Shqipëria, tabloja e përkryer e falsitetit social - Nga Ilir Levonja
Askush nuk ka shpifur më shumë gjatë këtyre viteve në faqet e portaleve se sa Edi Rama sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Sado sado të ''llapin'' nëpër internet zëra a emra të ndryshëm nuk e kanë barazpeshën e fjalës së një drejtuesi shteti. Arsyeja është e thjeshtë, nuk e kanë vëmendjen që ka goja e një kryeministri. Mund të shihen aty për aty dhe dikush mund të qeshë a t'ia transmetojë dikujt tjetër dhe aq, aty mbetet. Por është tjetër efekti i drejtpërdrejtë nga goja e qeveritarit të parë, për më tepër në një kohë piku transmetimesh dhe me një gjendje të nderë sociale për shkak të një kundërvënie a proteste nga grupi interesit. Dhe akoma më shumë në një gjëndje sociale pas tërmetit ku Shqipëria humbi 51 qytetarë.
Fakti që ai kaloi në emra konkretë ka domethënien e një lufte personale dhe ne e kemi akoma në oborr strategjinë e luftës karshi armikut të klasës. Nuk ka ligj në botë që i vlen vendit a të nesërmes së tij duke u konkretizuar në luftë personale emërore etj. Dhe në të gjithë këtë hori gjoja portalesh janë pikërisht inatet dhe mëritë personale. Duke e ditur këtë, Edi Rama ka të drejtën e plotë të vrasë e të presë, pasi teknikisht ka devijuar nga problemet jetike të shoqërisë, informaliteti. Sot ky kungull përpara se të cilësojë me pullë a pa pullë të kuqe iks apo ypsilon person, flet për tragjedinë e Thumanës duke e cilësuar se do ta ribëjë ashtu sikur nuk ka qënë, ashtu sikur shqiptarët nuk e kanë patur kurrë më parë.
Eshtë karakteristikë e kungullit që ta gjejë vetë rrugën e rrokullisjes për një fakt të thjeshtë, ka gjashtë vjet në pushtet dhe nga tërmeti i parë deri tek ky i dyti, dikasteri përkatës nën hyqmin e tij ka fjetur. Kjo është një vepër e pastër penale, por nën hyqmin e tij, tespihexhiu që ka rënë në dashuri me kuranin, skandali dhe veprat normale janë frymë organike. Megjithatë ia ka arritur qëllimit. Bash kulmet e skandaleve i përthyen me një pordhë dhe e zhvendos vëmendjen qytetare nga njëri zjarr në tjetrin. Ai sot ka hallin se si e quan ta zëmë iks njeri i fjalës atë, pallosh apo pallavesh, edhe pse vetë është kampion i poronomeve, se sa ka hallin e jetimëve të Thumanës. Madje po luan tespihesh me jetën e tyre, ashtu siç ka gjashtë vjetë që luan po tespihesh me jetën e katër të vrarëve në bulevard më 21 Janar 2011. Megjithatë ngjarjet që pasojnë njëra-tjetrën dhe ai vret e pret, bërtet, kërcënon dhe e lartëson unin e tij.
Ajo që trishton sot, është mungesa e solidarizimit social me grupimin “Mos na prek fjalën”. Vijmë nga një kulturë ku fjalën gjoja e donim baraz me lirinë tonë pasi më të shumtën e kohës e kemi pëshpëritur se sa thënë atë. Por nuk qenka kështu, vendi jonë është tabloja e përkryer e një falsiteti social. Dimrin e kaluar po këto kohë studentët dolën në protesta dhe shoqëria civile kënaqej nga kafenetë. Opozita heshti. Nga ana tjetër një tërësi intelektualësh postonin në internet foto tavoline me drekë bërxollash e birra, pa e kuptuar asnjëherë se e vetmja qenie që i gëzohet ushqimit është kafsha.
Edhe sot opozita heshti megjithëse në mënyrë demagogjike nënshkroi një pakt sipas të cilit do e zhvlerësojë të ashtuquajturin ligjin e shpifjes. Ndërkohë që duhej të vuloste mosmiratimin e tij sot, aty në shesh, tek grupimi “Mos na prek fjalën”. Duhej t'i mbyllte gojën plot shpifje shpifësit më të madh të kohëve të reja, gogolit të shqiptarëve. Nuk e bëri dhe kjo e shton akoma më shumë falsitetin social a mbi përgjegjësinë qytetare tonën. Të përçarë e ndarë në disa grupe interesi parti dhe militantë. Një shoqëri që po ta konkretizosh sot me një fakt historik si Dita e emigrantit, ka afro 40% të sajën në emigrim.
Në një vendimmarrje të sajën OKB në vitin 1990, vendosi që 18 Dhjetori të përkujtohet si dita e emigrantëve. Shqipëria ka një çartisje të madhe në këtë aspekt. Ajo çfarë e ka bërë qytetarin e saj të braktisë vendin është një tërësi minusesh, këto nga dështimi i politikës. Ka qënë ekonomia, liria e fjalës, lufta e klasave, kërcënimi i jetës etj. Po ta shohësh sot, ka një popullatë të moshuarish që rrinë në dritare, mbushin sheshet e Ramës, edhe pse janë krejt të vetmuar. Nuk mbushin dot sheshet e grupimit “Mos na prek fjalën”, grupimit të studentëve etj. Por edhe prindër që presin me sytë nga fëmijët në kurbet. Ekonomia e tyre janë fëmijët që rropaten në kapitalizëm, kurse morali sëmundja e propagandës e qeverisë së Ramës. Këta janë subjekte të gjalla që do ia kishin bërë në kokë Edi Ramës, por kujt t'ia thuash. Na e solli duarsh dita e emigrantit. Janë subjekte sociale të gjalla, që frymojnë e bëjnë sehir me moral të kuq. Janë prindër që na kanë mësuar postulate të tilla që, për inat të sime vjehrre do shkoj me mullixhiun e fshatit etj... A ka të drejtë Rama të talli menderen me ne? Ka sa nuk e luan topi!












