit pas Programit të FMN, në vijim po komentoj diçka nga ky raport, i bindur se në ditët në vijim, ekonomistë, gazetarë dhe analistë të shumtë do të perpiqen ta “perkthejnë” në shqip këtë dokument.

Së pari, mendoj se duhet vlerësuar konteksti i lëshimit të këtij dokumenti, dmth “Monitorimi i parë pas Programit” si një proces që zhvillohet “… për ato vende anëtare që kanë një nivel të konsiderueshëm kredie të FMN-së ende për t’u shlyer pas përfundimit të programeve dhe ka fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet”. Mendoj se këtu qëndron edhe rëndesia e këtij dokumenti, dmth në paralajmerimin e risqeve që i kanosen ekonomisë shqiptare aktualisht dhe në perspektivën e afërt.

Së dyti, deklarata e FMN-së konfirmon futjen e ekonomisë sonë në një trend rritës mbas krizës ekonomike globale të dekadës së fundit. Sipas kësaj deklarate, rritja ekonomike gjatë vitit 2017 rezulton në një nivel prej 3,9 përqind kundrejt 3,7 në vitin paraardhes. Por megjithë progresin e shënuar, kjo rritje ekonomike nuk mund të arrijë objektivat e pritshme si ato që u permendën më sipër, dmth 2017-ta, në këndvështrimin ekonomik, ishte thuajse krejt e ngjashme me 2016-ën.

Së treti, në listimin e risqeve potenciale të ekonomisë shqiptare deklarata citon borxhin e lartë publik, detyrimet e kushtëzuara dhe kreditë nën standard në sektorin financiar. Keshtu, FMN ofron një të dhënë zyrtare të rëndësishme të borxhit publik në fund të 2017-tës prej 71,2 përqind, duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe lokale prej 1,8 për qind të GDP-së. Dmth konfirmon shqetesimin e para pak diteve mbi borxhin e pushtetit vendor prej 280 milionë dollarësh qysh nga vitit 2015.   

Së katërti, “detyrimet e kushtëzuara” është në të vërtetë termi i butë i deklarates së FMN që i referohet politikës së ndjekur tre-kater vitet e fundit për zgjerimin agresiv të të ashtuquajturave kontrata koncesionare të tipit “partneritet publik privat”. Është kjo arsyeja që FMN jo vetëm thekson nevojën e fuqizimit të proceseve të vlerësimit të riskut në Ministrinë e Financave, por edhe sugjeron pakësimin e vendim-marrjeve të fragmentuara dhe rekomandon eliminimin e propozimeve të pakërkuara, te cilat siç dihet pasqyrojnë mekanizmin formal përmes të cilit lobet e biznesit dhe “oligarkët” po marrin njëri pas tjetrit në duart e tyre shërbime publike të rëndësishme duke mos ju nënshtruar një procesi konkurrues, pa justifikimin e dobisë publike dhe duke “akaparuar” pjesë të rëndesishme të buxhetit të shtetit në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme. 

Së pesti, lidhur me kreditë nën standard në sektorin financiar, deklarata vë në dukje se “sistemi bankar edhe kështu është i rënduar me kredi të mëdha nën standard dhe me vështirësi në ekzekutimin e kolateralit.” Ky trajtim dëshmon se politika e pastrimit formalisht të bilanceve të bankave që është ndjekur vitet e fundit është e pamjaftueshme dhe se ky sistem përmban rreziqe të reja që lidhen me vetë procesin e ristrukturimit të tregut bankar. Keshtu, duke rekomanduar që “autoritetet do të duhej të mbeteshin vigjilentë ndaj risqeve të mundshme të lidhura me ekspozimet e mëdha të shoqërive dhe rritjen në sektorin e ndërtimit”, në fakt FMN shpreh mospajtimin e vet me programin e qeverisë “1 miliarde Euro”.

Siç dihet ky program, që për fatin e keq të ekonomisë sonë kombëtare ka filluar edhe të zbatohet nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, përmban rrezikun jo vetem të futjes në qarkullimin ekonomik të shumave të mëdha të parave kriminale të drogës që qarkullojnë në ekonominë shqiptare (pra legjitimimin e tyre), por edhe shtimin e tyre (përmes kthimit në borxh publik për dekadat që vijnë).

Nuk e teproj të them se ky rekomandim, sëbashku me rekomandimin tjetër të ripërsëritur që të tregohet shumë kujdes në përzgjedhjen e blerësve të rinj të bankave, përbën paralajmerimin më serioz të FMN në lidhje me sistemin bankar të vendit që nga viti 1996, kur paralajmëroi problemet që sollën krizën e piramidave të viteve 1996-1997. “Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar” - thekson deklarata.

Duke lexuar prioritetet kyçe të identifikuara të financave publike, te tilla si: çuarja përpara e konsolidimit fiskal, rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike, fuqizimi i kuadrit institucional për mbikqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit, reflektimi i parë që më vjen ndërmend është nevoja e shndërrimit të tyre në një program të vërtetë reformash, në një fushë të debatit profesional, publik dhe politik me synim kapërcimin e problematikës serioze që po akumulohet çdo ditë në këto drejtime. E në këtë mënyrë reformat nuk do të jenë as tautologji monologjesh mediatike dhe as autolëvdata që nuk shëndoshin gjendjen.

FMN foli dhe duhet falenderuar për këtë. Edhe pse këto probleme, në një formë ose një tjetër, janë artikuluar shumë herë në kohë reale gjatë dekadës së fundit nga mas-mediat, nga ekonomistët, analistët dhe studuesit vendas duke përfshirë edhe autorin e ketyre radheve, theksimi në deklaratën e analizuar më sipër të FMN, është nje deshmi e nevojës për reforma serioze në financat publike. Tani, fjala i takon autoriteteve shqiptare në pushtet dhe në opozite, sipermarrjes shqiptare, qytetarëve shqiptarë …