Opinione

Ambasadorët e panjohur të Shqipërisë - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi

Kontakti i parë i Shqipërisë dhe pasqyrimi i vlerave të saj nëpër botë pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm 1945-1990, ishin pikërisht njerëzit e thjeshtë të saj që u larguan nga vendi në kërkim të një jete dhe kushteve më të mira. Pikërisht, në datën 2 korrik 1990, një datë që nuk ka për t’u harruar lehtë nga memoria kolektive e shqiptarëve filloi dhe shtegtimi i gjatë i tyre nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë por dhe në përsosje të vetvetes si individë për të mbijetuar dhe përshtatur në një botë që e njihnin vetëm nëpërmjet valëve të para fshehurazi të Televizionit italian.

Sigurisht, që në këtë emigrim masiv të shqiptarëve nuk mund të gjeje gjithë ajkën e shoqërisë sepse ashtu si dhe në vendet e tjera që popullsitë u kishin emigruar do të gjeje aty dhe aventurierë, njerëz të papërgjegjshëm, njerëz lehtësisht të asimilueshëm apo dhe të ekspozuar ndaj aktiviteteve kriminale, por ajo që mbizotëroi në përgjithësi ishte se shumica e shqiptarëve emigrantë arritën të mbijetonin dhe përshtateshin mirë në vendet ku emigruan.

Me punën e tyre të ndershme dhe pasionin për të ndryshuar shpejt jetën e tyre ata ndryshuan gradualisht dhe opinionin dhe mentalitetin e shoqërive vendase ku ata emigruan. Për tëcrealizuar këtë qëllim ata arritën përmes një kalvari të gjatë dhimbjesh dhe vështirësish që mund të shprehet shumë mirë dhe nga statusi i tyre në gjuhët e vendeve pritëse dhe gjuhën shqip, në fillim si refugjatë dhe pastaj të quajtur emigrantë të jashtëligjshëm dhe së fundi emigrantë dhe qytetarë të vendeve ku banojnë dhe punojnë.

Ndryshimet në jetën e tyre u pasqyruan dhe në ndryshimet në shoqërinë shqiptare, pasi një pjesë e tyre punoi për një farë kohe në dhe të huaj dhe u kthye sërish në atdhe duke sjellë eksperienca dhe detaje të rëndësishme të jetës së tyre në emigracion. Kështu, të paktën dy breza u edukuan me kulturën e punës dhe morën kontakt të drejtpërdrejtë me qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Në këtë mënyrë në bazë të kursimeve të tyre ata u bënë nga kontribuesit kryesorë të ekonomisë së rilindur shqiptare dhe në sajë të guximit të tyre për të investuar u rigjallëruan shumë sektorë të ekonomisë së shërbimeve që ishin paralizuar prej kohësh.

Duke pasur parasysh këtë kontribut real të emigracionit në ringjalljen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë është e udhës që vëmendja shtetërore të jetë më e madhe ndaj problemeve dhe vështirësive që ata hasin në jetën e përditshme aty ku banojnë dhe punojnë. Pajisja me pasaporta me anën e përfaqësive tona diplomatike është një hap i mirë dhe për tu përgëzuar, por e rëndësishme do të ishte dhe tërheqja e kapitaleve të tyre këtu për të investuar në mënyrë të tillë që ekonomia shqiptare të mos mbetet e varur vazhdimisht nga remitancat e tyre, por nga investimet e drejtpërdrejta.

Kjo gjë do të sjellë jo vetëm hapje vendesh të reja pune, mirëqenie dhe zhvillim, por do të ri-integrojë në shoqërinë tonë një pjesë vitale të saj të konsideruar deri më tash periferike sepse nëse këto vite tranzicioni do të kishin nevojë për të vendosur një statujë në piedestal, aty patjetër duhet të ishte ajo e “emigrantit të panjohur”, që duke punuar ndershmërisht ka përfaqësuar shumë mirë Shqipërinë, ka ndihmuar familjen e vet në Shqipëri dhe rrjedhimisht ka kontribuuar kaq shumë në zhdukjen e plagëve sociale si varfëria dhe mjerimi.

© Dorian Koçi

Tabloja lart, “Emigranti” nga Agim Sulaj.