Opinione

SHBA, Sejfulla Malëshova, Petro Marko dhe kurthi historik serb

Nga: Ndue Ukaj

Petro Marko, shkrimtar i jashtëzakonshëm, idealist dhe i kulturuar, duke u “rrëfyer para historisë”, në librin autobiografik, "Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)", kështu e përshkruan Partinë Komuniste të Shqipërisë:

"Të them të drejtën, unë çdo gjë të rinisë dhe të jetës sime ia kam kushtuar idealeve të komunizmit, ndaj edhe u bëra anëtar i partisë spanjolle, franceze dhe italiane. Po pse nuk u bëra këtu anëtar i partisë? Këtë e kam thënë, se në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova më porositi. Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët, prandaj ti mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit. Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtim."

Shqiptarët, ndonëse të lirë dhe pa pranga robërie, nuk po arrijnë të lumturohen. Ata, për çdo ditë e më shumë, përpara botës shfaqen të përçarë dhe të trullosur.

Shqiptarët, për ditë e më shumë shfaqen të shkërmoqur dhe pa shpresë, të topitur dhe pa ideale të mëdha, prandaj, duke i lexuar shenjat e kohës, dhe, duke marrë mësim nga e kaluara, ata duhet të pyesin: a jemi çliruar vërtet nga ky kurth historik, për të cilin na flet Petro Marko?

Rrëfimet autentike të Petro Markos, një idealisti të madh, po ashtu përforcohen nga rrëfimet e At Zef Pllumit, i cili në kujtimet e tij thoshte se politika shqiptare atëbotë bëhej në Beograd.

Sot, duket se raporti Beograd-Ankara funksionon perfekt, por në dëm të interesave shqiptare.

Dhe, këtë, si dikur, na thotë David Phillips, por edhe shumë dashamirës tanët.

Prandaj, duhet t’i hapim sytë dhe t’i dëgjojmë këshillat që na vijnë nga miq të vërtetë.

Ai dje na qortoi. Na foli me gjuhën e njohësit të raporteve politike, duke na thënë: “Shqipëria dhe Kosova duhet ta marrin seriozisht rrezikun rus dhe turk.”

Kjo thirrje, më tingëllon si thirrja e Sejfulla Malëshovës për Petro Markon.

Shqiptarët, në fillimet e komunizmit, nuk iu besuan atyre që tregonin për lidhjet e Partisë Komuniste të Shqipërisë me Beogradin. Por, pasojat po i vuajnë edhe sot.

Në fakt, ato pasoja i vuajnë të gjithë shqiptarët, sepse, siç thotë Petro Marko, Kosova atëbotë u shit, e bashkë me të, krejt interesat e shqiptarëve.

Sot, ne kemi një grimë liri dhe mund të kukurisim sa të duam. Askush nuk na e kalon për llafologji, por punët nuk i kemi kurrkund, ndonëse megalomaninë e kemi në qiell.

Kambanat po bien dhe ne duhet t'i hapin sytë, t’i lexojmë shenjat e kohës, dhe t’i dëgjojmë me vëmendje të shtuar këshillat e miqve.

Nëse nuk do t’i dëgjojmë, ka rrezik serioz që pasojat t’i paguajmë gjatë.

Dhe, një ditë, do të vijë fundi, dhe do të detyrohemi të rrëfehemi para historisë, siç bëri Petro Marko, rrëfimet e të cilit janë tejet të dobishme dhe udhërrëfyese edhe për kohën tonë.

Atëherë, shumëkush mund të turpërohet …