Çfarë po ndodh në Kosovë? - Nga Adriatik Dosti
Po ndodh ajo që duhej të kishte ndodhur vite më parë. Kosova po mbron veten, të drejtat e saj të mohuara e të nëpërkëmbura si dhe të nesërmen e popullit të vet. Kosova po guxon hapur e publikisht, mençurisht e trimërisht, t’u japë fund padrejtësive të mëdha historike ndaj saj.
Ani pse në frontin përballë nuk ka vetëm armikun e saj shekullor Serbinë, por fatkeqësisht edhe “mikun e aleatin” kryesor të saj të deridjeshëm si dhe një tufë burokratësh frikacakë e dyfytyrësh, të cilët flasin në emër të BE.
Të gjithë këta, përfaqësues të kësaj amalgame helmuese, shto këtu edhe një grusht burracakësh, frikacakësh, tradhëtarësh e mendjetredhurish vendas, me në krye Pacollët e Haradinajt me co.
Një tufë frikacakësh, tradhëtarësh, të korruptuarish e antishqiptarësh, palaçosh, karagjozësh e sharlatanësh në Tiranë e në Prishtinë, por edhe në Uashington e Bruksel, po ulërasin sot duke e akuzuar Kosovën e Kurtin për mosmirnjohje dhe prishje me miqtë tanë, me aleatët e me ndërkombëtarët etj., etj.
Gjykoj se është me mirë djepi bosh, sesa Shejtani n’të, siç thonë aq bukur e mençurisht andej nga Veriu i Shqipërisë. Pikërisht këta lloj ulëritësish që ndjellin veç keq, të mbështetur edhe nga përtej-atlantikasit si dhe nga dy ambasadorët amerikanë në Prishtinë e Beograd, por edhe nga filoserbët e Brukselit, po lajmërojnë qametin ndaj Prishtines, duke e akuzuar për veprime të njëanshme e që gjoja nxisin tensionin në Rajon.
Të gjithë po kërkojnë të kryqëzojnë Albin Kurtin, duke e shpallur si heretik, antiamerikan, anti-BE, luftënxitës, kokëfort, arrogant, mosmirënjohës etj., etj. Njejtë siç zakonisht kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë euro-amerikanët edhe me vende, popuj e burrështetas të tjerë, kur këta kërkojnë të mbrojnë vendet dhe popujt e tyre, e nuk pranojnë të bëjnë atë që duan amerikanët apo edhe prosti-politikanët e BE.
Të hapet ura e Ibrit e komunikimi njerëzor atje të jete i lirë, thote Kurti. Të mbyllen Postat serbe në Veri të Kosovës për aktivitet të paligjshem. Të shkojnë në bankën e Drejtësisë të gjithë ata që synojne veprime terroriste ndaj Kosovës, cilëtdo qofshin ata. Të mbrojmë vendin e popullin tonë, të respektojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, të jemi palë e barabartë në çfarëdolloj bisedimesh me Serbinë e ndërkombëtarët, të synojmë fqinjësi të mirë e respekt reciprok, të jemi ne ata që vendosin për Kosovën e kosovarët, e jo brukselistët, as uashingtonistët, e aq më pak jo e jo kurrë me beogradistët.
Ku është e keqja këtu?
Franca kërcenon haptazi Kosovën e kryeministrin e saj dhe kinse harron se është pikërisht ajo shkaktare e ndarjes jo pa qëllimtë Veriut të Kosovës 25 vite më pare, harron si “pa dashje” që është historikisht po ajo mikja dhe aleatja më besnike europiane e Serbisë (pas Rusisë), e ndërkaq edhe armikja historike e kombit shqiptar dhe e shqiptarëve. Ndërkohë, “ATA” të Boltonëve, Palmerave, Grenellëve, Eskobarëve etj., etj., që e pëlqejnë fort dhënien e lirisë dikujt me litar në grykë, nuk po reshtin duke u rreshtuar tashmë haptazi në krah të agresorit e kundër viktimës, ani pse shqiptarët ende vazhdojnë t’u jenë thellësisht mirënjohes për atë ç’ka ata bënë për ta vite më parë.
Por miku i mirë njihet në ditë të vështira dhe pikërisht nga këta lloj “miqsh” ndër dekada ne shqiptarët kemi vuajtur dhe e kemi pësuar jo pak. Janë pikërisht këta lloj miqsh që na kanë ndarë e coptuar në 5 pjesë, na lanë 45 vjet në mëshirë të komunizmit gjakatar dhe sot po na shpopullojne barbarisht.
E pikërisht për këto e shumë të tjera ngjashëm me këto, unë sot, por edhe gjithë shqiptarët kudo, jo vetëm në Prishtinë e Tiranë, por në mbarë botën ku frymojnë, punojnë e jetojnë, duhet teë jenë fuqishëm të bashkuar si kurrë më parë në krah e në mbrojtje të Kosovës e popullit të saj, në krah të Albin Kurtit, pa u trembur nga shantazhet, presionet e kërcënimet apo edhe nga “sugjerimet dashamirëse të “miqve” tanë të Uashingtonit e të Brukselit.
Mbahu Kosove, ani pse sot, si kurrë më parë të gjithë, miqtë e armiqtë e tu, por edhe shumë gjakprishur të të njejtit gjak me tëndin janë bërë bashkë e kundra teje, ndaj dhe Zoti i denoftë!
Jemi në të drejtën tonë historike si komb e si popull dhe po kërkojmë nderin e dinjitetin tonë, pa i hyrë kërkujt në pjese e në hak, pa cenuar kërkënd, duke kërkuar paqe e jo luftë. E mbi të gjitha duke e ngritur kokën lart e duke mos e ulur më thjesht per t’u bërë qejfin “miqve” tanë apo edhe për t’u trembur prej tyre se janë “fortet” që të bëjë gjëmën.
Ndaj, unë sot jam fuqishëm me ty Kosovë, jam në krahun tënd të shqiptarisë, o Albin Kurti, jam për të nesërmen dinjitoze të kombit e të popullit tim dhe kundër miqësive të “miqve” të tillë, që historia na fton t’i sjellim ndërmend pikërisht në momente të tilla.
© Adriatik Dosti












