Opinione

Në varret e ushtarëve Grekë, qeveria do varrosë dinjitetin kombëtar.

Nga: Alfons Zeneli

Në vitin 1994, një komando greke hyri natën në tokën shqiptare duke vrarë në gjumë 3-4 ushtarë dhe një oficer të postës kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër. Në një gazëtë të kohës thuhej se fajin e kishin të vrarët. Ndërsa një gazetar tjetër për ta ndarë me "drejtësi" incidentin ku vrastarët ishin grekët, përdorte si argument fjalën e urtë greke sipas të cilës "kur dy veta zihen, kanë faj të dy". Shkurt, të vrarët që flinin gjumë, kishin njëlloj faj me komandot që kaluan ilegalisht kufirin të armatosur deri në dhëmbë dhe kryen vrasjen. Pak vite më pas, ndoshta nga 1999, u lajmerua nga mediat se më 27 Qershor do të vinte në Tiranë për të dhënë një koncert me këngë e valle grupi folklorik i Kretës. Mbase ka qenë organizim i Ambasadës Greke në Tiranë. Kujtoj se shumica dërrmuese e andarteve të Zervasit që masakruan camët ishin kretane. Dhe pikërisht pasardhësit e atyre barbarëve do të këndonin e kërcenin në Tiranë pikërisht më 27 qershor që është dita përkujtimore e masakrës greke mbi camët. Unë nuk e besoja si rastësi dhe bëra zhurmë publike kundër këtij turpi. Koncerti u anullua. Nuk e di se përse. Por kjo pak rëndësi kish. Autoritetet qeveritare të kohës ishin të gatshme të bënin aheng, të këndonin dhe bashkë me bijtë e andartëve kretanë t`i tundnin opingat me xhufka dhe fustanellat e vjedhura mbi kujtimin e shqiptarëve camë që u spastruan nga trojet e tyre pa mëshirë.

Këto ditë u dha sihariqi të cilin cdo shqiptar mezi po e priste. Edi Rama na e tha vetë me gojë se do angazhohen strukturat e shtetit, dmth disa ministri, prefekturat dhe autoritete e instrumenta të tjerë lokale për të ndërtuar varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke. Të gjitha shpenzimet i mbulon qeveria shqiptare, dmth taksapaguesit shqiptarë. Pra shpenzimet për 9000 varre si dhe shpenzimet e grupeve të punës përgjatë një kohe të pacaktuar të cilët do të merren me një mori modalitetesh. Edhe shpenzimet e palës greke që do asistojë gjatë procesit. Shpenzime pafund udhëtimi, dieta etj etj. Nga ana tjetër, pretendohen 9000 varre për 9000 greke të vrarë në territorin shqiptar. E lemë mënjanë faktin që gjatë luftës italo-greke janë vrarë gjithsej 1300 ushtarë grekë. I bie që vetëm 4000 qenkan vrarë në Greqi. Unë them jemi që jemi, t`ua bëjmë një rikonstruksion edhe varreve të atyre 4000-ve që u vranë në Greqi. A ka më turp? Ka mbetur vetëm t`i bëjmë dhe një përmendore Napoleon Zervës në Qafë Botë, atje ku vdiqën foshnjet came nga etja dhe uria, aty dhanë shpirt plakat dhe pleqtë camë, atje ku shpirtërat e Camërisë pluskojnë ende të pa paqtuar. Bile që të tregojmë kulturë tamam, i bëj thirrje komunitetit cam që të mbulojë ai shpenzimet përkatëse. Sa turp! Cështja e prokurorit të përgjithshëm nuk është asgjë para këtij akti të pështirë kundër dinjitetit kombëtar. Ngrehuni ju o të përdhosur, ju të poshtëruar!!!