Rrethi vicioz shqiptar
- Nga: Afrim Krasniqi
Një rast tjetër i humbur në testin e institucioneve. Në vend që Prokuroria dhe Policia të ndërmerrnin hetime mbi akuzat reciproke dhe në fund të tyre të kishim vendim zyrtar për cilindo që ka shkelur ligjin, dosjet kriminale vijojnë të trajtohen nga selitë e partive dhe konferencat e shtypit në dy anët e Lanës.
Në vend që drejtësia të flasë dhe politikanët t’i binden asaj, janë vetë ata, kryeministra e ministra, deputetë e politikanë, që ia lejojnë vetes të bëhen hetues, ekspertë audio, prokurorë dhe gjyqtarë.
Ata, të cilët kur janë në opozitë flasin për moralin dhe premtojnë politikën e moralshme, por kur vijnë në pushtet refuzojnë të bëjnë lidhje midis moralit e politikës, madje e konsiderojnë moralin një cilësi arkaike, demode dhe spekulative, ata janë arsyeja përse vijojmë të jemi në rreth vicioz, të marrë peng nga një pakicë oligarkësh dhe spekulantësh politikë.
Një muaj përpara vendimit të shteteve të BE për Shqipërinë, elita drejtuese politike në dy anët e Lanës ia ka arritur. Jemi në trenin e shanseve të humbura. Alibia?
Evropa është gjeopolitikë dhe nuk është faji ynë. Në fakt, në Evropën gjeopolitike gjermane, franceze apo holandeze, vitet e fundit ka ndodhur të kemi një president të dorëhequr sepse pranoi një fundjavë pushimi me kosto 1150 euro, një tjetër president nën hetim sepse pranoi një donacion elektoral 50 mijë euro për partinë e tij dhe një ministër të jashtëm që dha dorëheqje sepse deklaroi se ka qenë në një konferencë ku në fakt nuk kishte qenë.
Imagjinoni nëse ata do vlerësoheshin me standardin shqiptar? Imagjinoni nëse një politikan shqiptar akuzohet se pranoi dhuratë 1150 euro, se një donacion elektoral ishte 50 mijë euro apo se një deklaratë në parlament ishte jo etike?
Në Shqipëri, nëse ata do gëzonin shëndet, do të ishin sot e mot presidentë e ministra, të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, pasi tek ne morali nuk ka lidhje me politikën. Tek ne secila parti ka shtetin e vet, kushtetutën e vet, ligjin e vet. Secili lider politik ka turmën e vet vrasëse në rrugë, kuti votimi, media e Facebook.
Ndaj distanca jonë me Evropën reale është dhe mbetet po aq e largët sa distanca midis modelit të banesës me 4 dhoma të Kancelares në Berlin dhe modelit tonë të vilave në Gjirin e Lalzit, në Farkë apo Surrel.











