Shëngjin apo Wilson City? - Nga Ilir Gjini
“Dashuria” e madhe e shqiptarëve për Amerikën, po bëhet mode jo vetëm duke “amerikanizuar” shumë fjalë të gjuhës sonë, por së fundi edhe me një propozim të çuditshëm për të ndryshuar emrin e Shëngjinit në Qyteti Wilson, me pretendimin se edhe vete kryeministri Fan Noli e bëri këtë në vitin 1924.
Servilizmi ynë karshi të huajve është shndrëruar në mani. Jemi ndoshta i vetmi vend që pas vizitave të liderëve që vinin nga vende të fuqishme të globit, vraponim të emërtonim sheshet e rrugët me emra të rinj si: Sheshi Gensher apo Rruga George W. Bush…
Dikur i vendosnim emra sovjetikë edhe fëmijëve si Lenin, Çapajev, Sovjetik apo Hrushov. Fatmirësisht emrat kinezë nuk ngjitën se do duhej “tringëllima” e disa “kanoçeve” për imituar emra kinezë si Lin Çin Juan apo Ha Kuo Fen.
Sot nuk lamë bar e lokal pa e pagëzuar America, Las Vegas, New Jersey apo Hollywood?!
Më ka bërë përshtypje kur bashkë me gazetaren Laureta Rroshi me të cilën po realizonim një dokumentar për bashkëjetesën etnike në Maqedoni, ndeshëm emërtimet shqip: Barnatore Vebiu (jo farmaci), apo Shitore Ohri.
Gjatë periudhës së komunizmit, duke qenë se propaganda e kohës hymnizonte Luftën Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj, u emërtuan gjithë rrugët e sheshet me emrat e tyre, a thua se Shqipëria nuk ka patur heronj të tjerë.
Fatkeqësisht vazhdojmë t’i kemi këto emërtime edhe sot dhe madje vazhdojmë të kemi 5 Majin si Dita e Dëshmorëve, ndërkohë që kontributi i Qemal Stafës në luftë ka qenë minimal, kur fare mire Dita e Dëshmorëve mund të ishte 7 Prilli, në përkujtim të heroizmit të Mujo Ulqinakut që e kundërshtoi pushtimin fashist duke flijuar jetën.
Në Gjirokastër, që njihet si qyteti i kulturës dhe dijes, padrejtësisht gjimnazi emblematik i qytetit quhet Asim Zeneli, sepse ky i fundit (hero i luftës) paskësh qenë nxënës i tij. Pushtetarët e komunizmit ia dhanë edhe një fshati emrin Asim Zeneli, po nuk u mjaftuan dhe ia dhanë emrin edhe gjimnazit. Sigurisht që e vlerësoj kontributin e Asimit në luftë, po shkolla është vatra e dijes dhe jo repart ushtarak. Ai gjimnaz emblematik ka nxjerrë emra kaq të shquar si Kadare, Agolli, Agim Shehu që fare mirë mund ta përfaqësonin.
Dhe qershia mbi torte, rruga Alqi Kondi, një rrugë në Pazarin e Gjirokastrës?! Alqi Kondi (vëllai i Vito Kapos), një ish-funksionar komunist pësoi aksident me motor në vitin 1945, teksa po shkonte në punë dhe regjimi e shpalli “Hero i Popullit”. A duhet ta mbajë kjo rrugë ende atë emër?
© Ilir Gjini - Toronto
















