Opinione

Si pastrohen paratë përmes artit modernist - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Kur shihni ndonjë pikturë apo vepër të shëmtuar dhe një çmim stratosferik përkrah saj, a keni menduar ndonjëherë se po ju nënvlerësojnë inteligjencën? Sikur duan t’ju hedhin hi syve? Mua më ndodh jo vetëm kur i shoh nëpër ekspozita, por edhe kur i shoh në kronika televizive, apo rrjete sociale.

Arti thuhet se është subjektiv; çfarë më duket mua e bukur nuk të duket ty. Por ama, a ia vlen kjo banane në mur 120.000$? E pra, ja që Maurizio Cattelan u pagua kaq për këtë banane.

Lihet vend për dyshim se pas këtyre vlerave jo të arsyeshme dhe artit pa art, qëndrojnë ose lëvizjet anti-vlerë ose aferat korruptive, transaksione parash të pista, shkëmbime favoresh mes njerëzish me pushtet apo manovra fiskale.

Ja për shembull, kujtoj këtu 100 pikturat e ekspozuara nga Edi Rama në Galerinë “Michael Schultz” Berlin, Gjermani. Ishin ca shkresa zyrtare të ngjyrosura gjatë momenteve të nervave, perpleksitetit apo boshimit të mendjes të kryeministrit shqiptar. Të gjitha bashkë llogariteshin t’i siguronin Ramës 150 mijë euro në llogari dhe një justifikim të mirë për të ardhurat e padeklaruara të tij, siç janë ngritur pretendime në media.

Në fakt Shqipëria ka plot piktorë të talentuar që nuk mund të ekspozojnë dot as një pikturë të vetme jashtë vendit e jo më 100 të tilla. Sa prej këtyre piktorëve më të talentuar se Rama kanë shitur piktura sa kryeministri? A nuk të bën të besosh se gjithçka që ka ndodhur në atë galerinë gjermane nuk ka lidhje me artin por me abuzimin me pushtetin, dhe paranë e dyshimtë?

Me nam për vlerën e shitjes në raport me të bukurën, është tabloja e Cy Twombly, piktorit amerikan që e zhvilloi karrierën e tij artistike përmes galerive italiane në New York dhe Romë. Kjo tabloja poshtë e titulluar “Untitled” (1968) është shitur për 70.5 milion dollar në 2015 pas vdekjes së autorit. (verifiko po s'besove tek sothebys.com)

 

Mua më duket si një dërrasë e zezë shkolle shkarravitur me shkumës. Ndodh që unë nuk jam kuratore arti, as kritike, as studiuese, ama nuk shoh asgjë estetike në këtë tablo. Dhe ndihem si jashtë sistemi krejt kur lexoj artikuj mbi të dhe kërkoj akoma mbi autorin të marr vesh mbi artin e tij. Dhe e dini çfarë, një tablo e tij, thjesht e bardhë mbi telajo, krejt e bardhë pra, është shitur 1.3 milion dollarë. Ky piktor-thonë kuratorët është aq fantastik saqë i duhen vetëm 15 minuta të përfundojë një vepër.

I thashë Henrit, djalit tim 9 vjeçar. Ke 10 minuta kohë të ngjyesh me një bojë këtë telajo, e bën dot? Në fund do t’i vendosësh një çmim. Ok?

Dhe im bir, i motivuar prej parave, e mbaroi për 9 minuta një tablo në akrilik. Ma shiti 50 dollarë. Por nuk na pëlqeu ta linim me aq. Kështu që nevojitej dhe shkronja H për firmë.

Tani, imagjinoni këta tipat që duan të pastrojnë para, që shkojnë tek një artist i panjohur, ia blejnë pikturat e sotme dhe ato të ardhshme me një çmim të lirë. Shkojnë më pas me këto piktura në një galeri arti, ku sigurisht bëhen disa bisedime përqindjesh dhe kërkojnë ekspozimin dhe shitjen e tyre me çmime kacafiu. Për autorin e panjohur bëhet një reklamë e paguar duke e quajtur si ndonjë të famshëm të huaj, me art të jashtëzakonshëm.

Normalisht, bazuar në psikologjinë e përrallës fantastike "Rrobat e reja të mbretit" njerëzit marrin qëndrime prej artdashësi kur hyjnë në galeri arti dhe zor se lëshojnë ndonjë kritikë. Që të duken se marrin vesh nga dynjaja, pohojnë dhe pranojnë si art edhe shkarravinat, edhe bananet e daktosura në mur, edhe copat e plehrave, edhe shkresat zyrtare të ngjyrosura e zhubravitura. Autori ose bashkëpunëtori i aferës korruptive hyn në treg, pikturave të tij u rriten çmimet artificialisht.

Pikturat shiten, ndodh të blihen nga snobët që kujtojnë se marrin vesh nga arti. Ndodh të blihen nga vetë rrjeti kriminal, të cilët i koleksionojnë, i mbajnë për shumë vite të fshehura dhe i nxjerrin kur ua kërkon puna. Ose thjesht i grumbullojnë të përfitojnë nga mostaksimi. Kështu qarkullojnë paratë e pista dhe pastrohen në lavatriçet e arteve të bukura.  

Arti duket se qenka rruga më e lehtë dhe pa kontroll për pastrimin e parave por edhe për t’ia hedhur taksave. Çmimet e tablove nuk janë të rregulluara me ligj. Në një biznes tjetër është vështirë. Për shembull, nuk mund të shesësh 600 mijë dollar një fustan, ndërsa një pikturë po, mundesh, sepse siç e thamë arti është i paçmuar (edhe pse në fakt nuk është kaq e vërtetë me ç’na kanë parë sytë).

Për shkak se ky lloj marifeti po ecën me sukses, galeritë e artit janë shtuar e kthyer në lavatriçe. Ato nuk pyesin për cilësi e standard sepse arti “nuk gjykohet”, ai shijohet ashtu siç është. Për këtë argument, gazetarja e njohur e çështjeve të artit Georgina Adam ka shkruar librin “Dark Side of the Boom: The excesses of the art market in the 21st century”, ku shtjellohen gjerësisht lidhjet e artit me skemat e pastrimit të parave. 

Një tjetër manovër evazioni fiskal dhe pastrimi parash të ngjashme me galeritë e arteve janë edhe seminaret motivuese apo shpirtërore. I keni vënë re çmimet e tyre besoj?

Prandaj mos u çudisni kur persona të njohur publik, politikanë të korruptuar apo bij të tyre shesin papritmas veprat e tyre të rëndomta me shifra marramendëse, ose shfaqen si guru nëpër salla hotelesh të shtrenjta.

Kjo thjesht sepse janë pjesë e skemave të pastrimit të parave të korrupsionit. Arti i tyre i vetëm është mashtrimi dhe vjedhja.

©Jeta Dedja