Nuk e ka fajin Basha, gjejeni tjetërkund!
- Nga: Arben Manaj
Ajo që Basha bëri me ndryshimet e fundit në PD, nuk duhet të habisë asnjë, pasi nuk bëri as më shumë dhe as më pak, se ç’ndodh realisht edhe tek forcat e tjera politike, fatkeqësisht.
Dhe ajo që bëri Basha, nuk është gjë tjetër, veçse, kopjim i një trendi po aq antidemokratik sa edhe Rama, dhe çdo parti tjetër politike që kanë kryetar legjendar, që nuk lëvizin që kur ra komunizmi në Shqipëri.
Hidhini një sy partive politike dhe kryetarëve të tyre. Aty janë që kur s’mbahen mend. LSI madje e shndërroi në trashegimi familjare postin e kryetarit të partisë. Dhe kjo quhet demokraci?! Absolutisht që jo, për askënd. Shih rrushi rushin e piqu.
Askujt nuk mund t’i bësh moral për kalcifikimin e liderëve në krye të partive politike në vend. Aq më tepër të bëjnë moral ata që sot etiketohen kritikë, sepse ranë nga fiku.
Në politikën shqiptare kështu ka qënë dhe do jetë. Secili që vjen në krye do mbajë rreth vetes ata që i ka të besuar.
Kështu bëri Berisha, dhe shumë nga kritikët e Bashës sot, janë ish-konfidentët e Berishës dhe bashkëfajtorë bashkë me Berishën për katandisjen e PD-së në një parti të kundërt me ate që ajo lindi.
Kritikët e Bashës dyshoj se do ishin po kaq vokalë dhe parimorë për shëndoshjen e PD-së, nëse do kishin kapur ndonjë vënd pëllumbash edhe në opozitë, si dikur në pushtet.
Këtë qasje puritane demokratike dhe dëshirë për demokratizim, nuk e dëshmuan kur ishin në pushtet dhe kur nuk i lëvizte kush nga listat e deputetëve dhe ia panë hajrin pushtetit, pasi sot mbijetojnë për mrekulli me të ardhurat dhe gjithçka kanë siguruar nga pushteti shumë-vjeçar me Berishën.
Ndaj janë të pabesueshëm dhe off side dhe ndaj me ta Basha e ka të lehtë. Sa për memorjen politike të PD-së, ajo është sa e keqe aq edhe e mirë, dhe shqiptarët e dinë se ku renditen ata, e rëndësishme është ta dinë ata vetë se në cilën anë gjenden.
Problemi i tyre madhor është pasinqeriteti. Sepse, thellë-thellë, nuk besoj se janë aq naive, pasi kjo do ishte e ububushme.
Ata e dinë se nuk i bien dot Berishës dhe i bien Bashës dhe tentojnë ta minojnë atë, që të rrisin shanset për rikthimin e tyre, pas gjëmës, e të ringrihen të vrarët.
Basha, e kam thënë edhe më herët, nuk është kryetar i PD-së për mua dhe uroj të vijë ajo ditë që ai të bëhet realisht, dhe nga ai moment e më pas, do e gjykoj. Ai sot është i deleguar dhe i dhënë me koncension në atë post.
Lideri i vërtetë, pas kuintave, për të mos u fshehur pas gishtit, është Sali Berisha. Dhe sa kohë, ai do jetë fizikisht gjallë dhe shpirtërisht në PD, ajo parti nuk do shohë hajër në raport me elektoratin shqiptar, që gjithsesi në shumicë është i majtë. Fjalën e kam për segmentin gri të tij.
Do të ishte naive të besoje se listat e deputetëve nuk kanë pasur miratimin e Berishës, do ishte syleshe të besoje se marrëveshja e Bashës me Ramën nuk do kishte vulën dhe aprovimin e Berishës, dhe po aq e leshtë, po të besoje se ndryshimet e fundit nuk do kishin bekimin e Sali Berishës.
Ndaj dhe Berisha hesht, gjë që nuk e bën me asnjë gallatë apo të vërtetë të qytetarit dixhital.
Nuk flet dhe nuk ndërhyn në debatin e kritikëve rreth çështjeve të PD-së, jo se është larguar nga PD-ja, siç pretendohet, por sepse është ai vetë PD-ja, dhe regjizori i gjithçkaje ndodh në PD!
Por kritikët e Bashës e dinë shumë mirë këtë fakt dhe ngaqë nuk kane çfarë t’i bëjnë Berishës, i bien Bashës. Dhe këtu e kanë tërë hallin me elektoratin shqipar.
Plus, nga vetë mënyrat e ideimit dhe funksionimit të partive, si dhe klienteizmit dhe mbajtjes rreth vetes të njerëzve të besuar, është e pamundur të çash Bashën, andaj dhe ai po i forcon pozitat në parti, njësoj si Rama në partinë e vetë apo me keq, Meta përmes gruas, Gjinushi, Milo, apo Mediu etj, etj. Ah po, harrova, edhe jo për nga rëndësia, Nard Ndokën.
Kjo është demokracia shqiptare e vërtetë, demokraci kino-koreane me nota përjetësie alla Xi Ping dhe trajta trashëgimie alla Kim Ir Sen.
Kjo është karma për ata që e toleruan mos-funksionimin e demokracive të brendshme apo heshtën tërë kohës dhe sot habiten përse ranë viktima të keqfunksionimit të saj.
Padyshim, kështu do e pësojnë nesër edhe ata që sot heshtin dhe ngrohin vezët në foletë e pëllumbave nën kujdesin e skifterëve aktualë të politikës shqiptare.
Dhe më e keqja është se u vjen keq, kur u thua se të gjithë njëlloj jeni!
Burimi: gazeta-shqip.com











