Opinione

Krishti u ngjall!

Nga: Endrit Mullisi

A keni përplasur vezët me familjarët dhe keni thënë “Krishti u ngjall”? Në kohën tonë shtrojmë pyetjen: A mund ta themi këtë shprehje një herë në vit dhe pastaj gjatë gjithë vitit të mos mendojmë për këte gjë?

A ringjallen të vdekurit?

Në se Krishti u ringjall, atëherë të vdekurit ringjallen. Në se jo, atëherë ringjallja nuk ekziston praktikisht, perveçse në përralla.

Në se Krishti është ringjallur sipas Shkrimeve të Shenjta, atëherë është e kuptueshme pse shumica e personave që e panë atë të ringjallur u bënë martirë. Ata nuk mund të gënjenin dot.

Çfarë duhet të bëjë një person që përballohet me një fakt të tille?

Ka dy lloj besimesh në jetët e njerëzve: besim bazuar në fakte dhe besim bazuar në tradita dhe gojëdhëna.

Gabimisht është thënë që besimi në Perëndinë është një besim i verbër apo besim me sy mbyllur.

Në se ka gjëra qe ti ende nuk i sheh, nuk do të thotë qe ato nuk ekzistojnë dhe dikush tjetër nuk i ka parë përpara teje.

Kur Jezusi u ngjall, iu shfaq së pari grave. Ky eshte një nga elementët që e hedh poshtë fabrikimin e ngjarjeve. Në se do ishte fabrikuar historia që të ishte e besueshme nuk do të perfshinte gratë sepse dëshmia e gruas nuk kishte peshë në atë shoqëri.

Kur gratë u treguan dishepujve, ata nuk besuan menjëherë. Dy prej tyre Pjetri dhe Gjoni, vrapuan drejt varrit për të verifikuar në se lajmi ishte i vërtetë. Kur këta vajtën u thanë të tjerëve, nuk ishte se ata besuan menjëherë.

Kemi dëgjuar për Thomain dhe shprehjen e tij: “Pa parë duart e plagosura dhe pa vendosur gishtin në plagë nuk do besoj”. Thomai kur e pa Jezusin e adhuroi si Zot dhe historia na tregon që ai u vra duke dëshmuar për Krishtin e ringjallur në Indi.

Çfarë na thonë Shkrimet e Shenjta? Jo secili besoi në të njejtën kohë, por secili që refuzoi të besojë në kohën që iu dha mundësia u quajt dyshimtar. Pra ka dyshimtar me arsye ose dyshimtar pa arsye.

Shprehja “për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë”, mund të interpretohet në rastin tonë me ata që vendimin nuk e marrin bazuar në fakte apo argumentime, por në preferenca personale. Kjo është si të thuash që në se unë nuk dua të besoj që ekziston Poli i Veriut, atëherë Poli i Veriut nuk ekziston.

Vendimi i qeverisë komuniste shqiptare për të deklaruar që nuk ka Zot dhe që feja është opium për popullin nuk ishte bazuar në fakte, por në preferenca social-politike. Sot ka njerëz që besimin apo mosbesimin në Perendi nuk e kanë të bazuar, por është produkt i preferencave apo përfitimit personal.

Në se do të verifikosh historinë e ringjalljes së Krishtit, së pari mos e shiko Biblen veç si një libër i inspiruar, por si një libër që vjen nga antikiteti dhe historia, me ngjarje, emra njerëzish dhe vendbanimesh. Pra trajtoje si një libër historie dhe shiko se si hyjnorja ka qenë e ndërthurur me njerëzoren herë pas here, me kulminanten në misherimin e Krishtit.

Tre fakte të vërteta kanë nevojë të ballafaqohen:

  1. Gratë dhe disa prej dishepujve u përballen me një varr pa kufomë, të hapur dhe të zbrazët.
  2. Ndjekësit e parë të Jezusit patën eksperienca personale me atë që ata konfirmuan se ishte Krishti i ringjallur. Këta nga frikacakë u bënë martirët e parë të kishës, grupimit më të ri fetar që filloi nën pushtimin romak të Judesë.
  3. Për shkak të predikimit të besimtarëve – me theks në Krishtin e ringjallur u themelua kisha me ndikim mbarëbotëror.

Arkeologët janë duke verifikuar çdo vit zbulime antikiteti duke marrë Biblën si udhëzues gërmimesh. Degradimi moral është bërë i dukshëm me zvogëlimin e pranisë së hyjnores në jetët e njerëzve. Si shqiptarë, na duhet të mesojmë nga historia jonë e shekullit të fundit. Ne si komb na duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe është provuar që një ndërtesë e qëndrueshme i ka themelet të vëna siç duhet.

Le të braktisim justifikimet dhe pasi të bëjmë “detyrat e shtëpisë”, të ballafaqohemi “burrash” me faktin që kanë ndryshuar pozitivisht shoqëritë perëndimore. Apostulli Pal ka predikuar në trojet tona dhe kishat kanë qenë anembanë deri sa osmanllinjtë herë me dhunë dhe herë me taksa bënë stërgjyshërit tanë të humbin identitetin. Sot është rradha jone për t’i vënë gjërat  në rregull me Zotin, me veten, me familjen, me komunitetin.

U ngjallte Krishti në zemrat e shqiptarëve!  

Autori është Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare - Toronto