Raporti i BE dhe Kosova sipas qejfit të vet
- Nga: Ndue Ukaj
Meqë është bërë e zakonshme, të flasim dhe të shkruajmë për gjëra që s'i kuptojmë, atëherë, siç e do zakoni ndër ne, pa menduar shumë, t'ia fillojmë me “analiza” të gjithfarshme për Raportin e Progresit.
Gjithnjë, sipas shkollës së trashëguar, duke tentuar t’a hedhim fajin diku tjetër, te iksi apo ypsiloni, por kurrsesi te vetvetja.
Pra, t'i drejtojmë shigjetat kah Brukseli.
Kështu është më së lehti që t’a justifikojmë pazotësinë tonë!
T'i mbyllim sytë dhe mos t'i shohim marritë tona, cenet dhe injorancën me tonelata.
Njerëz, mendoni pak! Europa e dalë nga Lufta e Dytë Botërore, me miliona viktima e shkatërrime të mëdha, për një dekadë, arriti t’i kurojë plagët e luftës, dhe në dekadën e dytë, popujt që luftuan, e formuan Unionin Europian.
Francezët, gjermanët dhe italianët të dërrmuar dhe të shkatërruar nga lufta, pas një dekade, arritën deri te të vërtetat e vlefshme për të gjithë, duke e lënë prapa të kaluarën. Për pak vite, këto të vërteta ekonomike, kulturore e politike, u admiruan nga shumë popuj të tjerë të Europës. Sidomos nga popujt e shtypur nga komunizmi, siç ishim ne.
Afërsisht, njëzet vite pas çlirimit, Kosova vazhdon të jetë larg idealeve europiane, në shumicën e fushave të jetës reale, ndërkohë që ligjërimi i saj priret nga tema e debate krejt pa sens dhe jo normale. Në këtë mënyrë, siç do të thoshte Ernest Koliqi, secili shqiptar i Kosovës, po e krijon një Kosovë sipas qejfit të vet. Pra, për dy dekada, nuk kemi arritur të formojmë të vërteta të vlefshme për të gjithë, dhe sillemi përbrenda një rrethi vicioz, pa parë kund shtegdalje.
Pra, që dy dekada, merremi me marri të pakuptimta, duke mbetur peng të disa rrëfimeve të cekëta dhe neveritëse, ndërkohë që shkolla jonë lëngon nga mentaliteti komunist. Të mos flasim për gjendjen në sektorë tjera.
Që dy dekada, jemi marrë me intriga dhe spekulime nga më të çuditshmet, që mund të hasen vetëm nëpër romane, por shumë pak kemi folur me sinqeritet për tema reale që janë në dobi të të mirës së përbashkët.
Prandaj, nëse duam që raporti i ardhshëm i Progresit, ttë na gjejë më normal, atëherë duhet të sillemi si vend normal.
Përndryshe, mos të kukurisim kur të tjerët na vizatojnë shëmtinë tonë.











