Selia e Kryeministrisë gjelltore dhe dekor për mitomanë
- Nga: ILIR BABARAMO
Të gjithë portalet dhe ekranet e kontrolluara nga Edi Rama u përmbytën nga përroi psiqik i një farë Ornela Vorpsi. Askush nuk e di se me çfarë mjetesh jeton kjo emigrante e kahershme, ndërkohë që propagandistët e Kryeministrisë e shitën si një shkrimtare të famshme.
Kishim dëgjuar për VKM të gjithëfarsojshme por se mund të dekretohesh shkrimtar, ca më tepër i shquar nga zyra e Qeverisë, nuk e prisnim. Dy gjëra më ngelën në mendje.
E para: e sipërmendura rrëfente ende dhe pas 30 vjetësh eksitimin e saj të pashuar për Edi Ramën. Gati të gjithëve ky lajm nuk mund t’u bëjë përshtypje sepse në portalet shqiptare kërcënimi i Donald Trump që do bombardojë Sirinë fqinjëron me ngjarjen që në plazh një fanse u turr të puthte Shpat Kasapin.
E dyta që më ngeli si gozhdë e ngulur në tru nga “rrëfimi” është fjalia: Edi Rama magjepsi me artin e tij Parisin!?!?
Unë nuk hyj tek ata që besojnë se Rama ka jetuar si clochard (endacak) diku në një cep të Rive Gauche dhe as që për të mbajtur frymën shiste vizatime pesë euro copa mes Pont neuf dhe Pont des arts.
Por që të thuash “magjepsi Parisin”, është më shumë se dozë elefanti, që nuk mund ta shtysh as duke pirë katër shishe verë 500 euroshe. Sepse dhe militantja më e thekur e Rilindjes e di që aktualisht Parisi nuk çuditet, jo më të magjepset nga një ekspozitë me veprat më të zgjedhura të Picasso-s.
Ajo që është jo vetëm për t’u shqetësuar, por dhe për t’ia dhënë ulërimës nuk është se çfarë ndodhi, por ku ndodhi.
Do ishte normale që rrëfimin e saj kjo fatkeqe t’a kishte bërë në një divan psikanalisti. Por nuk ndodhi kështu.
Rrëfimin e saj ajo e bëri në selinë e Qeverisë Shqiptare, në ambientet e katit të parë. Fiks poshtë zyrës së Kryeministrit, kjo fatkeqe e bëri këtë shfaqje para kamerave të thirrura nga Zyra e Marrëdhënieve Publike të Kryeministrisë.
Pak vetë e dinë se gjithë kati i parë i selisë së Qeverisë Shqiptare është ndarë në dy pjesë. Gjysma i është dhënë me PPP një miku të Kryeministrit që e ka kthyer në gjelltore, ndërsa gjysma tjetër është transformuar në një medemek ekspozitë që më shumë si e tillë, ngjan me servisin e Çetit në autostradë.
Kjo hapësirë shërben si vend spiritizmi për shfaqje si kjo e fundit apo si ajo për përkujtimin e Kaso Trebeshinës.
Është vërtetë tronditëse që selia e Kryeministrisë dhe stafi të përdoren si dekor për një delir dhe mitomani të tillë.
P.S. Rrëfimi i zonjës në fjalë më kujtoi një dokumentar të TVSH me teto Poliksenin në Korçë, e cila i tregonte gazetares: ja këtu rrinte Enveri, kjo është tavlla e tij e cigareve, ky filxhani i tij i kafesë. Për të qenë i sinqertë deri në fund, teto Polikseni në asnjë çast nuk tha se Enveri “magjepsi” Korçën. Prandaj kjo e Ramës që “magjepsi Parisin”, ishte për opinionin publik një dozë elefanti.











