Mbi sado-mazokizmin kulturor
- Nga: ARTAN FUGA
Sipas meje, e paça gabim, ne jemi kapur në një darë midis një sadizmi kulturor dhe një mazokizmi kulturor, pra vazhdojmë të jemi të vetëpërcaktuar duke u mbizotëruar nga ndërgjegje sadomazokiste.
Le të shpjegohem.
Ata që kanë orientim të majtë politik i shoh që vazhdojnë të mos e ndajnë dot dijen nga pushteti, njohjen nga politika, kulturën nga sundimi. Gjithandej analiza më nxjerr koncepte që mbështeten te nënndërgjegjja që dije e mirë, kulturë e mirë, shkencë e mirë, dituri e mirë është ajo që stabilizon pushtetin e atij që e ka dijen. Politikani simbolizon jo vetëm pushtetin, por edhe dijen, edhe kulturën, është maja e një piramide totalitare ku dija dhe e mira dhe pushteti kulmojnë në një majë.
Shihni vetëm ligjet për kulturën, artin, shkencën, arsimimin, statistikat, muzetë, eventet kulturore, etj., dhe do të konstatoni lehtësisht se gjithçka pozitive e dijes dhe e kulturës është vendosur nën thundrrën e politikës.
Çdo dije që nuk stabilizon pushtetin shpallet çmenduri, lajthitje, kaos, e pavlerë. Ja përse ne nuk kemi drama, opera, poezi, letërsi pjellore shqiptare. Sepse arti dhe kultura nuk jeton dot nën serën, nën çatinë e pushtetit.
Kultura dhe shkenca nën sundimin e politikës bëhet një kulturë sadiste. Shtyp të tjerët dhe pastaj godet veten, dhe në fund fundos edhe pushtetin.
Po sikur të ishte vetëm kaq do të ishte thjesht gjysma e problemit.
Pjesa dërrmuese e prirjeve të djathta, edhe pse kanë kaluar tre ose katër dekada kur komunizmi i zhbëri, i masakroi, përsëri vazhdojnë të zhyten në një lloj mazokizmi kulturor. Ka mbetur inercia e ankimit, e hyjnizimit të vuajtjeve, e rikujtimit të së keqes të kaluar, e identifikimit me viktimën e përjetshme, e vetpërqasjes si martir. Eshtë e kuptueshme, legjitime, një përmasë pastrimi që i bën mirë të gjithë shoqërisë. Kurrë nuk duhet harruar masakra e shqiptarëve ndaj shqiptarëve. Por, kur ky vetëviktimizim bëhet qendra e një universi kulturor, paradoksalisht ai jep inferioritet ndaj palës tjetër. Nuk të çon asgjëkundi. Aq më shumë që ka një prirje sunduese te të djathtët ende latentë që të gjejnë rrënjët kulturore te një kulturë madhështore shqiptare e të kaluarës. Madhështore në monumentet e veta të vërteta sigurisht. Por, e kaluar amà. Ose edhe më fatale, e interpretuar në qenien e saj të kaluar dhe jo në vijat e veta të forcës të përjetshme.
E djathta ende nuk ka zbuluar dot konservatorizmin progresist. Pra, konservatorizmin që çon përpara. Eshtë më shumë ende e mbyllur në viktimizim, që kënaq edhe xhelatët, si edhe në një kulturologji interpretative të kulturës sonë të trashëguar atje ku ajo është gjurmë e së kaluarës, por jo atje ku ajo thërret të ardhmen.
Ende nuk jemi atje ku Zhak Mariten zbulon postmodernen e antimodernes.
E kjo përsillet pastaj si mazokizëm kulturor.
Midis sadizmit kulturor dhe mazokizmit kulturor që nuk lejon frymëzimin kulturor për një pushtet konservator, që nuk i jep përmbajtje kulturore politikës, e zhvesh atë, e bën pa ngjyrë dhe pa frymëzim, jetojmë të gjithë ne.
Prandaj jemi në kënetë kulturalisht fillimisht, pastaj politikisht dhe ekonomikisht, prandaj jemi pa model social, pa busull.
Hapi i parë: Hedhja tej e sadomazokizmit kulturor. Pastaj të tjerat. Por, kjo nuk është punë e politikanëve, por e intelektualëve.
Julien Benda na paralajmëron: Kujdes nga tradhëtia e intelektualëve!
E çfarë është kjo tradhëti e jona? Të mos bëjmë reformën e mendimit, detyra, jonë, reformën e kulturës, por të gjejmë alibinë duke u marrë me asgjë, me politikë, me tregti, me lepe-peqe, ose me propagandë politike.











