Blog

“Biznesmeni” i diasporës - Nga Enver Robelli

Ai i di të gjitha. Ai dëshiron të investojë. Në Kosovë! Kapital nuk ka, por prapë dëshiron të investojë.

Shet mend poshtë e lart, sepse “bëhet merak” për Kosovën. Në fakt, më shumë bëhet merak për vetveten dhe shitjen e imazhit të tij të rrejshëm, andaj orë e çast simulon “aktivitete”.

Të gjitha në thonjëza: investime, angazhime, vizita, debate, takime, përralla. Krejt këto për Kosovën! Sa shumë e do “biznesmeni” i diasporës Kosovën!?

Ky tip nuk mendon të kthehet në Kosovë për të jetuar, por i pëlqen të shesë mend nga distanca prej 2000 kilometrave.

Për aq kohë sa këtë tip “biznesmeni” e marrin seriozisht në Kosovë, ai do të mbijetjojë. Së paku në mediat sociale.

“Biznesmeni” i diasporës është figura më qesharake - e diasporës!

Biznesmenët e vërtetë, ata që investojnë, nuk i sheh duke u krekosur në mediat (a)sociale. Ata janë patriotë. Ata e duan Kosovën.

Sepse, së pari, e duan vendin ku e kanë krijuar pasurinë. Por ata janë të padukshëm. Sepse e dukshme është puna e tyre. Në Kosovë. Dhe në Gjermani. Në Zvicër. Në Austri.

© Enver Robelli