Narcizizmi si sëmundje kolektive e Perëndimit - Nga Dritan Goxhaj
Midis datave 16 dhe 18 shkurt u mbajt në Mynih të Gjermanisë konferenca vjetore mbi sigurinë, ose siç njihet tashmë Konferenca e Sigurisë e Mynihut. Kjo konferencë sivjet përkoi me dy vjetorin e luftës në Ukrainë, edhe pse lufta ka filluar 4 ditë më vonë, me datë 22, por ajo ka simbolikën e saj, pasi aty e ka fillesën gjithë kjo luftë që po zhvillohet në Ukrainë midis Perëndimit-NATO-s dhe Rusisë.
Ishte pikërisht në këtë konferencë të vitit 2007 që presidenti i Rusisë Putin mbajti një fjalë në të cilën që nga fillimi i saj e deri në fund u mundua t’i tërhiqte vëmendjen gjithë Perendimit që të mos shtyhej më drejt Rusisë dhe të qëndronte larg kufijve të saj, pasi çdo përpjekje për t’u afruar ushtarakisht në kufijtë e saj do të konsiderohej nga Rusia si një veprim që do i jepte fund bashkëpunimit të deriatëhershëm të tyre dhe do të konsiderohej si një përpjekje drejt cënimit të ekzistencialitetit të vetë shtetit rus.
Fjala e Putinit atëherë, por jo vetëm atëherë, u nënvlerësua totalisht. Gjithë Perëndimi i marrë së bashku, pra Perëndimi kolektiv deri më datën 22 shkurt të vitit 2022, e konsideronte Rusinë, sipas shprehjes së senatorit amerikan Lindsey Graham “Një pompë benzine e maskuar si shtet”. Po i njëjti nënvlerësim erdhi edhe më pas për gjithë rritjen e kapaciteteve ushtarake ruse nga viti në vit, si dhe u vazhdua nënvlerësimi i kapaciteteve ushtarake, doktrinale dhe operacionale të ushtrisë ruse.
Një nënvlerësim i cili vinte dhe vjen edhe si pasojë e njohjes së gabuar të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Por Perëndimi kolektiv përveç nënvlerësimit total ndaj Rusisë bëri edhe gabimin tjetër fatal (që në fakt filloi që nga viti 1991, vit në të cilin u shpërbë Traktati i Varshavës), mbivlerësoi veten, fuqitë dhe kapacitetet e veta ushtarake. Dhe në fushën e psikologjisë dhe të mjekësisë, kur dikush nënvlerëson totalisht dikë ose diçka dhe krijon idenë e mbivlerësimit për veten, vuan nga ajo që këto dy shkenca e konsiderojnë si sëmundja e narcizizmit.
Të rënë në këtë gjendje narcizimi edhe kësaj radhe në Konferencën e Mynihut të këtij viti u fol vetëm për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe për islamofobin Navalni (si politikë të partisë së tij propagandonte zhdukjen e gjithë myslimanëve në Rusi dhe e konsideronte shtetin rus vetëm të të krishterëve ortodoksë).
Duket qartësisht që narcizimi nuk e ka lejuar as kësaj rradhe Perëndimin kolektiv që të shohë realitetin. Realitet i shpjeguar nga një raport i FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) në fund të vitit që shkoi se “sanksionet nuk e kanë dëmtuar aspak Rusinë, dhe ekonomia e saj ka pësuar rritje më shumë se ekonomia e vëndeve të G7”. I mbytur nga narcizismi, Perëndimi ka menduar se Rusia është si Shqipëria, një vend i vogël ku pushteti merret dhe mbahet me ndihmën e bandave dhe banditizmit.
Rusia është një vend i madh dhe vendet e mëdha, nëse funksionojnë në kuadër të banditizmit e humbasin centralizmin dhe shpërbëhen. Ndërsa vende si Shqipëria mund të drejtohen dhe mbahen me banditë. Sepse aktualisht e gjitha çka qeveria e Shqipërisë bën, është thjesht dhe vetëm banditizëm ndaj popullit të vet dhe për këdo që do të ndihet keq mjafton të shikojë definicionin e banditizmit në Wikipedia: “Termi banditizën aplikohet për ata që vetëm ose në grupe kryejnë akte të jashtëligjshme në vepra të cilat janë grabitja, pengmarrja dhe gjobëvënia”.
