Blog

Mos pyet se për kë bie ajo këmbanë - Nga Ilir Levonja

Nga: Ilir Levonja - SHBA

Çfarë po ndodh në Shqipëri, me një televizion publik, shto edhe atë indeferencën sociale, a frikën sociale, a mendësinë sociale, me një fjalë larg bythës sime, deri sa nuk më luan mua, nuk ka se çfarë më duhet etj., i shpjegon fare mirë një poezi e kohës së Mesjetës, e poetit londinez John Donne, ''Për kë bie Këmbana''. Ai ishte një klerik i cili përmes këmbanës a tingullit të saj, i drejtohej shoqërisë në lidhje me ikjen e një burri.

Si shumë autorë të tjerë edhe ai mbahet mend pikërisht për mesazhin e madh përmes tingullit të këmbanës, mesazh që e kanë përdorur plot të tjerë më pas, përfshi edhe Ernest Heminguejin i cili shkrojti një roman me të njëjtin titull. Mesazhi është i tillë pak a shumë (pa dashjen e dhënies së një ore të analizës letrare) mos pyet se për kë bie këmba e Kishës, se kush vdiq etj., ngrehu e shko aty, respektoje atë që ra, që iku se, një ditë ajo këmbanë do bjeri edhe për ty.

Kësisoj edhe puna e Shqipërisë, ka shkuar bash aty sa askush nuk do ta besojë, askush nuk do ta dëgjojë, askujt nuk i intereson askënd sa kohë nuk i djeg menderja e vet. Se ta kam llafin, sillem e sillem dhe shoh që asnjë nga televizionet publike, me taksat e shqiptarëve, mediat e lira të një vendi demokratik i cili i ka të sanksionuara me Kushtetutë të drejtat dhe liritë etj., nuk transmeton brutalizmin shtetëror të eskortave policore tek rrethojnë godinën e një televizioni, privat.

Disa thonë punë godine, letrash etj. Nëse është kështu, fare mirë mund të shkonte thjesht një përmbarues, këto janë format më normale të një demokracie perëndimore, por jo furgonët e policisë për të demonstruar forcë. Disa të tjerë thonë, mirë ia bëjnë se bythë e brekë me Edi Ramën ka qënë.

Problemi është se me këtë mendësi i dhatë zgjidhje..., nuk është puna se me kë ka qënë dhe se me kë është, se ashtu i bie trajtimi i qënies, biznesit, të drejtave kushtetuese të barabarta me kokrrën e limonit në duart e guzhinierit. Eshtë një fatkeqësi kombëtare se si bëjnë sehirxhiun, se si tërhiqen apo se si edhe opozitarizmi po vepron aty.

E para, për gjithë ata që gjoja ëndërruan Shqipërinë si gjithë Europa, bash sot më shumë se kurrë iu duhet kujtuar arti poetik mesjetar i anglezit John Donne, mesazhi filozofik i këmbanës së kishës, mos pyet se për kë, por shko e bashkohu se, një ditë do të bjerë edhe për ty.

Mjaft bëtë sehirxhiun se Shqipëria po degradon ditë pas ditë në një Bjellorusi bash në zemrën e Europës. Ose ka degraduar me kohë. Përditë skandale dhe skupe, zhurmë, propagandë kur shifrat flasin ndryshe. Vriteni frikën sa nuk është vonë akoma, nuk ka më kryeministër normal si rezultat i vullnetit të popullit, por një mafioz i cili ka ngritur një strukturë të ashpër të manipulimit dhe shplarjes së trurit. Ishte alarmant raporti i një vëzhguesi të zgjedhjeve në Këshillin e Europës dhe po aq i shëmtuar reagimi i ministrit të Jashtëm të qeverisë shqiptare.

Nga ana tjetër edhe opozitarizmit i them, mjaft me intervista me gjoja solidarizim, mikrofona apo kamera ku në sfond disa pinë cigare dhe disa qeshin, me bluza firmato apo syze të tilla etj. Duhet aksion i fortë sa politik edhe social, deri në grevë urie, greva a diçka tjetër për sensibilizim përtej Parlamentit Europian, pavarësisht kushteve etj.

Nuk iu bën përshtypje se si një pule fushe me titullin e krytares së Kuvendit shkon në aktivitete sociale me një ushtri badigardësh? Janë para të gjakut dhe djersës së shqiptarëve, aty firojnë shifrat e lekëve tuaja ndaj edhe Shqipëria rënditet e parafundit në indeksin e pagave dhe pensioneve në Europë.

Por edhe socialistëve që vërtetë e duan vendin u them mos u bëni bashkëpunëtorë me krimin publik, me varjen e publike të demokracisë duke mbyllur mediat me dhunë policore. Bëjini postulat a një ndjenjë faljeje sociale fjalët e Musine Kokalarit, se: ''fakti që mendoj ndryshe nga ty, nuk do të thotë se e dua atdheun më pak''. Eshtë në nderin tuaj të ndërtonin shtet të së drejtës civile dhe shtet të qytetarit, jo shtet të kultit të individit. Koha ju ka dhënë një shans të madh, vlerësojeni! Sepse të sundosh shqiptarët, t'i vjedhësh, t'i përçash, t'i largosh nga vendi për inat të Berishës etj., nuk është rimëkëmbje e Shqipërisë, por degradim i saj.

© Ilir Levonja - SHBA