Riafrim politik i Abazoviçit? - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Politikës dhe opinionit të vëmendshëm nuk duhet t’i ketë shpëtuar një detaj që duhet të reflektojë te çdo shqiptar. Aktualisht, Abazoviçi në skenën politike është i pakontestueshëm dhe i pakrahasueshëm për shumëçka. Ai befasoi këndshëm me sharmin politik, që përcillet me pjekuri politike të avancuar dhe intelektualitet, por edhe vlera tjera.
Për dallim nga shumica e politikanëve shqiptarë, përfshi edhe ata në Shqipëri ku problemet ndëretnike sensibël nuk janë agjendë, dallueshmëria është e theksuar, me Maqedoninë e Veriut edhe më shumë. Kur vetëm krahasojmë, dallimi është evident. Shembull, gjersa Ali Ahmeti tani njëzetvjet në pushtet, më specifikisht me dekada promovon virtualisht kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Abazoviçi për më pak se një vit qeverisje, të tjerët përfshi edhe ndërkombëtarët, e promovojnë për Kryeministër të Malit të Zi.
Vërtetë zhvillim impozant për çdo shqiptar në Malin e Zi, shtet me më pak shqiptarë në numër, politikë shqiptare jo e eksponuar, kontribues minor në buxhetin e shtetit, për dallim nga e kundërta në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët këtu u lodhën dhe u molisën duke u lutur dhe dëshmuar për t’ua dhënë karrigen e Kryeministrit të vëndit, apo thënë edhe më shtruar për t’u besuar se janë shtetdashës. Por ma thotë mendja, si do bëjnë Kryeministër shqiptar këtu, gjersa z. Ali Ahmeti si lider njëzetëvjet në qeveri, asnjëherë nuk është ulur në karrigen e Zëvendëskryeministrit të parë që i takon, kurse foltoren e Parlamentit edhe njëherë të vetme nuk e ka nderuar me fjalimet e tij? Siç duket, lideri harron se Parlamenti është fushëbetejë politike dhe jo fushëbetejë e luftës.
Sidoqoftë, edhe një moment tjetër po aq për vëmëndje: Rama në zgjedhjet e fundit parlamentare në Malin e Zi mbështeti publikisht Gjukanoviçin, ish-komunistin e rryer, të moderuar në politikë, të akuzuar edhe për shpërdorime abuzive. Në përfoljet e këtilla ashpër u përfshi edhe Abazoviçi dhe kjo paragjykoi vendimin politik të tij kundër Gjukanoviçit dhe nuk “lexoi” Ramën, në favor të integritetit të tij politik. Sot si më së miri, Abazoviçi dhe Gjukanoviçi në kohë dhe zhvillim të duhur u përputhën në rrugën evropiane të Malit të Zi. Kjo për fatin e mirë të Malit të Zi, epilogoi me rrëzimin e qeverisë proserbe të Krivokapiçit, me iniciativë të shqiptarit Abazoviç, me përkrahjen impozante të Gjukanoviçit.
Imagjinoni të rrëzojë qeveri maqedonase Ali Ahmeti, të mohojë Ballkanin e Hapur, qoftë edhe për interesin e shqiptarëve, gjë që nuk e bëri kurrë. Vallë, a është kjo utopi sipas Ahmetit, apo politikë avancuese sipas Abazoviçit? Vallë, politika jonë në Maqedoninë e Veriu ka mbetur në analet e vëllazërim-bashkimit apologjet, apo ajo e shqiptarëve të Malit të Zi e moderuar ecën drejt shekulli të ri?
©Xhevdet Nasufi