Po ky lloj narcizizmi bëri që Perëndimin kolektiv ta çojë drejt shkatërrimit ushtrinë më të madhe të Europës, atë të Ukrainës, pasi në fillim të vitit 2022, Ukraina kishte ushtrinë më të madhe dhe më të përgatitur të gjithë Europës. Dhe në kuadër të narcizimit duke nënvlerësuar totalisht kapacitetet dhe aftësitë ushtarake të ushtrisë ruse nuk e la Ukrainën që të dakordohej për një marrëveshje paqeje në fillimin e këtij konflikti, që sërish Perëndimi për shkak të narcizizmit e konsideron luftë, ndërsa Rusia thjesht si një operacion ushtarak, edhe si pasojë e nënvlerësimit dhe mosnjohjes së doktrinës ushtarake ruse.
Në këtë doktrinë Rusia i ndan veprimet luftarake në dy grupe. Në Teatër Lufte dhe në Teatër Operacional të Luftimit. Po në këtë kuadër çdo lloj angazhimi i forcave ruse jashtë territorit të saj konsiderohet vetëm si Teatër Operacional Luftimi dhe për këtë arsye ajo e quan thjesht Operacion Special. Dhe ky shpjegim në doktrinën ushtarake ruse është i tillë që mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi Teatër Lufte ata konsiderojnë vetëm atëherë kur gjithë shteti angazhohet totalisht në luftë dhe bëhet mobilizimi i përgjithshëm i gjithë popullsisë dhe ekonomisë vetëm në shërbim të luftës.
Narcizizmi nuk e lejon Perëndimin kolektiv që të shohë realitetin në terren ku tashmë që dy vjet të plota në këto përplasje ushtarake ushtria ukrainase është shkatërruar plotësisht, ku numri i të vrarëve 377,324 e ka ka kaluar numrin e forcave ushtarake aktive aktualisht 366,400. Gjithashtu është shkatërruar çdo lloj sistemi armatimi dhe lloje armatimi që Perëndimi i ka dhënë Ukrainës, është treguar që ato armatime dhe sisteme të ndryshme perendimore nuk kanë qënë të përshtatshme për një luftë të tillë, por vetëm për operacione të shkurtra e të vogla për vende të izoluara e jo me kapacitete ushtarake si të Rusisë.
Edhe pse para disa ditësh revista prestigjoze “Forbes” shkruante “Ukrainës i duhen 200,000 predha artilerie në ditë që të mund të ndalojë avancimin e forcave ruse në Ukrainë”, sërish Perëndimi kolektiv i qorruar nga narcizizmi nuk e sheh se nuk është në gjendje t’i japë Ukrainës një sasi të tillë, pasi gjithë sasia e predhave që ka prodhuar gjithë Perëndimi së bashku vjet ka qënë 400,000 në vit, ndërsa për sivjet kanë planifikuar vetëm 600,000 të tilla, që sipas revistës “Forbes” do të plotësojnë nevojat vetëm për 3 muaj për Ukrainën, por edhe ato në vitin tjetër sepse kjo sasi do të prodhohet për gjithë vitin 2024.
Ndërsa në fillim të këtij muaji dy gjeneralë perëndimorë, Gjeneral-Majori në pension Mik Rajan (Mick Rayan) i ushtrisë australiane, dhe Gjeneral-Leitnanti Klinton Hinot (Clinton Hinote) i Forcave Ajrore Amerikane kanë bërë një raport për Pentagonin në të cilin theksojnë “Menjëherë pas Luftës së Ftohtë ndodhën disa gara të njëanshme në fushën e betejës, ku ushtritë aleate dominuan shpejtë kundërshtarët të mbërthyer në paradigma të vjetra. Fatkeqësisht tashmë ky avantazh është gërryer me shpejtësi të madhe”. Ndërsa diku më poshtë në raportin e tyre pranojnë se “Sistemet perendimore janë bërë aq të shtrenjta sa operatorët e tyre kanë frikë t’i përdorin - duke shkatërruar kështu gjithë idenë e luftës”.
