Flamuri dhe shkaba shqiptare: Barazvlera e formulës hyjnore të ekuilibrit, sintezës dhe harmonisë
- Nga: Burim Bardhari
Simboli i shqiponjes ështe i kudopërhapur mirëpo ajo e flamurit tonë kuqezi pasqyron jo vetëm barazvlerën më besnike të simbolit të njohur nga Egjipti i lashtë, diskut diellor me krahë (the winged sun disk), por filozofikisht mund të shquhet si me më epërsi. Shpjegimi në vazhdim rrjedh nga frymëzimi im prej dokumentarit mbresëlënes në Netflix i titulluar Kodi i piramidave (The Pyramid Code, http://www.pyramidcode.com), rrëfyer nga autorja kanadeze Carmen Boulter, PhD. Calgary University.
Rastësi ose jo por ky simbol i shtjelluar në pjesën e katërt të dokumentarit, tërthorazi por madhërisht nderon flamurin dhe shkabën shqiptare sepse tërhiqet një paralele e pagabueshme mes dy simboleve me domethënie binjake që për ne shqiptarët ngërthen përpjekjen e themelimit kombëtar nga kryetrimi ynë i pashoq Skënderbeu. Ai urtësisht e përjetësoi flamurin e përzgjedhur me shkabën dykrenare me përmbajtje të thellë transcendentale. Shqiponja është qendisur mjeshtërisht me dy koka dhe me dy ngjyra por edhe me dy gjuhë gjarpëri. Këto figura qëllimisht janë vendosur në sfondin e kuq për transmetimin e filozofisë universale të ekuilibrit nëpërmjet dualitetit, jo për ndarje me dysh por si tërësi, sintezë dhe harmoni mes palëve. Kjo përmbajtje zbulon vellon e vetë formulës hyjnore të ekuilibrit dhe harmonisë ne gjithesi, por edhe lumturisë e drejtësisë në rrafshin njerëzor. Shenjë kjo që përcillet nga lashtësie e të parëve tanë deri në Mesjetën skënderbegiane kur flamuri u valëvit triumfalisht dhe u mishërua pandashmerisht nga fiset tona iliro-arbane që filluan të cilësohen si tërësi shqiptare, flasin gjuhën shqipe dhe krenarisht betohen për flamurin me shkabën dykrenare për të ruajtur vazhdimësinë nga lashtësia deri në amëshim.
Disku diellor me flatra është simbol madhështor dhe hamendësisht buron nga lashtësia egjiptiane, por është i pranishëm edhe në kultura të tjera të vjetra. Ky simbol përmban diellin në qendër si besim i lashtë për shkak të jetëmbështetjes (dhe ndoshta vendprejardhes sonë nga ndonjë sistem tjetër diellor me planete të banueshme) dhe jo për shkak të paganizmit; përmban shqiponjën ose fajkoin me krahë por edhe gjarpërin që duket i ngjashëm si shkaba duke lënë përshtypjen sikur janë dy shqiponja. Ky simbol mrekullisht përputhet si barasvlerë e shkrirë në shkabën dykrenare por me gjuhë gjarpëri ashtu siç përfaqësohet besnikërisht në flamurin tonë kombëtar. Vetë gjuha ose gjarpri, si element ekuilibri, nuk spikatet dukshëm te flamujt e tjerë dykrenarë. Kjo nuk është gjuha e dragoit siç citohet shpesh sepse ai si kafshë jo vetëm që ështe e përfytyruar dhe nuk ekziston, por njëkohësisht prish ekuilbrin dualist të elementeve tokë-qiell.
Rëndësia kryesore e simbolit të diskut diellor me krahë përqendrohet tek pasqyrimi i vlerës madhore filozofike të dualizmit si një formulë e shenjtë e universit tonë dhe vetë njerëzimit. Dysorja nënvizon ekuilibër dhe drejtësi mu si peshorja me dy krahe, si lart në qiell ashtu edhe poshtë në tokë, duke mos harruar as lumturinë njerëzore dhe baraspeshën e marrëdhënieve mes gjinive, përcaktimin që njihet si e shenjta gjinore, ajo femerore dhe mashkullore (sacred feminine and sacred masculine). Nga ky këndvështrim edhe e vërteta paraqet një bashkësi të dy kundërthënieve si ajo ‘bardhezisht,’ ‘mirakeqas,’ ose cikleve lindje-vdekje. Kjo mund të shprehet edhe nëpërmjet dualizmit të dy ngjyrave të flamurit tonë kuqezi me te cilin nuk përcakohet ndarja por bashkimi i dy pjesëve në një, përfshi këtu, si ëmbëlsirë, edhe filozofinë e famshme hegeliane të tezës dhe antitezës në sintezë.
Dielli me flatra është në qendër të vëmendjes sepse mbështet jetën në tokë dhe ndriçon krejt gjithësinë, ndërsa nga mësimet e lashta ezoterike ka lidhje me prejardhjen e njeriut nga një diell tjetër (ndoshta nga dielli i dytë më i madh Sirius ose nga yjësia Plejada). Shqiponja është simbol i gjinisë femërore, ndërsa gjarpëri i gjinisë mashkullore, falë gjuhës së lashtë shqipe që shumë bukur qëllon gjininë përkatëse gramatikore. Në vazhdim, sipas dokumentarit, shqiponja dhe gjarpëri kanë gjendra të njejta dhe simbolizojnë dualitetin filozofik, femër e mashkull, lart në qiell e poshtë në tokë ose dallimin mes botës shpirtërore dhe asaj lëndore. Shqiponja me flatra fluturon lart se shpirti duhet të rikthehet tek yjet dhe hyjnia, ndërsa gjapëri ashtu si trupi mbetet në tokë. Ky dyzim ështe si ylli 6-cepash nga përputhja e dy trekëndshave që takohen në pikën e ekuilibrit. Për atë shkak janë dy kafshë e dy koka.
Përfundimisht, lashtësia e gjuhës shqipe është ngushtësisht e lidhur dhe percjell historikun e besimit në diell nëpërmjet vetë fjalës 'hyjni' por kjo si filozofi, jo si ideologji e verbër fetare, sepse brendaqenësisht ose trashëgimisht përmban domethënien e vjetër 'hyll-hyj-hyllni-hyjni' duke shkelqyer si dielli. Qershia mbi tortë është se pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emrin Flamur valvit jo një copë pëlhurë të thjeshtë por formulën hyjnore të mospërçarjes e të harmonisë nëpërmjet ekuilibrit dualist të universit dhe njerëzimit ashtu si edhe bashkimin e shqiptarëve nën flamurin e përbashkët arbëror të Skenderbeut.











