Opinione

Besimi te institucionet e drejtësisë është shkallmuar - Nga Arben Braçe

Rasti i “modelingut” të Kryetares së Gjykatës së Elbasanit, duke sfiluar në zyrat e shtetit dhe pikërisht aty ku pritet e shumëkërkuara drejtësi nuk është një rast i izoluar në institucionet e drejtësisë shqiptare.

Për të gjithë ata që u ka qëlluar të përballen me institucionet e drejtësisë, të gjykatave shqiptare, qoftë si palë ndërgjyqëse, por edhe si mbrojtëse të palëve, do të ishte mëkat i madh nëqoftëse nuk deklarojnë unanimisht se një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe e prokurorëvë tanë nuk kanë minimumin etik, atë të përshëndetjes së palëvë kur hyjnë në sallën e gjyqit.

Shkaku i këtij vaniteti të neveritshëm, të një kryetareje gjykate, në qytetin kampion të krimit dhe korrupsionit, duhet kërkuar thellë në institucionet e edukimit arsimor, të vetë magjistraturës, në institucionet e emërimit të këtij kallëpi, që nuk kujdesen për etikën dhe formimin e dinjitetit të gjyqtarit të ardhshëm, por vetëm në anën profesionale të tij.

Pavarësisht çfarë ofron vetë reforma, mos harrojmë se vendet me standarde të larta të demokracisë, sikurse UK kanë vendosur moshën 45-vjeç, si moshë të përshtatshmë për të ëmëruar një gjyqtar në shkallën e parë, duke i dhënë vendin e duhur karrierës së gjyqtarit.

Ndërhyrja e institucioneve të drejtësisë në këtë rast, për respektimin e kodit të etikës dhe të ligjit për sjelljen e magjistratit, si gjithmonë është shumë e vonuar dhe vjen pikërisht në rastin kur protagonisti asgjëson në mënyrë banale, me injorancën dhe vanitetin e shëmtuar veten e tij.

Shkelja e ligjit dhe e etikës dhe shkallmimi i besimit të publikut është e provuar, por do të ishte mirë që KLGJ dhe ILD ta nisin punën së pari, jo nga video provuese evidente, por nga vetë deklarimi i gjyqtares, sipas të cilit, ajo pretendon se nuk e ka hedhur videon vetë në rrjetet sociale, por dikush enkas do ta këtë bërë për të prishur imazhin e saj…?!

Nëqoftëse kjo provohet, përpos shkeljes së besimit të publikut, kemi të bëjmë edhe me veprën penale të mashtrimit, sepse nuk kemi asnjë rast të denoncimit nga ana e saj, sikurse parashikon ligji në lidhje me vjedhjen e aparatit telefonik apo të të dhënave personale paraprakisht, gjë që e rëndon së tëpërmi skandalin dhe cënon rëndë bësimin tek drejtësia dhe institucionet e drejtësisë shqiptare.

Cënon rëndë dinjitetin dhe sinqeritetin e gjyqtarit para publikut, i cili i ka dhënë gjënë më të shenjtë besimin dhe e ka superpaguar me një pagë prej 2.600.000 lekë të vjetra në muaj për të dhënë të shumëpriturën drejtësi.

©Arben Braçe