Opinione

Duhet një këshill i përbashkët për bisedimet me Serbinë

Nga: Harry Bajraktari

Kosovën në muajt e ardhshëm e presin ditë të vështira rreth vazhdimit të bisedimeve politike në mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto bisedime me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, pritet të zgjidhin kontestet kryesore që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Me Serbinë po negociohet më shumë se dy vjet, dhe për një mori çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, konsiston në faktin se Beogradi nuk po e bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër akuzon Prishtinën për ngecjen e tyre, gjë që nuk është e saktë as e vërtetë.

Politika serbe kur është në pyetje çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerr pretekste të ndryshme, të paqena, për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me probleme të tjera të inskenuara.

Nisur nga fakti se dialogu në mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë një fund, e jo zvarritje të pakufishme, tani Bashkësia Evropiane, si duket, do të ndërmarrë hapa më serioze që këto negociata të përfundojnë në vitin 2019, kur do të nënshkruheshin marrëveshjet përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Një gjë është e qartë, vazhdimi i dialogut në muajt e ardhshëm do të jetë shumë i vështirë dhe i komplikuar, duke i marrë parasysh pretendimet e Serbisë që të mos e njohë Kosovën si shtet, e në anën tjetër të bëjë përpjekje të hyjë në Bashkësinë Evropiane.

Duke pasur parasysh situatën aktuale politike rreth dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, unë, me këtë rast, dua të shpreh opinionin tim për domosdoshmërinë për formimin e një Këshilli të përbashkët nga të gjitha partitë politike parlamentare, ku ato do të merrnin përgjegjësinë politike rreth dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara.

Një Këshill të kësaj natyre e pat krijuar edhe ish-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë bisedimeve në Vjenë që zgjatën nga 2005-2007 nën udhëheqjen e ish-Presidentit finlandez Athisari. 

Mendoj se në këtë Këshill të përbashkët do të duhej të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë sot në parlament.

Vetëm me një pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet e zorshme me Serbinë në Bruksel. Në të kundërtën, në çfarëdo mënyre që të nisemi për atje, do të jemi të dobësuar.

Kur është çështja shtetërore e kombëtare, kapërcimi i interesave partiake, grupore dhe individuale është i domosdoshëm. Me asgjë nuk mund të arsyetohet refuzimi i ndonjë subjekti politik në këtë situatë.

Çështja e formimit të Asociacionit të Komunave serbe, ku Bashkësia Europiane ka caktuar një afat, do të jetë ndër problemet e ndërlikuara të këtyre bisedimeve. Derisa Beogradi kërkon qe Asociacioni i Komunave serbe, të ketë kompetenca ekzekutive, Kosova duhet të jetë e prerë që kjo bashkësi komunash të krijohet sipas bazës kushtetuese të Republikës së Kosovës, e jo të lejohet që brenda saj të sajohet një Republikë sebe, si ajo në Bosnje, apo çfardo autonomie tjetër që pretendojnë serbët, veç asaj sipas ligjeve të Kosovës.

Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët, garanton siguri dhe besueshmëri para qytetarëve të Kosovës në këto bisedime me Serbinë, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetin e Kosovës ndërkombëtarisht.

Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe themelues i gazetës Illyria.

Burimi: illyriapress.com