Sodoma shqiptare - Nga Sejdin Cekani
- Nga: Sejdin Cekani

- E nisëm dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar me turravrapin për të shkatërruar fabrikat e uzinat dhe i kthyem ato në gërmadha.
- Me sëpata në dorë, iu sulëm plantacioneve me mollë e agrume dhe i rrafshuam.
- Po në ato vite, nëpër pyje gjëmonin motosharrat që rrëzonin përtokë drurët e bukur të aheve, pishave e bredhave - një pasuri e jashtëzakonshme, krijuar ndër breza shqiptarësh. Masakra madje nuk kurseu as kurorat e mahnitshme të drurëve përreth liqeneve të Lurës - ndër më të bukurit në Europë.
- Barbaria vazhdoi me shpërthimin e depove të Ushtrisë, vjedhjen e arsenaleve të armëve, municioneve, deri dhe topave e tankeve.
- Për herë të parë Shqipëria u kthye në një depo gjigante plehrash e pisllëku. Nisi edhe “eksperimenti” i hedhjes së tyre nga dritaret e shtëpive, ndërsa rrugët, kanalet e deri lumenjtë u kthyen në gropa të zeza.
- Ndërkaq, shekullin e ri e nisëm me shkatërrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe hidrovoreve nëpër fushat e Myzeqesë, Shkodrës, Korçës, etj. Vit pas viti provuam përmbytjet apokaliptike në stinët e shirave dhe shtëpitë e banorëve u mbushën me ujë e llucë.
- Gërmuam shtretërit e lumenjve për të marrë zhavorrin dhe i kthyem në humbella. Pastaj humbellat i mbushëm me inerte dhe ujëra të zeza.
- Tokat prodhuese nëpër fusha e kodra i lamë djerrë, sepse e kemi më kollaj të pastrojmë mbeturinat e depove të drithrave nga vendet e Lindjes apo të importojmë edhe mollë, lakra, bizele e domate nga vendet fqinje.
- Therëm e zhdukëm miliona lopë, dele e dhi për të importuar mish pa cilësi e pa shije nga Brazili i largët.
- U bëmë lajm për kataklizmën e Gërdecit - e ngjashme me një katastrofë nukleare.
- Filluam betonizimin e qyteteve dhe zhdukjen e hapësirave të gjelbra për t’i zëvendësuar me kioska e lloj-lloj shëmtish të tjera.
- I vumë kazmën arsimit dhe krijuam universitetet-kioska për të shitur diploma për kokëtrashët e gjysmanalfabetët.
- Si për t’ia hequr edhe gurin e fundit të themelit ngrehinës sonë, e kemi nisur dhjetëvjeçarin e dytë të këtij shekulli duke ua vënë zjarrin vit pas viti pyjeve, deri sa në gushtin e këtij viti e kthyem Shqipërinë në Sodomë.
Legjenda biblike na tregon se Sodoma dhe Gomora u shkatërruan e u përvëluan nga flakët si ndëshkim për mëkatet e banorëve të tyre.
© Sejdin Cekani
















