A po tentohet ripopullimi pas shpopullimit masiv të trojeve shqiptare? - Nga Milaim Nela
Të Premten që sapo shkoi një mik i imi më dërgoi një video të emisionit "Zonë e Lirë" të Arian Çanit, ku teologu Ermir Gjinishi qenka shprehur se po negociohet me qeverinē shqiptare zhvendosja e të paktën 100 mijë palestinezëve nga Rripi i Gazës.
E kuptoj që disa do të thonë nuk duhet të merret seriozisht gjithçka thuhet në median shqiptare të kontrolluar nga interesa oligarkike, por kjo çeshtje meriton vëmendje dhe investigim.
Si është e mundur që nuk trajtohet nga media dhe opinioni publik çështja e zhvendosjes së mundshme të të paktën 100 mijë Palestinezeve në tokën shqiptare?
Ka fjalë të tjera që ky numër mund të shkojë deri në 1.5 milionë të zhvendosur.
Ermir Gjinishi tha po ashtu se ka patur edhe një takim të kryetarit të Opozitës me zyrtarin palestinez në të njëjtën ditë që ky i fundit është takuar me kryministrin shqiptar.
Unë personalisht nuk e besoj këtë.
Sot në konferencën për shtyp asnjë gazetar nuk e pyeti z. Berisha për këtë çeshtje që jo vetëm ka interes të madh public, por nëse larg qoftë realizohet ajo që përflitet, do të ketë pasoja ekzistenciale për vendin tone.
A po negocion Rama me BE-në dhe Perëndimin vazhdimin e sundimit të tij me çmimin e zëvendësimit të shqiptarëve me viktimat e një konflikti që as nuk na përket neve e as nuk na prek direkt apo indirekt?
A ka lidhje kjo çeshtje me ekspozimin e Ramës me klerikë izraelitë dhe trajtimin në spitalet tona të një familjeje palestineze e sjellë me çarter nga zonat e konfliktit?
Pse kjo heshtje nga media shqiptare?
As opozita iraniane, e as viktimat e Afghanistanit nuk janë e nuk duhet të jenë problem shqiptar. Çeshtja palestineze jo e jo.
Shqipëria as nuk është vend islamik e as gjeografikisht nuk i përket Lindjes së Mesme.
Ne jemi vend i vogël europian me një mijë halle ekzistenciale tonat e përpos keqardhjes dhe simpatisë për viktimat e konflikteve nëpër botë, as nuk kemi kapacitete e as nuk mund t’i zgjidhim këto halle. Ata thjesht nuk na përkasin ne shqiptarëve.
Unë e kuptoj dëshpërimin e Edi Ramës në vigjilje të ardhjes së një administrate të re që ka marrë përsipër shkuljen e flamës Soros dhe të shtetit të nëndheshëm pjesë integrale e të cilit është Edi Rama dhe sponsorët e tij.
Po ashtu shqiptarët si unë e kanë të qartë se Edi Rama për karrigen e tij shet gjithçka e çdo gjë siç na e ka demonstruar në 12 vitet e sundimit Soro-rilindas.
Nga Rama nuk habitem, por nga opozita pres më shumë, sepse në sistemin aktual politik ne nuk kemi mekanizma të tjerë mbrojtës.
Roli dhe misioni i opozitës në raste të tilla merr rëndësi kapitale.
Kush do t’i mbrojë interesat tona kombëtare nëse shteti bën pazare me interesat tona dhe opozita hesht?
Shpopullimi është plagë e rëndë, por ripopullimi me të huaj në përmasa të tilla është baraz me vdekje të kombit shqiptar.
Edi Ramës dhe kujtdo që tenton të fusë Shqipërinë në aventura të tilla i them mos e bëni një hap të tillë se pasojat do të jenë katastrofike dhe ju nuk do të mund të dilni nga kjo pa u lagur.
Shqiptarët durojnë, por historia na ka dëshmuar se durimi ka një kufi. Mos i provokoni shqiptarët deri në këtë pikë!
©️ Milaim Nela
















