Opinione

Elitat e sotme peng i të kaluarës

Nga: Afrim Krasniqi

Mbi dy dekada pas rënies së sistemit komunist, Shqipëria vijon të jetë e dominuar nga mentalitetet dhe elitat e emëruara të viteve ‘70-’80. Asaj i mungon forca morale, ndjesia dhe sensi i përgjegjësisë për tu përballur me dinjitet me të kaluarën. Pritshmëritë janë minimale. Sepse të kesh kurajën për tu parë në pasqyrë, për të reflektuar kjo është vlerë e kombeve dhe e shoqërive shumë të qytetëruara.

Shqipëria është një shoqëri para-demokratike, edhe aktualisht është para-demokratike dhe gati-gati në disa elementë është edhe para-shtetërore. Është e vështirë, madje utopi të presim që njerëzit të shohin veten në pasqyrë dhe të përballen me të, jo thjesht si individ por në raport me shoqërinë, me familjen, me rrethin, me punën, me jetën, me veprën, për gjithçka që ai ka bërë. Kjo vlen për të gjitha palët dhe në secilin rast.

Mentaliteti i shoqërisë vijon të jetë tribal, ku model është individi i fortë që pasi bën para, bën hotel, bën korrupsion, bëhet pronar tokash e ndërtesash dhe gjëja e parë që bën ndërton bust për babanë apo gjyshin e tij, bën libër me pagesë për ta, paguan ca veta për ta lavdëruar dhe dy emisione në TV, dhe në fund del se babai i tij është më i madh e më patriot sesa Ismail Qemali.

Shqipëria nuk ka ende studime serioze mbi të kaluarën, nuk ka muze dhe as projekt serioz, nuk ka sjellje institucionale, nuk ka vullnet politik dhe as ndjesinë e trajtimit të saj me dinjitetin që duhet. Elitat e sotme janë peng i të kaluarës, peng i statusit social që iu pat dhuruar, peng i botimeve nën censurë dhe të paafta të korrigjojnë vetveten as në ato pika e teza, të cilat koha i provoi të gabuara.

Shteti? Harxhon 30 milionë euro në vit për reklama në media dhe vetëm 80 mijë euro për institucionet kërkimore dhe botime serioze historike. Kërkimi shkencor? Ligji u miratua më 2015, por ende nuk ka nisur … Një debat midis kolegëve, por që tregon shumë për stadin ku jemi, ne, elitat, politika dhe historia!