Duke qënë se narcizizmi nuk të lejon ta shohësh realitetin dhe as ta pranosh atë, Perëndimi kolektiv sërish po e nxit Ukrainën për të vazhduar konfliktin, edhe pse tashmë është reale pamundësia e Ukrainës për të ndalur avancimin e forcave ruse, të cilat si për kastile, një ditë para Konferencës së Mynihut arritën të marrin totalisht nën kontrollin e tyre një nga qytetet më të fortifikuar të forcave ukrainase, atë të Avdijkës.
Tashmë ukrainasve u kanë mbetur vetëm dy vëndgrumbullime të fortifikuara, ai i Shasov Jar dhe linja e fortifikuar ne Kramatorsk. Aktualisht Shasov Jar është duke u rrethuar nga forcat ruse që po përparojnë ngadalë. Në momentin që edhe këto dy fortifikime do të bien në duart e rusëve, atëherë Ukraina nuk do të ketë më asnjë lloj mundësie për të ndalur avancimin e tyre deri në brigjet e lumit Dniepër.
Edhe pse Ukraina po mundohet që të ribëjë sërish një mobilizim me pretendimin se do të mund të mobilizojë rreth 500 mijë forca, ajo thjesht e nxitur nga narcizizmi i Perëndimit dhe pangopësia e lavdisë dhe pushtetit të presidentit të saj, do të çojë drejt vdekjes bijtë e bijat e veta, pasi ato janë forca që jo vetëm do të jenë të papërgatitura, por Ukraina tashmë nuk ka asnjë kapacitet njerëzor profesionist komandues.
Kjo vërtetohet nga fakti se gazetat amerikane po arrijnë të marrin nëpër intervista disa komandantë batalionesh ukrainas që iknin nga Advijka dhe grada e tyre është herë kapiten e herë major, ndërkohë që normalisht duhej të ishte kolonel ose nënkolonel. Kur një batalion ka për komandant një kapiten kjo tregon qartësisht mungesën e personelit të kualifikuar drejtues. Dhe kjo në një konflikt të tillë, veçanërisht si ky i tanishmi do të thotë vetëvrasje për ato forca që shkojnë në luftim.
Pas gjithë këtyre dështimeve të njëpasnjëshme në këto dy vjet, Perëndimi kolektiv do të duhej ta nxiste Ukrainën që të ulej në tavolinën e bisedimeve dhe të mund të shpëtonte çka të mundet në këtë pikë ku është, pasi sa më vonë të bëhet kjo aq më shumë do të humbë Ukraina.
Ky narcizizëm nuk po e lejon Perëndimin të shohë se sa më e madhe humbja e Ukrainës aq më e madhe do të jetë edhe humbja e Europës dhe NATO-s, kur Europa do të thyhet përfundimisht në idenë e një fuqie ushtarake dhe edhe për një periudhë tjetër të paktën 30 vjeçare do të jetë nën patronazhin dhe mbrojtjen direkte të SHBA, ndërsa NATO thjesht do të dalë si një alencë e dobët dhe jo më e frikshme për pjesën tjetër të botës.
I vetmi nga luftënxitësit perendimore që duket deri tani ta ketë kuptuar se vazhdimi i luftës nga Ukraina është i kotë, është vetëm senatori amerikan Lindsey Graham, i cili deri dje bënte thirrje për angazhim ushtarak të Amerikës direkt me Rusinë, ndërsa tashti në dy herët e fundit ka votuar kundër dhënies së ndihmës ushtarake amerikane prej 61 miliardë dollarësh Ukrainës. Si duket e ka kuptuar më në fund se Rusia nuk është “Një pompë benzine e maskuar si shtet, por një shtet i maskuar si pompë benzine”.
Uroj që edhe pjesa tjetër e Perëndimit ta kuptojë sa më shpejt e të mos luajë me fatin e Ukrainës dhe të ukrainasve për vetëm ineresat e veta të ngushta politike. Pasi është vërtet për të ardhur keq kur sheh se në ç’derexhe ka rënë Ukraina, aq sa edhe “udhëheqësi ynë global” Rama, po e përdor Ukrainën për kapital të tijin politik, për t’i treguar patronazhistëve dhe gjithë qorrave që i venë nga pas si të shurdhër, se ai është lider global, duke e ftuar presidentin e saj në Konferencën për Ballkanin që do të mbahet sot, 28 shkurt, në Tiranë.
© Dritan Goxhaj








