Hamleti, fantazma e krimit dhe pabesia
- Nga: Ndue Ukaj
Nëse presim që dikush do t'ia pastrojë njollat lirisë në vendin tonë, ato që ia kemi bërë vetë, atëherë skena të ngjashme, sikur ajo e kidnapimit dhe deportimit të qytetarëve turq, pa respektuar kushtetutë, ligje e konventa, do t'na përsëriten shumë shpesh.
Skenat mund të ndërrojnë trajtë, por në thelb do të jenë të njëjta.
Po ashtu, reagimet tona do të jenë të njëjta, të forta dhe të shumta, por pa efekte esenciale politik.
Sepse, këta që i kemi në krye të institucioneve, nuk i bren ndërgjegjja për asgjë.
Ju kujtohet si donin ta ndërronin historinë, me lojëra tinëzare?
Ju kujtohet si shpallën vëllazërinë me turqit, duke përbuzur histori e kulturë?
Ju kujtohen deklaratat përbuzëse të politikanëve turq, duke na trajtuar mbetje osmane, dhe asnjë reagim i tyre?
Ju kujtohen si u shiten, thanë më mirë u falen, asetet tona ekonomike?
Pra, nëse i lëmë në pushtet këta harbutë dhe, nëse Erdogani nesër do t' iu kërkojë që Skënderbeun ta zhbëjnë, ata do ta pranojnë një gjë të tillë me shumë lehtësi.
Vetëm që kungulli i tyre të ecë mbi ujë.
Ata që e kanë lexuar Hamletin e Shekspirit, e dinë çfarë ndodh në një vend kur ka krim shtetëror. Kur shteti udhëhiqet nga pabesia.
Hamleti, është një tragjedi e këshillueshme për çdo kohë dhe për çdo shoqëri.
Sidomos për shoqëri ta katandisura në krim dhe pabesi.
Tragjedia thotë se, atëbotë, në Danimarkë ishte kalbur diçka. Pikërisht për këtë arsye, në skenën “teatrore” të këtij vendi, shfaqet princi Hamlet, Ati i të cilit ishte vrarë pabesisht nga i ungji, në bashkëpunim me të ëmën, dhe me qëllim të qartë: për t’ia rrëmbyer mbretërinë.
Ai s’kishte sesi të heshte përball krimit makabër, të cilin ia tregonte fantazma e të atit. Po, fantazma e të Atit.
Mu për këtë, ai e dinte se: "Në tërë Danimarkën s' ka përveç zuzarë e kalorës vagabondë" dhe këtë e shqiptoi me zë të lartë dhe me guxim të madh. Ai e dinte se: “Danimarka ishte si një burg”, andaj luftoi ta çlironte veten dhe Danimarkën e tij nga ky makth.
Sajoi marrëzinë e tij, vetëm e vetëm për ta çuar përpara kauzën e tij. T’ia pastronte njollat lirisë, në Danimarkën e tij që udhëhiqej nga zuzarë e kalorës vagabondë dhe nga një mbret e mbretëreshë vrasëse.
Leximi i Hamletit në çdo kohë është i nevojshëm. Sidomos kur ka avari politike, shpirtërore dhe kriza të shumta morale, siç janë këto tonat, ku ka shumë "zuzarë e kalorës vagabondë".
Kosova, thënë me gjuhë të Hamletit, qeveriset nga zuzarë e kalorës vagabondë.
Ata kanë njollosur lirinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Ata do të bëjnë çmos që krejt kjo të harrohet, por fantazma e krimit të këtyre ditëve do ti ndjekë gjatë. Ashtu siç ngjet në tekstin e Shekspirit. Deri sa t'ia pastrojmë njollat lirisë.
Pra, derisa ta arrijmë një katarsis të thellë.
Dhe kjo ndodh, kur të çlirohemi nga ky soj i drejtuesve të shtetit tonë, nga të paditurit, hipokritët dhe të pandërgjegjshmit, nga ata që të vetmen gjë që dinë ta bëjnë mirë janë intrigat.
Çlirimi nga soji i tyre është detyrim kombëtar!











