Opinione

Ringjallja e teorisë serbe “Ballkani ballkanasve” - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Në historinë diplomatike dhe politike të Serbisë një vend të veçantë zë injektimi i një teorie të përsëritur gjithnjë në kohë të caktuara, e cila njihet si teoria “Ballkani ballkanasve”! Sa herë që në Beograd kanë nevojë të tundin degën e ullirit “në kërkim të paqes” si favor për Serbinë, politikanët e këtij vendi drejtohen nga kjo teori.

Para pak ditësh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e risolli atë në vëmendjen e publikut, kur tha se “ndërhyrjet e huaja kanë bërë që resurset dhe pasuritë e Ballkanit të grabiten nga Fuqitë e Mëdha”. Ishte një përpjekje e tij për të “argumentuar” pse “Mini-Shengeni” është i favorshëm për zhvillimin e rajonit tonë.

Në fakt Vuçiç nxori në sipërfaqe qëllimin e tij të vërtetë. Konfirmoi atë që ne e themi vazhdimisht se “Mini-Shengeni” është një iniciativë, e cila synon devijimin e rrugës së integrimit në NATO e BE të vendeve të rajonit tonë. Ndaj dhe Presidenti i Serbisë iu referua teorisë “Ballkani ballkanasve”, si rrugë e vetme e ruajtjes së sovranitetit të shteteve nga ndërhyrjet dhe ndikimet e huaja. Shkurt, teza “Ballkani ballkanasve” garanton supremacinë serbe në gadishullin ballkanik.

Në të vërtetë kjo teori është sajuar në përpjekje për ta imponuar atë te vendet e tjera, sidomos te shqiptarët, qëllimisht që popujt jo-serbë të mbeten pa mbrojtje përballë ndërhyrjes, ndikimit dhe influencës ruse në Serbi e në rajon. Me këtë projeksion skema “Ballkani ballkanasve” u sajua gjatë Luftrave Ballkanike. Ideja ishte që katër vendet e Aleancës Ballkanike, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të mund të merreshin vesh për ndarjen e territoreve ku jetonin shqiptarët dhe maqedonasit. Më vonë edhe boshnjakët.  Dihet si përfundoi historia jonë në e nga Luftrat Ballkanike. Një shtet në gjysmën e territoreve e me gjysmën e popullsisë shqiptare.

Në vitin 1936 u mbajt në Beograd një konferencë e vendeve ballkanike, ku mori pjesë edhe Turqia. Aty u projektua një program i qartë i teorisë politike “Ballkani ballkanasve”, projekt që drejtohej kundër ndërhyrjeve të jashtme në rajonin tonë. Shqipëria e Mbretit Zog I nuk mori pjesë në këtë konferencë.  Por nuk ndodhi kështu pas Luftës së Dytë Botërore. Projekti serb “Ballkani ballkanasve” u përkrah fuqishëm në vitet 1944-1948 nga qeveria shqiptare e kohës.

Më pas, edhe pse marrëdhëniet me Jugosllavinë herë tensionoheshin e herë zbuteshin, kjo teori u shpërfaq si adekuate në faza të caktuara të regjimit komunist. Madje në fund të këtij regjimi, u organizua në Tiranë Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit, iniciativë kjo e promovuar në fillim në Beograd. Koncepti ramizist për “Shqipërinë as Lindje, as Perendim” u integrua në konceptin serb “Ballkani ballkanasve”.

Milosheviçi gjithashtu e përdori teorinë “Ballkani ballkanasve” si instrument për të kundërshtuar “ndërhyrjen” e Fuqive të Mëdha të Perendimit në “punët e brendshme të Serbisë’, siç ai e konsideronte ndërhyrjen euro-amerikane në Kosovë. Me këtë tezë kasapi i Ballkanit donte t’i kishte duart e lira për asgjësimin fizik përmes vrasjeve dhe dëbimeve të shqiptarëve. Ndërkaq bëri gjithçka që të siguronte ndihmën dhe mbrojtjen e Rusisë për Serbinë. Edhe në takimin e fundit me 23 Mars 1999 me Wesley Clark diktatori Milosheviç përsëriti tezën, sipas të cilës “Na e lini ne zoti gjeneral, se dijmë si të sillemi me shqiptarët”!

Teza që ripostoi në publik Aleksandër Vuçiç është e njëjtë: “Na e lini ne ballkanasve, (saktësisht serbëve), menaxhimin e punëve të rajonit dhe “ne do të dimë si të sillemi me popujt e vendet e Ballkanit Perendimor”.  Që do të thotë si do të silleshin veçmas me shqiptarët, specifikisht me Kosovën. Kjo është teza serbe e teorisë “Ballkani ballkanasve”.

Me këtë tezë Beogradi mbron të njëjtin pozicion si në vitin 1912, si në vitin 1936, si në kohën e regjimit të Titos e të Milosheviçit edhe në ditët e sotme. Pra Serbia po e përdor këtë “ofertë” në harmoni me synimet dhe projeksionet e të kaluarës. “Mini-Shengeni” paraqitet tashmë si mjet dhe instrument i izolimit të rajonit tonë nga BE dhe NATO. Dhe si i tillë do të dëshmohet njëkohësisht edhe si instrument i rritjes së ndikimit dhe influencës ruse në Ballkan.

Ajo që tërheq vëmendjen lidhet me faktin se kësaj teorie “Ballkani ballkanasve” i është bashkëngjitur edhe Edi Rama. Fakti që Kryeministri i Shqipërisë mbështet pa rezerva dhe pa u menduar gjatë iniciativat serbe të rajonit, dëshmon se ka një kimi të qëndrueshme midis politikës serbe dhe politikës së qeverisë së zotit Rama për rajonin tonë. Edhe pse kjo politikë drejtohet kundër Kosovës, edhe pse teoria “Ballkani ballkanasve” synon rikthimin e Serbisë në Kosovë e në rajon si fuqi dominante, Edi Rama është rreshtuar pro teorive të Beogradit.

Gjeopolitika e rajonit tonë na jep mësimin e madh se nuk sjell konflikt në Ballkan prania europiane dhe amerikane. Përkundrazi, mosprania e këtyre aktorëve gjeopolitikë dhe ndikimi i Rusisë e kanë përçarë dhe shkatërruar mundësinë e bashkëpunimit ballkanik. Shkaktarët e Luftës së Parë Botërore ishin serbët dhe rusët, të cilët shpallën mobilizimin e përgjithshëm ushtarak tri orë para Gjermanisë, e cila më pas shpalli mobilizimin e pjesshëm ushtarak të saj.

Prandaj dhe politikanët shqiptarë duhet të refuzojnë me vendosmëri e pa mëdyshje ofertën serbe “Ballkanit ballkanasve”. Kjo ofertë është shkatërrim i interesave tona kombëtare dhe shërbim i padiskutueshëm për interesat serbe në rajonin tone.

©Enver Bytyçi