Fundjavë nga Shkodra gjer ne Vlorë dhe një përrallë me arrestime
- Nga: Afrim Krasniqi
Sa herë një drejtues politik i të majtës ka pasur problem politik në Tiranë, ka udhëtuar për “punë partie” në Vlorë. Sa herë një drejtues politik i të djathtës ka pasur problem politik në Tiranë, ka udhëtuar për “punë partie” Shkodër.
Janë dy qytete bastione të kundërta politike. Në teorinë politike, koncepti i bastionit lidhet me besimin e qëndrueshëm të shumicës tek vlerat e një ideologjie të caktuar politike. Në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me vlera, por me raportet me pushtetin.
Gjatë periudhës komuniste, Vlora dominonte listën e zyrtarëve të lartë, Shkodra listën e atyre në burg politik. Zakonisht qytetet bastione kanë aftësi të krijojnë modele drejtimi, të reformojnë partinë që mbështesin, të mos bëjnë kompromise në dëm të vlerave dhe të përfaqësohen në nivele të larta politike.
Në rastin tonë nuk ndodh as njëra as tjetra. As Shkodra dhe as Vlora nuk ofrojnë modele pozitive drejtimi, nuk kanë qenë të afta të krijojnë elita politike, nuk kanë pasur as kanë përfaqësim cilësor dhe as nuk kanë mbrojtur vlera kur ka pasur oferta politike jo dhe aq morale.
Mësimi? Shkodra e Vlora futen ndër zonat e lexuara dhe që kanë kontakte intensive me Perëndimin në Shqipëri, dhe kur ato pranojnë të përdoren si kamerdare shpëtimi për liderë arrogantë e të korruptuar politikë, imagjino çfarë pritet dhe çfarë ndodh në zona të tjera, më pak të lexuara dhe shumë më tepër të izoluara nga moderniteti e liberalizmi ...
Imagjinoni t'u themi fëmijëve një histori: Llalla deshi të arrestojë Tahirin, Lu i tha të arrestojë Metën, Meta i kërkoi të arrestojë Ramën, Vlahutin i tha të arrestojë Berishën, Berisha i tha Llallës të sulmojë Lu-në, Llalla u ankua në SHBA për ambasadorin, Berisha u ankua në Bruksel për ambasadoren, Rama e Meta u ankuan në SHBA e Bruksel për njëri tjetrin, Llalla shpëtoi Metën, Meta Berishën, Berisha Bashën, Basha Ramën dhe Rama u betua, nëse do votoja 100 herë, përsëri do votoja Metën!
Nëse ua themi fëmijëve këtë histori, ata do ta na marrin për të çmendur, ose në rastin më të mirë, do mendojnë se është një përrallë. Nuk është haluçinacion, është ligjërimi politik i një jave nga kokat tona politike. Një skenar i denjë për filma të të premtes vonë, që ne, qytetarëve të këtij vendi, na ofrohet si ligjërim politik, si standardi më i lartë i politikës, si model komunikimi midis udhëheqësve e institucioneve, si normalitet javor, si shpresa jonë e vetme për integrim e progres, si e ardhmja pa alternativë e fëmijëve tanë!











