Çelja e negociatave dhe thellimi i integrimit europian
- Nga: Arben Malaj

“Struktura e Shteteve të Bashkuara të Evropës do të jetë e tillë që do ta bëjë më pak të rëndësishme forcën materiale të një shteti të vetëm. Vendet e vegjël do të kenë po aq rëndësi sa të mëdhenjtë, si dhe do të fitojnë nderin e tyre duke kontribuar në kauzën e përbashkët” (Churchill, 1946).
Debati për harmonizimin në kohë rreth çeljes së negociatave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dhënies përparësi thellimit të integrimit europian, i theksuar para pak ditësh edhe nga Presidenti Macron, ka rrënjë të thella historike dhe do të vazhdojë të dominojë zhvillimet e BE-së për kohë të gjatë.
Ky proces do të ketë vështirësi sepse çdo hap i mëtejshëm i thellimit të integrimit kushtëzohet nga një dorëzim më i madh i sovrantitetit kombëtare. Aktualisht institucionet e BE-së po tregojnë një vullnet mbështetës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimore.
Është pozitiv mesazhi publik i Z. Junker, President i Komisionit të BE-së, se lënia jashtë proceseve integruese e vendeve të Ballkanit Perëndimore rrezikon rikthimin e konflikteve dhe luftrave. Po të mbajmë parasysh ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas rënies së Murit të Berlinit, mund të konfirmohet se në këtë rajon është arritur paqja, e cila është parakusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për arritjen e mirëqenies dhe propseritetit.
Rritja e mirëqënies, përveç paqes, bazohet në kushte të rëndësishme të funksionimit të shtetit ligjore, të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të dhënies fund të kulturës së pandëshkueshmërisë, të politikave dhe reformave strukturore në fushën e arsimit, shëndetësisë, klimës së biznesit etj. Pra, në qoftë se pa paqe nuk ka prosperitet, pa prosperitet nuk ka paqe të qëndrueshme.
Dështimi në rritjen e të ardhurave reale, dështimi në të drejtën e pronës dhe luftës efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mospasja e një administratë profesionale, kanë rritur zhgënjimin dhe dëshpërimin social në vendet e Ballkanit Perëndimore, rajon i cili shpesh keqpërdoret nga liderë nacionalistë, euroskeptikë dhe radikalë.
Motivimet nacionaliste brenda ose midis vendeve europiane ngadalësojnë reformat e thellimit të integrimit, duke ushqyer kriza financiare, ekonomike, sociale dhe politike jo vetëm në nivel kombëtar por edhe europian. Kjo ka favorizuar nacionalistët dhe euroskeptikët në përfaqësimin politike në vendet e BE-së dhe në institucionet e BE-së.
Lidhur me debatet për çeljen e negociatave dhe avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimore në rrugën e anëtarësimit në BE, në samitin e Selanikut 2003 u theksua e ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor. Një vit më vonë BE u zgjerua me 10 vende të reja nga Europa Lindore, tre vite më vonë anëtarësohen Rumania dhe Bullgaria, ndërsa në vitin 2013 anëtarësohet Kroacia. Pas këtij momenti u krijua idea se dyert e BE-së do të ishin të mbyllura qoftë edhe përkohësishte për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nga kjo dinamikë e zgjerimeve të BE-së dalin në pah dy elementë të rëndësishëm. Së pari, vendet e Ballkanit Perëndimore do të shkeputeshin nga 10 vendet e tjera të BE dhe për to do të kishte një proces më të gjatë, më të kontrolluar dhe më të vështirë. Së dyti, edhe pse do të kishte një proces ndryshe, dera e BE do të ishte e hapur për vendet e Ballkanit, bazuar në parimin e meritës, në plotësimit te kushteve nga çdo vend.
Aktualisht jemi në diskutimin se kur do të anëtarësohen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të këtij procesi. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia presin çeljen e tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnie Hercegovina presin liberalizmin e vizave dhe përfitimin e statusit të vendit kandidat. Përvoja e çeljes dhe perfundimit të negociatave është e ndrysheme për vende të ndryshme.
Bazuar në raportin e Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimore në 2018, debati më i madh është lidhur me vendimin që do të merret në qershor nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Maqedonia ndodhet përballë një momenti historik sepse ka vite që është bllokuar në anëtarësimin e saj në NATO dhe BE nga veto e Greqisë. Fakti që nga Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian është mbështur unanimisht hapja e negociatave midis BE dhe Maqedonisë, ekziston mundësia që ky unanimitet të arrihet edhe në vendimin e Këshillit Europian në takimin e Sofies në Qershor.
Për qeverinë e Zaev, është ndoshta e pamundur ti plotësojë të gjithë kushtet aktuale të qeverisë greke, edhe sepse kjo mund të ushqejë ndjenjat nacionaliste në Maqedoni për të bllokuar vazhdimin e reformave. Mund të ketë edhe opsione win-win që nënkuptojnë gjetjen e kompromiseve për zgjidhje graduale të ndonjë kushti të “pa negociueshëm”.
Nuk duhet harruar që hapja e negociatave nuk është anëtarësim në BE por një hap i ndërmjetëm i cili përfundon me një vendim unanim nga Keshilli Europian per anetaresimin e cdo vendi te ri.
Fakti që procesi nga hapja e negociatave deri në përfundimin e tyre është relativsht i gjatë, mund ta lehtësojë plotësimin në mënyrë graduale të kushteve të vendosura nga Greqia ndaj Maqedonisë. Ndoshta Greqia mund të “tolerojë” anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në, duke qënë se për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Greqia nuk e ka humbur mundësinë e “vetos bllokuese”, nqs kjo do të jetë e domosdoshme.
Lidhur me vendin tonë, kjo duket më e mundëshme, pasi aktualisht të gjitha vendet në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian u kanë propozuar liderëve të tyre në Këshillin Europian hapjen pa kushte të negociatave.
Sigurisht mesazhet edhe të drejtpërdrejta theksojnë se fillimi i reformës në gjyqësor dhe rezultatet e para pozitive kërkojnë të plotësohen me një luftë më efektive kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe dhënies fund të kulturës së pandërshkueshmërisë.
Vendi yne e meriton hapjen e negociatave dhe angazhimi i perbashket i të gjitha forcave politike e lehteson vendimin e Keshillit Europian dhe nisjen pa vonese te tyre.
Procesi i negociatave nuk po mbivendoset me procesin e thellimit të integrimit. Thellimi dhe zgjerimi kanë një sinergji pozitive nga ndryshimi i secilës prej tyre.
Thellimi i integrimit lehtëson zgjerimin. Zgjerimi i BE-së rrit hapësirat e vlerave europiane në të gjithë kufijtë e saj edhe gjeografikë, duke i bërë më të qendrueshme, më të plota dhe më mirë të shperndara përfitimet e anëtarësimit në bashkesinë më të madhe globale që promovon dhe mbështet demokracinë, paqen dhe prosperitetin.











