Historia e një vote në OKB më 1991
- Nga: Genc Mlloja
Ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 15 mars 1991. Pasuan vizita te zyrtarëve të lartë të të dy vendeve kulmi i të cilave ishte vizita historike e ish Sekretarit të Shtetit Bejker në Tiranë. Po keshtu u shtuan edhe komunikimet e Misionit Shqiptar me Misionin Amerikan prane OKB-së. Ftesat për të marrë pjesë në pritjet e tyre u bënë të zakonshme, po keshtu edhe nga ana jonë. Në fakt këto komunikime me Misionin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit ishin më të hershme, që nga koha e fillimit të bisedimeve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane më 1 maj 1990, të cilat për palen shqiptare i kryesonte Ambasadori Bashkim Pitarka.
Vjeshta është periudha kur mbahet Asamblea e Përgjithëshme e OKB-se dhe janë në veprimtari të plotë edhe komisionet e ndryshme. Vec fjalimeve e debateve, votimet e rezolutave të ndryshme janë rutinë. Ka raste që votohet edhe për rezoluta delikate që u interesojnë palëve të ndryshme, aq më shumë fuqive te medha. Kur ka raste të rezolutave të tilla, të gjithë përfaqësuesit e misioneve të interesuara lobojnë në mënyrë intensive për të siguruar mbeshtetje në votim. Tashmë kahja e votimeve tona kishte ndryshuar, sikurse edhe qëndrimet ndaj dy superfuqive. Shqiperia ishte përfshirë në grupin e vendeve të Europes Lindore. Po kështu edhe vota e Shqipërisë shikohej si tepër e rëndesishme në rezultatin e votimit.
Në këtë kuader në fillim të muajit tetor 1991 një diplomat i Misionit Amerikan kërkon një takim. Thelbi ishte kërkesa për mbështetje për një rezolutë që u interesonte SHBA. Duke e siguruar se do të merrej në konsideratë kërkesa, njoftuam Ministrinë e Jashtme, e cila na udhëzoi të votonim në një linjë me SHBA. Ishte koha kur akoma President ishte i ndjeri Ramiz Alia. U nxita të përmend këtë rast në kontekstin e debatit që arriti pikën më të lartë më 8 shkurt 2018 në Parlamentin shqiptar. Nuk them se ndoqa të gjitha diskutimet por nga ata më kryesorët kuptova se vota e Shqipërisë kundër SHBA dhe Izraelit në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së lidhur me njohjen amerikane të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nuk paska qenë lapsus, por një qëndrim i vendosur dhe “parimor”. Madje lihej të kuptohet se mund të ketë votime të kësaj natyre në interes të Shqipërisë edhe në të ardhmen. Opozita bëri punën e vet, i doli në shteg një cështje kardinale për interesat strategjike të Shqipërisë, është fjala për një cështje lidhur me SHBA, aleatin strategjik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera. Në fund të fundit ajo është detyra e saj, dhe punët shkuan sikurse u panë në të “enjten parlamentare” të radhës. U “shit” edhe pilaf, pace, raki, drogë, me një fjalë u bë duman debati parlamentar për votën kunder SHBA, financierin e kartelit te drogës të Habilajve, investimet turke etj. etj.
Si mendim personal, vota anti-amerikane në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-se ishte e panevojshme në atë mënyrë dhe formë, dhe aq më shumë argumentet zyrtare që jepen me këmbëngulje. Edhe amatorët në diplomaci kanë mësuar si funksionojne qëndrimet me votë në OKB. Kur një rezolutë nuk është detyruese si kjo besoj se “qendrimi parimor” i diplomacisë sonë mund të kishte qenë më fleksibel. Nuk e di por a e shikojme më SHBA si aleat strategjik se në fjalimet e politikanëve të maxhorancës as përmendej ai vend, e në ndonjë rast kalimthi, por “ombrella” e BE-së. Tjetër për tjetër flisnin duke ngaterruar cështjen e votës kunder SHBA me “reformën” në drejtësi. Shumica e shqiptaro- amerikanëve në Amerikë dhe ketu nuk e kanë miratuar këtë votë kundër Shteteve te Bashkuara. Punë tjetër është qëndrimi i shqiptarëve e politikanëve ketu. Eshte e drejta e tyre të votojnë përsëri kundër Amerikës kur ti bije rasti, dhe të bëjnë edhe shpjegim të votës kundër. Të paktën Ambasadori i Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin i deklaroi Albanian Daily News në një intervistë ekskluzive para disa ditësh se qeveria e vendit të tij ishte e pakenaqur nga vota shqiptare dhe cështjen po e ndiqnin nëpermjet kanaleve diplomatike. Ndërsa qëndrimi i SHBA është bërë publik me forcë nga vetë Presidenti Trump thelbi i të cilit është se vendet që votuan kundër Amerikës futeshin në kategorinë e vendeve jo-mike për ta thënë butë. Nuk i mbeti gjë të shtonte Ambasadori i këtushëm amerikan, ai heshti. Cdokush e kupton, duke patur parasysh edhe debatin e djeshëm, se dicka e fortë e ka detyruar diplomacinë shqiptare të ndryshojë kursin pro-amerikan në votime në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së.
Në vitin, 1991 Shqipëria e qeverisur nga Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, e ndryshoi kursin në favor të Uashingtonit duke i kuptuar konjukturat e reja dhe zhvillimet që ndoqën njeri-tjetrin. Duket tani janë konjuktura të tjera, që ndiqen nga veprime të reja diplomatike. Në këtë rast diplomacia në Uashington është aq në gjendje sa të ndjejë dhe vlerësoje peshën e fjalëve “pro-amerikane” kundrejt veprimeve anti-amerikane të cdo vendi, aq më shumë të aleateve, si në rastin e votës në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së në dhjetor të vitit të kaluar.











