Qytetarët presin vetting politik
Afrim Krasniqi
Në Shqipëri kemi parlament e parti politike me individë me precedent penalë. Jo të dyshuar, por të provuar dhe madje krenarë për këtë CV. Qytetarët që mirëpritën reformën në drejtësi nuk e bënë këtë për të hequr nga puna vetem ndonjë prokuror nga qytetet periferike, por mbi të gjitha me shpresën se me një sistem të ri drejtësie do të ketë vetting për politikën dhe politikanët.
Nëse gjyqtarët e prokurorët e korruptuar na vodhën paratë, pronat dhe disa të drejta, politikanët e korruptuar na vodhën atdheun, lirinë, shpresën dhe të ardhmen e fëmijëve. Ndaj janë e mbeten shumëfish më të rrezikshëm. SHBA e di këtë dhe ndaj po jep sinjale, të cilat nuk janë për individin e përmendur si person, por mbi të gjitha janë për sponsorit e këtij sistemi korruptiv, drejtuesit e tij, ata që emërojnë deputetët si biznesmenë e biznesmenët si deputetë, oligarkët e rinj të Shqipërisë.
Rasti "Tahiri" na ndihmon të marrim dy mësime: e para, politika nuk është sport i lehtë që mund të përballohet me sukses nga secili që e kërkon, por është produkt i fazave të gjata të lidhjes midis eksperiencës, aftësisë dhe vullnetit, - dy nga tre elementë që nuk i gjen as tek ish-Ministri i brendshëm dhe as në shumicën e ministrave të dekadës së fundit, në kabinete majtas e djathtas. E dyta, vetëm në një klasë politike pa forcë ndryshimi, pa forcë morale dhe pa integritet mund të ndodhë që simbole dhe yje politike bëhen emra nga më të zakonshmit, përfshirë individë të cilët kurrë në jetë nuk kanë kryer një punë dhe që kurrë nuk kanë arritur të bëjnë diçka të mirë tej buxhetit personal, familjar e klanor.











