Partitë shqiptare, biznese informale dhe të korruptuara
- Nga: Afrim Krasniqi
Në cilin vend të botës demokratike mund tu thuhet qytetarëve, mos shkoni në institucione për ankesa e kërkesa, por shkruajini portalit të shefit, portal që ka ngjyrën dhe simbolin elektoral të partisë?
Askund! Në Shqipëri po!
Madje shkohet edhe më tej. Një urdhër administrativ detyron çdo institucion t’u japë përparësi në shqyrtim ankesave që vijnë nga portali dhe jo atyre qytetarëve që mund të kenë zënë radhën në pikat e pritjes që në 6 të mëngjesit.
Mesazhi? Kot pret, kot lodhesh, shkruaji partisë dhe partia është zgjidhje!
Nga ana tjetër, kemi një opozitë, e cila në kulmin e kritikës për krizë identiteti e drejtimi ka vendosur që zgjidhja të mos vijë nga reformimi, hapja, ndryshimi, profilizimi dhe alternativa, por nga tapia me letra e zyrave, vulës dhe vendimmarrjes.
Paradoksi shkon edhe më tej. Rreth 1 vit nga humbja e thellë në zgjedhje askush, e përsëris, askush nuk ka dhënë dorëheqje. Asnjë nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe për pasojë, opozita duket se ndjehet komode me rënien e saj në pikiatë.
Unë nuk besoj se partitë tona janë kliente ruse, siriane apo greke, siç janë tri kompanitë që ato kanë zgjedhur për lobing, por besoj se partitë tona janë bizneset më informale dhe më të korruptuara në vend.
Një qytetari që shet misra të pjekura në rrugë i shkojnë në ditë dy kontrolle policore, nga bashkia dhe tatimet. Kurse partitë, ato që menaxhojnë miliarda nga lekët tona, nga pasuritë tona, nga borxhet tona, nga kreditë tona, nuk kanë as kontroll, as të dhëna, as deklarim real dhe as mekanizëm verifikimi. Ato janë të paprekshme dhe konsensualisht abuzuese. Dallimi i vetëm është se cila fiton më shumë, cila qarkullon më shumë dhe cila ka klientelë më të madhe.
Nëse Shqipëria do kishte shtet të së drejtës, shteti nis këtu: kontroll partive me të njëjtin standard siç kontrollojmë qytetarin e thjeshtë, kioskën e lagjes, llogarinë e çdo polici apo faturën e ujit. Pa ndodhur kjo, gjithçka tjetër rreth premtimit për shtet, ligj, drejtësi, etj, është thjesht retorikë demodé dhe pa fryt.











